1 minute read

Veshja shekullore e Malësisë së Madhe

Veshja e malësorit të Malësisë së Madhe është pjesë e etnokulturës së popullit shqiptar të Shqipërisë së Veriut, e cila pasqyron identitetin dhe vazhdimësinë e veshjes ilire dhe askush më me xhelozi nuk e ka ruajtur e kultivuar nga gjenerata në gjeneratë se sa Mali i Hotit. Malësori ka fond të pasur dhe të lloj-llojshëm të veshjeve, që për autorin ky numër është i njohur, sepse si fëmijë dhe i ri ka përjetuar e mbajtur mend mirë veshjet e përditshme të malësorit dhe malësores. Kjo veshje për meshkuj dhe femra është prerë, qepur e përfunduar nga malësoret, meqë kjo ka qenë pjesë e obligimeve familjare për të veshur anëtarët e familjes. Të gjitha malësoret në Malësi të Madhe kanë pasur aftësi dhe shije artistike për prerjen, qepjen, thurjen dhe dekorimin e veshjes, duke iu përmbajtur modelit të trashëguar, por edhe duke futur elemente të reja, pa prishur bazën dhe origjinalitetin. Një grup femrash janë dalluar për aftësi, shije dhe krijim të elementeve artistike. Mjafton t’i bëhet një vizitë Muzeut Etnografik, Fototekës, Bibliotekës dhe Filatelisë së Malësisë së Madhe, me seli në fshatin Lekaj, Mali i Grudës. Aty ruhen veshje kombëtare femrash dhe meshkujsh të moshave të ndryshme të Malësisë së Madhe.

Veshja në këto male deri sot e ka ruajtur origjinalitetin e vet. Materiali punues i veshjes së malësorit me shekuj ka qenë leshi e lëkura e deles. Me zhvillimin e ekonomisë, manifakturës dhe industrisë, janë futur edhe tjera lëndë të para për pamjen, qepjen dhe dekorimin e veshjes së femrave, sipas grupmoshave. Ndryshon lënda e parë edhe për veshjen e meshkujve, por gjithmonë si për meshkuj, ashtu edhe për femra është ruajtur struktura dhe origjinaliteti. Veshja në Malësi të Madhe ka qenë e ndarë sipas gjinisë dhe grupmoshave. Në vijim do të flitet për veshjen e femrës (vajzës, nuses, femrës së pjekur, vejushës dhe plakës).

Advertisement

I. Veshja e femrave malësore

1. Veshja e vajzave Veshja e vajzave ka qenë e thjeshtë dhe pa dekorime. Vajza në kokë ka mbajtur shaminë e bardhë pa zbukurime, ndërsa kur ka pasur vdekje të të afërmit, ka mbajtur shami me ngjyrë të zezë. Parzmën e ka mbuluar me grykcë. Ajo ka qenë e punuar nga shajaku i bardhë me spik të zi në katër qoshe dhe shtrat të saj. Ka pasur xhubletë prej shajakut të bardhë, pa zbukurime. Shtrati i xhubletës ishte i bardhë, i ndarë në mënyrë harmonike me spik të zi. Xhubleta e mbulonte trupin e vajzës nga beli deri në gjunjë. Vajzat mbathshin çorapë të bardhë, të bërë (thurur) me gjilpërë (grep). Dominonte peri i bardhë, por përdorej dhe peri me ngjyrë të zezë, për të krijuar rreshta (rrathë) në dis- tancë rreth 5cm nga pjesa e epërme deri në shputë. Shputa nuk zbukurohej.

This article is from: