2 minute read

Veprimtari e trashëgimisë kulturore në Harvard

Në Universitetin e Harvardit, Kembrixh - SHBA, më 28 mars 2023, epikologu i mirënjohur shqiptar, Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri, mbajti ligjëratën “Eposi i Kreshnikëve - thesar monumental i trashëgimisë kulturore shqiptare: Projekti E5”. Aty u përurua edhe antologjia shqip e anglisht “Wild Songs, Sweet Songs, the Albanian Epic” (Këngë të egra, këngë të ëmbla), botim i Harvardit, 2021.

Në kuadër të ligjëratës për Eposin e Kreshnikëve, epikologu

Advertisement

Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri foli për pikat kryesore të Projektit

E5 në pesë shtete të Ballkanit: kohën e realizimit (2012-2016), vendet e kërkimit, qëllimin, evidentimin e 148 lahutarëve dhe 197 jolahutarëve në 374 vendbanime të Gadishullit Ilirik ose Ballkanik, metodologjinë e kërkimit dhe rezultatet: 502 këngë të shkruara me 114.016 vargje, si dhe mbi pesë mijë minuta inçizime me kamerë nga Baton Z. Neziri, legjendaritetin, mitikën e fantastikën, temat e motivet, personazhet, rëndësinë e rezultateve për UNESCO, vlerësimet, çmimet, përfundimin. Antologjia shqip e anglisht “Wild Songs, Sweet Songs, the Albanian Epic” (Këngë të egra, këngë të ëmbla), është projekt i hershëm që epikologu, Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri e ka propozuar në emër të Institutit Albanologjik të Prishtinës më 2002. Përgatitja për shtyp u krye nga autori Neziri dhe profesor Nikolla Skaldaferi, Xhon Kosti, Viktor Fridman. Është botim i parë në gjuhën shqipe nga Universiteti i Harvardit në Kembrixh, që nga themelimi i tij para rreth katër shekujve. Meritë kanë edhe profesorët: Stefan Mishel, Gregori Nagi, Kejsi Due, Dejvid Elmer. Ky libër me 12 këngë është përzgjedhje këngësh epike e lirike shqiptare të koleksioneve të viteve ’30 të Milman Paritt e Albert Lordit, nga rapsodët: Salih Uglla (2), Fatime Biberi (3), Gjergj Pllumi, Marash Nika, Sokol Martini, Ali Meta (2), Adem Brahimi, Rexhep Zeneli. Për përgatitjen e librit dhe për rëndësinë e tij folën edhe N. Skaldaferi, Milano (nga largësia) dhe D. Elmer, Harvard.

Me praninë e tyre në këtë veprimtari të trashëgimisë sonë kulturore, na nderuan shumë edhe profesorët e këtij universiteti: Dejvid Elmer, jashtëzakonisht me merita për realizimin e këtij projekti botues, thekson autori i librit dhe ligjëruesi, Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri dhe shton se si është drejtor i Studimeve Universitare të Departamentit të klasikës dhe kurator i koleksionit të M. Perit, si dhe Stefan Mishel, profesor i skandinavishtes dhe i folkloristikës, drejtues i Komitetit të Folklorit e Mitologjisë.

Ligjërata për Eposin e Kreshnikëve dhe përurimi i librit në këtë universitet me famë botërore, u shoqëruan me lahutë nga Isa Elezi, konfirmon Neziri, duke shtuar se këtë veprimtari e organizoi kryesia e Shoqatës së Studentëve Shqiptarë të Harvardit: Faton Limani, Gred Braho, Kristina Pema. Kjo veprimtari u përkrah edhe nga Ministria e Kulturës së Kosovës, ministri, z. Hajrulla Çeku, dhe nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Uashington, z. Ilir Dugolli, të cilët së bashku me studentët e Harvardit, i falënderoi përzemërsisht ligjëruesi dhe autori i librit të përuruar, epikologu Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri.

This article is from: