Gazeta Metropol 26 Qershore

Page 20

20

« dossier

Nga Albert Kotini

N

(vijon nga numri i kaluar)

ë Shkup shqiptarët formojnë shumicën e popullsisë, kurse serbët në Prizren dhe bullgarët në Dibër përbëjnë një pakicë fare të vogël, të cilët në kohët e vona kanë filluar të shpërndahen nga tokat shqiptare të liruara. Pra, mania e serbëve që t’i mbajnë këto vende është krejt pa vend dhe sentimentale e bazohet te kujtimet e historisë së saj mesjetare. Nëse sllavët do të mbështeten te ndonjë perandori e largët në të kaluarën, shqiptarët mund t’u thonë se janë banorët më të vjetër të Ballkanit, shumë kohë përpara se ata të shkelnin këmbë në këtë siujdhesë. Të gjitha provat janë në favor të Shqipërisë.” (Besim Qorri, vep. cit.) Disa prova e fakte historike Nuk harrohet marrëveshja Jugosllavi-Turqi, ku u tërhoqën 230 mijë kosovarë, gjoja turq, të cilët banonin në Kosovë e Maqedoni. Përsëri elementi sllav i futur në Kosovë e Maqedoni është shumë i vogël në krahasim me atë shqiptar. Kështu edhe nga moszbatimi i reformës agrare (për motive të njohura) u kthyen përsëri në Shqipëri mjaft kosovarë e dibranë. Bullgaro-maqedonasit kanë origjinë të ndryshme dhe ndodhen më me shumicë në Maqedoni e në Jug të Kosovës. Infiltrimi i tyre në tokat shqiptare duhet të kërkohet në kohën e pushtimeve të carit të Bullgarisë dhe më vonë, gjatë sundimit turk në Ballkan. Ky element, duke qenë edhe më i fortë se ai serb, i ka qëndruar me forcë pushtimit turk dhe ka shkuar gjithmonë në harmoni me shqiptarin, duke pasur në çdo kohë marrëdhënie të përzemërta. E me të vërtetë, nuk janë parë ndonjëherë në histori ndërmjet elementëve dibranë e maqedonas luftëra dhe grindje në kohë të ndryshme, përkundrazi, miqësi e ballafaqim për çlirimin e përbashkët nga zgjedha turke dhe nga ajo serbe (e pse jo edhe greke). Një gjë e tillë i ka sjellë dëm çështjes shqiptare, pasi në saje të miqësisë ka përfituar elementi bullgar për të shtuar infiltrimin e tij ndër toka shqiptare, aq sa sot shohim me keqardhje të flitet së tepërmi bullgarishtja në disa nga viset tona dhe të banohen këto vende nga shumë syresh. Si shembull përmendim qytetin e Manastirit e të Prilepes, të cilët, ndonëse kanë qenë shqiptare dhe fshatrat që i rrethojnë, përsëri, të themi të vërtetën, popullsia e këtyre qyteteve është bullgaro-maqedonase. Elementi turk në Maqedoni pas pushtimit e sundimit gati 500-vjeçar nuk është autokton. Nga familje të vjetra turke, të ardhura prej kohësh në Shqipëri, ose nga ushtarë, të cilët pas luftimeve të zhvilluara këtu pëlqyen tokat tona pjellore më tepër se stepat e Anadollit. Feja myslimane bëri të përbashkët jetesën në harmoni dhe përzierjen dhe asimilimin e tyre me shqiptarët. Minorancë turke ka pasur në manastir dhe në Ohër, që merren me tregti. Mirëpo hilja jugosllave (serbe) ishte të rriteshin minoritarët turq, duke deklaruar më tepër sa ishin në fakt. Këtë e bënin për t’i emigruar si turq në Turqi nga Jugosllavia të kosovarëve e dibranëve si bujq e punëtorë krahu. Çështje tjetër kjo për t’u trajtuar për serbët, që donin të prishnin strukturën homogjene dibrane edhe në Maqedoni. Ka edhe elementë të quajtur “kucovllehë”, një popull nomadësh, kushtuar sidomos për blegtori, që ka emigruar në tërë viset e Ballkanit. Kucovllehët, njerëz të zotë në tregti, të zgjuar si jahudinjtë, janë përzier në punët politike të vendit ku kanë banuar, duke marrë pjesë vazhdimisht në punët qeveritare të shtetit. Megjithëse janë asimiluar me shpejtësi, përsëri kanë ruajtur dialektin e tyre, të cilin e flasin në familje. Në Kosovë e Maqedoni nuk e kalojnë (v. 1944) numrin 30 mijë dhe disa flasin gjuhën shqipe, pasi prej këtej kanë emigruar. Kjo minorancë nuk paraqet një karakter të vërtetë kombëtar, prandaj mund të jetojë me shqiptarët më mirë sesa me serbët.

