hipotekat, koalicionet e PS, hakersat shqiptare

Page 17

opinion • E premte 26 tetor 2012

»

17

“Nallbanët e demokraturës 21”

Ç

farë do të kishte ndodhur sikur pasditen e vonë të 20 prillit 1889 në borgatën numër 219 Klara Hitler t’i kishte dhënë jetë një vajze të dytë? Sikur vajza të quhej “Agata” dhe të kishte sy blu, gati-gati të njollosur me dallgë të mikluara deti, kush do të ishte kujtuar për orën e frymës së saj të parë apo biografinë e arnuar, që do të trazojë mendjet e të gjitha shtresave apo kastave? Po Irenë Nemirovski a thua 17 gushtin e vitit të zhurmshëm 1942 do të kishte lodhur gishtërinjtë e gjatë mbi një makinë shkrimi të blerë me leverdi vetëm tri ditë më parë? Historia do të ndahej në disa volume apo vetëm disa kapituj? 42 kampe përqendrimi apo 42 teatro operistikë? Disa apo disa miliona? Ju kërkoj të drejtën e tri presjeve. Minimalisht 3 presjeve për t’u ç’armatosur me stil të mesëm dhe për të vazhduar erucionin tim, memecuar nga pretekste tejskajshmërisht logjike. Për mendimin tim, diletant, dy kallëpet më të oreksshëm të historisë gjithëpërfshirëse në shifra, copëtime gjeografike apo çështje demografie kanë një shtyllë kurrizore, një shfryrje përbashkësish të pranuar me ose pa pahir. 1945. Vitin e qullët 1945. ‘’Përpara’’ dhe ‘’pas’’ janë dy ndajfoljet e vetme që kordelojnë ansamblet brutale dhe filmografisht më pak të tilla të dy kohëve kronologjike që ‘’përshëndesin’’ njëra-tjetrën miqësisht. Nuk është lapsus ‘’miqësisht’’, është e qëllimshme. Kur nxjerr në valle të mësipërmin ingranazh dekadash, nuk qëlloj vëmendjen tuaj në mposhtjen ‘’tranzitore’’ për të dytën herë, atë naziste, e aq më pak embrionizmin e Bashkimit Europian. Aspak pothuajse finalen e trishtë të luftës së dytë botërore. Do të ishte shumë naive nga ana ime të humbas leximin tuaj vetëm pas disa paragrafëve shpotitës dhe një kaligrafie kompjuterike. Kur unë vë një qark minjsh në këtë rruzull të plogësht mediokritetesh, marr si përgjigje një të nënqeshur pothuajse të besueshme nga një këndvështrim luksoz dhe paranojak. Sepse të thuash që në vitin 1945 njerëzimi për herë të parë dështoi, jo letrarisht, por prej vërteti, është si të thuash se lindja dhe perëndimi janë të kundërta në orare, pozicione dhe ngjyra. Diçka që të gjithë e dimë. E pikërisht këtë duhet të shkruajë shumica. Diçka që di. Jo diçka për të cilën dyshon, por lë përkohësisht në atë gjendje pasive ndodhie. Balotazhet politike, strukturat institucionale, presidentët, mbretërit, anarkët, marksistët, despotët në damarët e vitit 1945, dështuan. Amerika, Europa, Japonia... dështuan. Krishterimi, islamizmi, ateizmi... të gjithë pa përjashtim dështuan. Njerëzimi për herë të parë dështoi. Nëse ishte e pashmangshme, aq më keq. Nëse ishte llogari kapitaliste, demokratike apo mbijetese, atëherë qe një llogari krejtësisht e gabuar. Të gjithë ata që nuk ia dolën, ata që nuk kishin lindur ende, e solemnisht ata që panë me sytë e tyre gjithçka...pa hile, zili apo vërejtje të hollësishme, dështuan. Shoqëritë e ‘’kushtetutës’’ dhe të drejtave natyrore i mësuan botës të vetmin emërues që nuk do të duhej të kishte dalë asnjëherë në pah, as si forcë mbrojtjeje, as kërcënimi, supremacie e as si derivacion i dobët eksperimental - bombën atomike. Dy të tilla zbrazën mllefin dhe pabarazinë politike mbi trupat e mijërave personave dhe në kurrizin e dy qyteteve që gëzonin ditën e radhës. Tentativa e një të trete vuri me shpatulla pas muri kundërshtarin. Fitorja nuk u mor në betejë. Pseudofitorja u lëshua pabesisht nga kupola e qiellit blu. Time Square u shndërrua në atdheun e flamujve dhe rikthimit të militarëve, infermiereve dhe ekuipazhit të luftës në shtëpinë e Paqes. U harruan Hiroshima dhe Nagasaki, sepse në mes të atij tymi gjigant që lëndoi syprinën qiellore, fitorja vlente më shumë se asgjësimi masiv. Paqja nuk erdhi. U imponua. E sollën ata që paqen nuk e panë kurrë.

Nga Suada HALILAJ

Ndërkohë në të gjitha sheshet, bulevardet, kryeqytetet e mundshme u bë festë. Bori glorifikimi, puthje kalimtarësh, buzëqeshje vesh më vesh përpara objektivit. Traktati dypalësh lajmëroi kapitullimin përfundimtar të kërcënimit japonez. Njerëzit u titulluan të ‘’lirë’’. Kinse të lirë. Barbarisht të lirë. Të mëdhenjtë firmosën dhe iu nënshtruan lirisë, sepse frika e përfshirjes në një hap më të madh se çdo lloj parashikimi, prapaskene apo komploti, ishte një pazar krejtësisht i paleverdishëm. Njerëzit e vegjël u ngopën me thërrime mikroskopike dhe vëmendja e tyre u ble sa hap e mbyll sytë. Por ama gjithçka kishte marrë një kah të pamenduar. Gjithçka ishte fundosur në errësirën e asaj që nuk shihej më. Sigurisht, tani fillonte rimëkëmbja, larja e hesapeve, dënimi i fajtorëve, shijimi i tortës territoriale dhe burgosja ne data historike, por për gjithë këtë triller bashkëjetese, strukej një gabim që nuk mund të kthente dot thembrat nga kishte vënë majat. Ekzistencializmi kishte rrokur kafshatën fatale. Zhvendosja e synimit kapërcente kontrollin. Dialogët, farsat, diplomacia dhe politika e ‘’shpëlashme’’ ishin të barasvlershme me një cent në kandarin e realitetit me fytyrë të zbathur. Jo vetëm që Amerika bëri të pashme ëndrrën dhe potencën e saj, por e leksionoi atë, e tashmë e drejta mbarte të njëjtin mbiemër. Të gjithë ishin të dënuar të jetonin nën tutelën e të gjithëve. Jo nga drejtësia, aq nga idealizmi i paqes e aq më pak nga e mira e përbashkët. Të gjithë vareshin nga të gjithë, vetëm për shkak të një fundi bashkërisht të konsumueshëm, të një fundi ku askush nuk do të donte të lëpihej në kurriz të tjetrit, sepse askush nuk do të mund t’i bënte ballë një shpërthimi mbipërmasor. Kështu fillon edhe riprodhimi i ‘’bagazhit justifikues’’. Akoma më i rëndë. Të fituarit dhe humbësit jo vetëm që vozitën në të njëjtën varkë, por edhe timonuan me duar të bashkuara. U panë keq u ndien keq, por nuk patën zgjidhje tjetër mbijetese. Një sërë strukturash, demek të rregullta, paguan tarifat e duhura, dhe jo vetëm kaq. Ëndrra vazhdonte pelegrinazhin e saj të përpiktëm duke u cituar në të gjithë tubimet e mundshme. Kjo nuk përjashtoi sigurisht konflikte të tjera kalimtarë dhe

ngelës. Do të ishte utopike të mos përgjohej asnjë ‘’kleçkë’’ tjetër. Në fund të fundit, kjo siguronte motorin qendror, atë që duhej të ushqehej më shumë, atë tek i cili ishte përqendruar masivisht interesi dhe besimi i pjesës tjetër të bastionit. Arkive. Dokumentarë. Filma shkencorë. Bishte të vërtetash sa andej-këndej. Por asgjë më shumë. Ajo që kishte ndodhur, kishte ndodhur dhe asnjë version kinematografik nuk do i zbriste numrat. Asgjë me shumë për tatëpjetën e historisë dhe shkëlqimin dyshues të laboruesve demokratikë. Një sipar i plusshëm. Pikë. Më duhet të theksoj, ardhur në këtë pikë e afruar fundit të arsyetimit tim shumë modest, që gjithsesi politika dhe ravijëzimi padronues i përpara 1945-s është i ndershëm. Sigurisht i shëmtuar, përçudnuar dhe diktatorial, por ama i ndershëm. Ajo që i mbeti kohës pas këtij cikli është cinizëm i gjallë. Një katarsje çmendurake drejt demokracisë dhe miliona togfjalësh të artikuluara rëndomtazi. Një bozë neveritëse këmbënguljeje për të ruajtur pa caktim çmimi, paktin vendimtar. Një demokraturë që nuk bën më luftë armësh, tankesh apo shifrash ushtarake, por një lojë të egër bixhozllëku, ku disa janë te denjë e meritojnë të jetojnë, të tjerë janë vetëm teprica, efekte anësore që u duhen eliminuar me çdo kusht, ose nuk mbahet e nuk jepet përgjegjësi për translokun e tyre final. Ja pse them se ‘’përpara’’ dhe ‘’pas’’ janë kaq miqësore në gjoks të njëra-tjetrës, sepse nuk notojmë në ujëra të qeta, të dallueshme, të arrira, por psikopatish të inventura në qëllime që s’na përkasin. Kështu në një paralel të fundmë lejomëni t’ju them, pa ligjërime parodike e aq më pak kallaballëk togfjalësh, se sikur Klara Hitler atë natë të kishte lindur vajzë, asgjë, asgjë nuk do të kishte ndodhur ndryshe. Janë një rang vazhdimësie. Nuk ka rëndësi nëse disa lindin ndryshe, ose nuk përcillen aspak në jetën e të gjallëve. Është mediokre vetëm ideja se fajet mund të vdesin në duart e një fallxhoreje. Nuk ka emra të përveçëm. Janë veçse pasues. Dikush i përket një kohe, tjetri një tjetre. Urdhëruesi, frika e një thike familjare pas kurrizi dhe ekzekutuesit janë të varur në të njëjtën gozhdë. Bien të tre. Qëndrojnë të tre. Është një skenë e lashtë sa arka e Noes, po kaq të thinjur jemi edhe ne me duartrokitjet, fishkëllimat dhe patrullat qarkulluese në citime kamuflazhesh. Ç’rëndësi ka nëse historia do të shkruhej me kapituj apo volume kur askush se njeh historinë?! Edhe ata që dikur e gdhendën me gjak, tashmë e kanë harruar. Historia s’na përket më. Është veçse një plaçkë e rëndë që dikur kemi mbathur. Mbesim gjithmonë te ‘’dikura’’. Historia nuk na përket. Historia u përket atyre që s’janë më. Kështu nëse 3 presjet që ju kërkova ishin shumë, zbuteni bujarinë tuaj. Po ju jap unë miliarda të tilla, vetëm gjeni pak kohë nga frenetizmi, që pa dyshim nuk e keni çuar asnjëherë në ekzorcizëm, dhe shfryni atë që dini. Ndaluni në të gjithë semaforët që hasni, në të gjitha piedestalet që nuk keni lëvruar asnjëherë. Ndaluni. Pushoni. Mbani mënd. Ata që janë më lart do të kuptojnë se tashmë ju po ulni pëllëmbët. Tashmë ju po shpërndaheni, po përqafoheni, po merrni hakun e një pritjeje robëruese Po dëgjoni Pink Floyd në kërcitje ritmike këmbësh e gishtërinjsh, sepse mjeshtëria e vërtetë nuk qëndron te revolucionizmi apo grushtet e shtetit, aq më keq luftërat civile dhe nacionalizmi shkallues. Arti njerëzor, ai i firmosuri me shkronja të sakta, bëhet ndryshe. Bëhet me dashuri. Ndërkohë kënga dhe menefregizmi juaj produktiv i ka lënë me gojë hapur, peshqit e pangopësisë. Ata po bien. Po rripen. Më në fund po rripen. Më në fund po njihen. Më në fund paqen e fituan të gjallët. Utopikisht!


Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.