Revsita Mapo

Page 80

Albert P. Nikolla / Fotot: Petrit Kumi Duhet theksuar që në fillim se koncepti i “njeriut të ri” shqiptar është huazuar nga komunizmi sovjetik. Ndonëse i huazuar, ky koncept fiton veçori sui generis që kanë pak lidhje me reflektimin filozofik marksist mbi këtë argument. Vizioni marksist mbi “njeriun e ri” bazohet kryesisht në çështjen e eliminimit të “ndarjes së punës”, që sipas Marksit përbën motivin kryesor të “tjetërsimit” dhe të stresit për punëtorët në sistemin kapitalist. Kjo “ndarje e punës”, sipas tyre, e skllavëronte njeriun dhe për rrjedhojë, në sistemin socialist duhet të synojmë të kemi një “njeri të ri” të lirë nga skllavëria e “ndarjes së punës”. Skllavërimi kishte të bënte me një realitet të dyfishtë: nga njëra anë punëtori ishte një krah pune nën sundimin e pronarit të ndërmarrjes dhe subjekt i përfitimit të mbivlerës, nga ana tjetër skllavërimi vinte edhe nga mjetet e prodhimit që ai përdorte, pasi ai kufizohej vetëm në përdorimin e një makine, ndrydhej krejtësisht dhe ishte i paaftë për të kryer një punë tjetër. Përballë këtij punëtori të robëruar të sistemit kapitalist, duhet krijuar një “njeri i ri” krejtësisht i zhvilluar dhe “politeknik” që nuk ka vetëm një, por shumë profesione, që nuk është skllav i një makine në fabrikë, por që di shumë gjëra të tjera e madje ka edhe përmasë shpirtërore që kultivohet vazhdimisht. Ja si e përshkruan studiuesi italian B. Spirito “njeriun e ri” në këtë perspektivë: “Gjithë problemi i eliminimit të ndarjes së parcelizuar të punës dhe reduktimit të nevojave në një minimum jetik përbën atë çka është parësore për të kuptuar figurën e njeriut të ri, i cili është një individ krejtësisht i zhvilluar, veçoritë e të cilit mund t’i përshkruajmë në këtë formë: ai është një punëtor, i cili në ndryshim nga figura e vjetër e punëtorit të parcelizuar (fragmentar) që është ingranazh i thjeshtë i një procedure prodhimi industrial, ushtron në mënyrë të këmbyeshme funksione të shumta në mjaft degë të prodhimit nëpërmjet zhvillimit të lirë të aftësive të veta”. Pra, “njeriu i ri” do të jetë një lloj politekniku, që di të bëjë shumë punë njëherësh në bashkërendim me kolektivin komunist dhe sidomos në ambientin industrial të punës. Kujtojmë në këtë kontekst rëndësinë që i jepte Partia klasës punëtore si ndërtuese e socializmit dhe “syri kritik” ndaj kooperativistëve që ishin të lidhur akoma me pronën private. Në ecurinë e reflektimin të Marksit, Engëlsit dhe disa mendimtarëve të tjerë marksistë, çelësi i interpretimit të figurë së njeriut të ri është teknik dhe vetëm rrjedhoja e mëvonshme mund të ketë efekte sociale mbi të. Nuk shohim pra elementë moralë tek figura e njeriut të ri në fillesat e reflektimit marksist. Aq e vërtetë është kjo gjë, saqë disa autorë të tjerë flasin, për më tepër, për një eliminim të “çështjes morale” në doktrinën marksiste. Lenini, në artikullin e tij “Përmbajtja ekonomike e Narodnizmit dhe kritika e tij në librin e Z. Struve” në vitin 1894 shkruante: “Pra, nuk mund të mos e konsiderojmë të drejtë pohimin e Zombari-it që «në doktrinën marksiste, që nga fillimi deri

80

në fund nuk gjejmë asnjë thërrmijë etike»: për sa i përket pjesës teorike, «pikëpamjen etike» marksizmi ia nënshtron «principit të shkakësisë», ndërkohë, për sa i përket pjesës praktike, ia nënshtron luftës së klasave”. Duket qartë një mënyre e re e interpretimit të etikës marksiste nga Lenini. Interpretimi filozofik i etikës reduktohet vetëm në nivelin antropologjik të mënyrës së sjelljes dhe edukimit të vazhdueshëm të njerëzve të rinj, në mënyrë që të bëhen të mirë. Kjo mënyrë e të parit të gjërave nuk ka lidhje të fortë me vizionin marksist të etikës të shprehur nga Marksi dhe Engëlsi. Nën këtë frymë arsyetimi lind koncepti i “njeriut të ri” në kontekstin e socializmit sovjetik. Njeriu i ri është një model moral që duhet të ndiqet nga të gjithë, pasi të gjithë, pa përjashtim dhet të bëhen “njerëz të rinj”. Ata që nuk bëhen, i nënshtrohen ashpërsisë së luftës së klasave. Siç e thamë në fillim, socializmi shqiptar e huazon konceptin e njeriut të ri nga ai sovjetik. Kjo del në pah edhe në revistën Rruga e Partisë, numrat e së cilës janë analizuar që të gjithë që nga viti 1953 deri në vitin 1989. Në të njëjtën mënyrë, si autorët sovjetikë, edhe autorët shqiptarë e shikojnë krijimin e njeriut të ri si procedurë morale. Por, duke analizuar numrat e mëtejshëm të revistës, njeriu i ri shqiptar fillon e merr veçori tipike shqiptare që e bëjnë atë një figurë të mirëpërcaktuar e që dallon nga modeli klasik komunist. Numri i parë i revistës Rruga e Partisë ka dalë në vitin 1953, ndërkohë që për herë të parë flitet për “njeriun e ri” një vit më vonë dhe vazhdimisht në vitet e tjera në çdo numër të saj. Nuk ka reflektim ku të mos dalë direkt apo indirekt kjo figurë kaq e rëndësishme për ndërtimin e socializmit. Përkufizimin e figurës së “njeriut të ri” nuk e japin autorët shqiptarë. Përkufizimi merret nga një autor sovjetik, Igor Kon, në numrin 8 të revistës të vitit 1954: “Duke u nisur nga superioriteti i sistemit socialist dhe nga kujdesi i vazhdueshëm i Partisë për edukimin komunist të punonjësve të vendit tonë, është rritur njeriu i ri, i cili është bartës i vlerave të larta politike e morale, ndërtues i komunizmit dhe është pakrahasimisht më i denjë se çdo përfaqësues i botës së vjetër. Ai është një njeri, interesat personale të të cilit janë të lidhura pazgjidhshmërisht me interesat e popullit, ai është gati të luftojë deri në vetëmohim për kauzën e Komunizmit. Ai është një njeri, qëndrimi i të cilit për jetën është përherë krijues, ai nuk mund ta mendojë jetën pa punë, është një humanist i cili, duke ngritur lart flamurin e dinjitetit njerëzor dhe është gati për të sakrifikuar vetveten në luftë për lumturinë e njerëzimit. Borgjezia që është duke vdekur ka frikë nga ai dhe e urren, vetë ekzistenca e tij është mohimi i regjimit kapitalist. Ideologët e borgjezisë janë të gatshëm të shpifin në çdo mënyrë kundër tij”. Ky është përkufizimi më i plotë në panoramën ndërkombëtare komuniste dhe jo më kot autorët shqiptarë e konsid-


Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.