E martë 26 qershor 2012 •

Agollët,

historia e Dibrës

Historia ka treguar se kucovllehët e Shqipërisë së vjetër, ashtu edhe ata që jetojnë në Kosovë e në Dibër, kanë jetuar dhe jetojnë gjithmonë në harmoni të plotë me shqiptarët më mirë se me çdo popull tjetër të Ballkanit. Është një popull minoriteti që nuk i ka sjellë ngatërresa vendit tonë, përkundrazi, e ka përkrahur me çdo mënyrë pavarësinë e Shqipërisë. Vetëm në raste manipulimi nga grekët e serbët janë bërë përpjekje për t’i hedhur në shërbim të interesave të tyre, por të marrë në tërësinë e tyre historike këto minoranca kanë gjetur një trajtim më të mirë se në çdo vend tjetër ballkanik. Shqiptarët e Kosovës, të Dibrës dhe të Maqedonisë në vitin 1944 përbënin më tepër se 1 milion banorë në viset e tyre Dihet që jugosllavët kanë spekuluar me statistikat, në veçanti me atë të vjetër turke, duke ngatërruar regjistrimin e popullatës të ishperandorisë në grupe myslimanësh, duke futur të gjithë shqiptarët. Mirëpo Komiteti Mysliman i Shkupit hartoi me kujdes një statistikë, duke veçuar myslimanët sipas kombësive. Komuniteti i Shkupit administronte 868 885 myslimanë me origjinë shqiptare, nga të cilët 412 ishin myftinj si dhe 135407 shtëpi myslimane. Ky dokument është botuar më 1937, ku përfshin të gjithë myslimanët e këtij juridiksioni. Kjo statistikë u përpilua me rastin e zgjedhjeve “Reis-yl-Ylema”-së në vitin 1937. Në këto shifra ka edhe elementë të minorancës turke e sllave të përzier me elementin shqiptar të fesë myslimane. Dibra ka 11 myftinj; 2277 shtëpi myslimane, 6441 meshkuj, 5816 femra (Σ=12257) shqiptarë. Ky komitet përpiloi në fillim një statistikë që u përkrah nga mijëra hoxhallarë ndër vise të ndryshme me shërbim fetar. Nga kjo shifër janë hequr 40 000 myslimanë me origjinë turke të ish-Jugosllavisë si dhe 50 000 myslimanë me origjinë sllave të Sanxhiakatit. Kështu që shqiptarët e të dyja feve, myslimane dhe katolike, arrijnë në numrin 828.885. Megjithëse kjo statistikë mbahej nga më të mirat për kompetencë, përsëri paraqet të meta, sidomos për sa u përket shqiptarëve me dy gjuhë (biling). Kjo arsye u dha shkas qeverive të Beogradit dhe të Ankarasë ta konsiderojnë këtë popullatë sikur është me origjinë turke. Si shembull paraqesim rajonin e Goras në krahinën e Prizrenit. Goranët, me origjinë të pastër shqiptare, përveç gjuhës së nënës, që është shqipja, flasin një dialekt sllav – dhe ky dialekt tjetër i përzier turqisht. Po kështu edhe disa katunde të Ohrit dhe të Strugës përveç gjuhës shqipe të familjes përdorin edhe maqedonishten. Ndër studiues të pranishëm për këto statistika përmendet autori bullgar Simeon Evtimof (dokumenti II), që e llogarit numrin e shqiptarëve në 700 mijë frymë1. Shkencëtari italian Enrico Aci Monforca (dok. III), ku shqiptarët arrijnë shifrën 700 mijë frymë [“Le minoranze nazionali contemplate dagli atti internazional” Valecchi, Firenze] Me një statistikë tjetër të Komunitetit Mysliman të këtij juridiksioni të Shkupit arrihet në shifrën 866.649 (dok. V) pa përmendur 90 mijë shqiptarë të tjerë me origjinë turke e sllave, si dhe 50 mijë shqiptarët katolikë. Përmendim dhe statistikat e legatës shqiptare në Beograd (dok.VI) ku shqiptarët myslimanë figurojnë 819 688, këtu futen edhe myslimanët turq si dhe sllavët e sanxhiakatit, kurse nuk figurojnë shqiptarët katolikë. Ana tjetër. Po paraqesim statistikën e parë jugosllave me karakter zyrtar, atë të Mbretërisë Serbo–Kroate–Sllovene më 31 janar 1921. Ky është botuar nga Drejtoria Shtetërore e Statisti-

