3 minute read

Letërsia shqipe në Malin e Zi ka krijuar profilin e saj

“Prozat e shkrimtarëve të përfaqësuar në antologji kanë refleksione nga folklori dhe traditat zakonore shqiptare dhe sigurisht nga mjedisi shqiptar. Në to ndihet jehona e letërsisë realiste, e gërshetuar me rrëfimin folklorik dhe etnografik për të përmbushur funksionin e ruajtjes së identitetit shqiptar. Duket sikur kjo është një lloj vetëmbrojtjeje për të ruajtur identitetin kombëtar, por edhe për t’u distancuar nga tjetri, fenomen ky që do të kërkonte një studim më të thellë në rrafshin antropologjik dhe kulturor”, ka thënë studiuesi i letërsisë Prof. asoc. Dr. Arben Prendi

Pas Podgoricës dhe Ulqinit, antologjia e prozës së shkurtër e shkrimtarëve shqiptarë në Malin e Zi “Të gjithë tanët”, e botuar pak kohë më parë nga Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave të

Advertisement

Malit të Zi, është përuruar të enjten (13 prill 2023) në Bibliotekën e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.

Për vlerat e antologjisë kanë folur Prof. asoc. Dr. Arben Prendi, Dr.

Gëzim Puka, redaktori Ismet Kallaba dhe drejtori i Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave të Malit të Zi, Salko Luboder. Në vështrimin e tij, studiuesi i letërsisë Arben Prendi ka thënë se prozat e shkrimtarëve të përfaqësuar në antologji kanë refleksione nga folklori dhe traditat zakonore shqiptare dhe sigurisht nga mjedisi shqiptar. “Në to ndihet jehona e letërsisë realiste, e gërshetuar me rrëfimin folklorik dhe etnografik për të përmbushur funksionin e ruajtjes së identitetit shqiptar. Duket sikur kjo është një lloj vetëmbrojtjeje për të ruajtur identitetin kombëtar, por edhe për t’u distancuar nga tjetri, fenomen ky që do të kërkonte një studim më të thellë në rrafshin antropologjik dhe kulturor. Do të kishte qenë me interes përfshirja këtu e ndonjë proze ku rrëfehet për marrëdhëniet jetësore mes shqiptarëve dhe malazezëve, në të kaluarën apo në të tashmen”, është shprehur ai.

Dr. Gëzim Puka ka theksuar se përmes kësaj antologjie prezantohen vlerat estetike të prozës shqipe të disa autorëve kryesorë bashkëkohorë dhe se letërsia shqipe në Malin e Zi e ka krijuar një profil të sajin, që ruan ngjyrat lokale, pa u ndikuar shumë nga letërsia që bëhet në Tiranë apo në Kosovë.

“Vlerat e këtij libri ia shton edhe përkthimi në ‘nashke’, domethënë në gjuhën e Malit të Zi, në gjuhën e fqinjëve tanë të moçëm. Shkrimtarët e përfshirë në këtë antologji tingëllojnë mjaft mirë si në tonën gjuhë shqipe, ashtu edhe në nashken e Malit të Zi, duke ngritur kështu plot ura estetike, që janë paraprijëse të paqes dhe komunikimit shpirtëror mes popujve”,

Studiuesi Dr. Gëzim Puka ka theksuar se përmes kësaj antologjie prezantohen vlerat estetike të prozës shqipe të disa autorëve kryesorë bashkëkohorë dhe se letërsia shqipe në Malin e Zi e ka krijuar një profil të sajin, që ruan ngjyrat lokale, pa u ndikuar shumë nga letërsia që bëhet në Tiranë apo në Kosovë ka thënë ai.

Redaktori i antologjisë Ismet Kallaba ka thënë se përzgjedhja e autorëve të përfshirë në antologji është bazuar krykëput në kriterin estetik. “Ata u përkasin brezave të ndryshëm. Krahas autorëve të afirmuar në rrafshin mbarëkombëtar e më gjerë, siç janë shkrimtarët - akademikët Rexhep Qosja, Zuvdija Hoxhiq, Mehmet Kraja, apo shkrimtari për fëmijë Hajro Ulqinaku, ka edhe një grup autorësh që krijojnë në vendlindje apo në diasporë (Asllan Bisha, Ibrahim Berjashi, Fran Camaj, Muzafer Çaushi, Jaho Kollari, Anton Gojçaj, Mark Pashku Lucgjonaj). Pavarësisht vendit se ku jetojnë dhe veprojnë, ka diçka të brendshme që i lidh të gjithë këta autorë. Duket se vendlindjen e kanë bartur me vete, nga e marrin frymëzimin dhe brumin për krijimtarinë e tyre. Ajo është e pranishme pothuajse në krijimtarinë e gjithësecilit përmes mjedisit, personazheve, temave, ngjarjeve…”, ka theksuar ai. Drejtori i Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave,

Salko Luboder, ka thënë se veçoria themelore, njëkohësisht edhe vlera më e dallueshme, është se antologjia paraqitet në një botim dygjuhësh, respektivisht në gjuhën shqipe dhe malazeze.

„Qëllimi i antologjisë është të prezantojë pasurinë shpirtërore të Malit të Zi duke qenë se kultura dhe arti që krijojnë pjesëtarët e popujve pakicë të vendit tonë janë pjesë e së mirës së përbashkët kulturore dhe artistike të Malit të Zi, njëkohësisht duke mos i ndarë nga letërsia dhe kultura e tyre nacionale“, ka theksuar ai.

Gjatë përurimit janë lexuar fragmente nga prozat e disa prej autorëve të përfshirë në antologji.

Në përurim kanë marrë pjesë pedagogë dhe studentë, krijues nga Shkodra, adhurues të letërsisë etj. Përurimi është organizuar nga Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave në bashkëpunim me Departamentin e LetërsisëFakultetin e Shkencave Shoqërore të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. i. k.

This article is from: