1 minute read

ABSTRAKT

Shumë vende të reja pune janë hapur në Kosovë në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit. Kompanitë e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në Kosovë po rriten shpejtë. Shumica e këtyre kompanive i eksportojnë shërbimet e tyre jashtë vendit. Për t’u rritur, kompanitë kanë nevojë për punëtorë të kualifikuar. Këto kompani garojnë me njëra tjetrën për të tërhequr punëtorët e mirëkualifikuar të kësaj fushe.

Qëllimi i këtij studimi ishte të zbulojë cilat praktika të komunikimit marketing i aplikojnë kompanitë e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në Kosovë për të tërhequr fuqinë e mirëkualifikuar punëtore. Cilat janë atributet e vendit të lirë të punës që kompanitë i konsiderojnë të rëndësishme dhe tërheqëse për fuqinë punëtore. Si e komunikojnë ofertën për vende të lira të punës te tregu i tyre dhe cilat janë barrierat në këtë komunikim.

Advertisement

Në këtë hulumtim cilësor është përdorur metoda e Teorisë së Bazuar. Të dhënat empririke janë mbledhur përmes njëmbëdhjetë intervistave të thella me pyetësorë të pastrukuruar me njëmbëdhjetë kompani të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në Kosovë. Të dhënat nga intervistat janë koduar dhe kanë nxjerrë tri kategori që kanë shërbyer për të dhënë përgjigjje në pyetjet hulumtuese. Kategoritë që kanë dalë nga kodimi i materialit të mbledhur ishin: Atributet e vendit të punës; Komunikimi; Zhurma dhe ambienti.

Paga, kultura e kompanisë dhe aftësitë e kandidatit dolën atributet më të theksuara të një vendi të lirë pune. Shpallja për vend pune - si reklamë; rekomandimi për vendin e lirë të punës- si fjalë e gojës dhe metoda gjueti kokash- si marketing direkt dhe shitje personale, ishin mënyrat më të përdorura të komunikimit të ofertës për vend pune që kompanitë e TIK i bëjnë tregut të tyre të punës. Rezultatet e studimit flasin për një mungesë të strategjisë së komunikimit të integruar marketing në ndërtimin e brendit të kompanive dhe në marketingun e rekrutimit.

Fjalët kyçe: Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit, Kosovë, konkurencë, fuqi e kualifikuar punëtore, strategji e komunikimit marketing.