kave në Sarajevë, “Drazavna Stamparia” në vitin 1924 (dok.VII). Në këtë statistikë në kolonën “Banorë me gjuhë të nanës shqipe” ky element figuron prej 441.740 frymë, kurse minorancat e tjera, me kombësi greke, turke, çifute, kucovllahe arrijnë numrin 201 300. Le të supozohet se është numri i vërtetë i shqiptarëve. Por lind pyetja: ku janë, atëherë, 250 mijë turqit që flisnin, turqit dhe serbët me këmbëngulje në kohën e traktatit të emigrimit të elementit kosovar? Pra, vetë kjo statistikë zyrtare jugosllave provon qartas tezën tonë se në Jugosllavi nuk ndodhen më shumë se 40 mijë turq. Pra, në kolonën “Minoranca të tjera” të statistikës në fjalë më shumë se gjysma e kësaj shifre formohej prej shqiptarëve, të cilët kuptohet se janë futur me qëllim të bëjnë pjesë në këtë kolonë. Kurse vetë gjysma tjetër që mbetet përbën elementët turq, grekë, çifutë, kucovllehë dhe jevgj. Këta të fundit arrijnë në numrin prej 300 mijë veta. Nuk duhet lënë në harresë fakti se kjo statistikë u përgatit prej autoriteteve jugosllave kur përndiqeshin prej tyre dhe këta, për t’i shpëtuar vuajtjeve, deklaronin se ishin turq e jo shqiptarë. Një statistikë po zyrtare e burimit nga kalendari mysliman i vitit 1934 (1352– 1353), botuar në Sarajevë, i llogarit shqiptarët në 517 470 frymë. Nga viti 1921 deri më 1932 u shtuan edhe 80 mijë veta më tepër. Autoritetet ushtarake austro-hungareze në kohën e pushtimit të tyre, ndonëse me mungesa, mund të cilësohen mjaft të saktë. Kuptohet që dëbimet malazeze e serbëve për shqiptarët përgjysmuan edhe popullsinë shqiptare, ndërsa numri i sllavëve mbeti po aq sa përpara Luftës Ballkanike. Statistika tjetër para vitit 1944, nga Instituti Hartografik i Sofjes, megjithëse e njëanshme, jep shumicën shqiptare edhe në Maqedoni. Pra, në dritën e dokumenteve të burimeve të huaja numri i shqiptarëve në Jugosllavi arrinte 900 mijë banorë, ku shumica banonte në Kosovë dhe të tjerët në Maqedoni e Mal të Zi. Vetëm në vitin 1945, kur kufijtë e atdheut tonë mbetën jashtë në Maqedoni e Dibër, pa qenë asnjëherë minoritet, u copëtua nga territori kombëtar. Ajo çka bie në sy është fakti se pas vitit 1912 infiltracioni sllav ka qenë shumë i fortë edhe në Maqedoni. Megjithatë, deri në vitin 1943 elementi shqiptar ishte superior dhe vetëm po të bashkoheshin serbët me maqedonasit mund t’ia kalonin shqiptarëve me një ndryshim shumë të vogël. Elementi shqiptar ka përbërë shumicën në Shkup, dhe kjo jo vetëm për qytetin, por në tërë katundet përreth që janë në rreze prek 8 km deri në Kumanovë, ku shumica dërrmuese është shqiptare. Sipas statistikave jugosllave të vitit 1921, rrethi i Shkupit kishte një popullsi më shumë se 50 mijë banorë, nga të cilët 24 299 figuronin si myslimanë, prej ku vetëm 18 032 frymë statistika i njihte për shqiptarofonë. Sllavët, të përbërë me dy komunitete: serbë e maqedonas, përsëri shqiptarët përbëjnë shumicën absolute, sepse statistika përfshinte në numrin e sllavëve dhe shqiptarët ortodoksë, shqiptarët myslimanë të sllavizuar si dhe serbët e ardhur nga tërë Jugosllavia për kolonizim. Autori i librit “Kosova - djepi i shqiptarizmit” (Hamit Kokalari, 1943) thotë: “Asht e tepër të shtojmë se numri i shqiptarëve prej 18 032 qëndron shumë larg realitetit, i cili pasqyrohet më mirë prej numrit 24 299 myslimanësh.” Dijetarët Gustav von Hahn dhe Ami Boué tregojnë realitetin. Autori tjetër francez, Gabriel Louis Jaray shkruan për shqiptarët në

