Shqiptarët duket se i përqafuan herët, shumë prej parimeve të së majtës, qoftë marksiste, qoftë asaj socialdemokrate. Studimet e këtij botimi tregojnë se historia e së majtës shqiptare shkon më herët në histori dhe pa dyshim, e tejkalon të majtën komuniste, ndonëse në 47 vitet e jetuara nën një regjim totalitar të tipit stalinist, u injektua ideja se e majta nisi me themelimin e PKSH-së. E majta në Shqipëri, ashtu si në botë, ka qenë pluraliste dhe jo monolite. Qysh herët u shquan të paktën pesë kategori të së majtës. E majta romantike: individë me ideologji të majtë që ushtruan veprimtarinë e tyre deri në fillim të Luftës së Parë Botërore. E majta utopike (komuniste): me përfaqësues që qenë pjesë e Luftës Nacionalçlirimtare, por nuk jetuan ta shihnin të instaluar diktaturën e proletariatit. E majta trockiste: ithtarët e së cilës u etiketuan të tillë për t’u goditur si kundërshtarë politikë. E majta socialiste: me distancë të shëndoshë ideologjike nga leninizmi, si mbivendosje e marksizmit tradicional...