veprën “L’Albanie Inconnue”, Paris 1913, f. 14 dhe 21 për Shkupin se: “Nga 45 000 banorë, 25 000 janë shqiptarë, 10.000 bullgarë ose 15 000, serbë 3000 dhe çifutë 2000.” Harta etnografike, e botuar në librin e dijetarit italian Almagia e fut qytetin e Shkupit brenda kufirit etnik shqiptar. Gjithashtu, një hartë tjetër e riprodhuar, në fq. 182 të po këtij libri dhe e nxjerrë nga libri “Makedonien” (Jena 1927, f. 157) e dijetarit gjerman Leonhard Shultc. Jena tregon katundet shqiptare të ndodhura rreth Shkupit dhe që në krahasim me numrin e katundeve bullgare dhe serbe përbëjnë shumicën absolute: 56 katunde shqiptare, kundrejt 15 katundeve bullgare, 9 serbe dhe 3 turke. Në vitin 1941 Shkupi rezulton të jetë shumë i favorshëm për elementin shqiptar, i cili zotëron në mënyrë të padiskutueshme një shumicë dërrmuese në Shkup, në Kumanovë, në Preshevë dhe në Kaçanik, domethënë në zonën e ndodhur në perëndim të lumit Pcinja. Ndërsa në vitin 1941 gjendja etnografike e Shkupit është paraqitur sipas interesave të shtetit që e okuponte, duke maskuar realitetin. Që kur iu aneksua Shkupi Serbisë, elementi serb filloi të bëjë një invazion të vërtetë në qytet, ku arriti të ketë një shumicë të rëndësishme. Megjithatë, në këtë vit (1943) në qytet mbetën 30 000 banorë shqiptarë, kundrejt një pakice maqedonase e sllave; të tjerët arrijnë numrin 15 000 veta.”2 Numri i bullgaro-maqedonasve që mbetet brenda kufirit shqiptar dhe andej kufirit me shqiptarët, me Shkupin shqiptar, që i bie rasti të mbetet me bullgaro-maqedonas, kapin një shifër afro 100 mijë veta. Siç shihet, ndryshimi i kësaj shifre me atë të bullgaro-maqedonasve brenda kufijve tanë është i pakët. “Në krahinën e Dibrës së Sipërme gjinden 9800 bullgarë e mezi 8000 serbë kundrejt 35.000 shqiptarësh e në Rekë 700 bullgarë kundrejt 17 000 shqiptarësh.”3 “Në Tetovë, përpara luftërave, nga 5000 shtëpi gati 3000 ishin shqiptare, 1200 serbe e 800 bullgare. Mbas lajmeve të mbledhura këtu, mbi 100 fshatra 68 janë shqiptare dhe teprica bullgare e serbe. Në krahinën e Gostivarit, në mbi 60 katunde 40 janë shqiptare, të tjerët bullgare e disa serbe.”4 “...Udhëtari që vjen prej qendrës së Shqipërisë, domethënë nga Elbasani, e që shkon në Ohër, i gjen vendasit bullgarë t’ishulluem në mes të një fushe shqiptare... Qyteti (Struga) përbëhet prej dy lloj popullsish (shqiptarët e bullgarët), por fusha përqark është krejt shqiptare, deri në Ohër.”5 Pra, elementi shqiptar që banon në Kosovë dhe ndër viset e tjera të Veriut, në Dibër dhe në Maqedoni, arrin më tepër se 1 milion shpirt dhe formon një grup etnik kompakt, që predominon mbi ato pakica sporadike, të cilat shkrihen në gjirin e thellë të detit shqiptar. Kështu flasin dokumentet e kësaj çështjeje në vitin 1943, sepse deri në vitin 2000 statistikat janë krejtësisht të manipuluara nga institucionet e ish-Jugosllavisë dhe nuk ia vlen të demaskohen deformimet e njohura politike pa asnjë bazë shkencore. Sa për shprehjen “Stara Serbija”, që serbët e përdorën zakonisht për të quajtur kështu Kosovën, duhet theksuar se ajo shprehje nuk ka asnjë bazë historike dhe se serbët e kanë shpikur vetë nga mesi i shekullit XIX, për t’u shërbyer më mirë qëllimeve të tyre ekspansioniste në dëm të Shqipërisë. Këtë praktikë kanë përdorur edhe bullgarët në propagandën e tyre me fjalën “Maqedoni”, e cila ka mbetur si një shprehje gjeografike që nga koha e vjetër, kurse ata e kanë paraqitur Maqedoninë si një tokë irredente bullgare, pa marrë parasysh ekzistencën e elementeve etnike të tjera. (vijon numrin e ardhshëm) 1. Simeon Evtimof, drejtor i gazetës “La Macedoine” të Gjenevës. 2. Hamit Kokalari, “Kosova - djepi i shqiptarizmit”, 1943, f. 42. 3. Gaetano D’Aragona, konsull i Italisë në Manastir më 1902. 4. Jaray, “L’Albanie inconnue, 1913”. 5. “Shqipnia përpara Konferencës së Paqes”, botim i parë, fq. 23.


Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.