1 minute read

Ju jeni krenaria ime

Nuk ka lumturi më të madhe për prindërit se fëmijët e tyre të shëndetshëm dhe të edukuar mirë, të sjellshëm dhe të dobishëm për veten, familjen dhe shoqërinë. Shumë i lumtur jam edhe unë për pinjollët e mi, të gjithë mirë dhe të arsimuar. Tani ata janë të pavarur dhe punojnë e ushtrojnë karrierat e tyre me shumë sukses në fusha të ndryshme, kryesisht në arsimin e lartë. Dhe, si i moshuar që jam, shpesh reflektoj e flas me vete: -Unë, Prof. Dr. Hajrullah Koliqi, bashkë me bashkëshorten time, rritem dhe edukuam katër trashëgimtarë, të gjithë me arsim universitar, tre prej të cilëve doktorë shkencash:

Rozafa (Farmaci), Kushtrimi (Art dhe kulturë) dhe Donika (Edukim). Kështu në familjen time u bëmë katër doktorë shkencash. Tani jemi kolegë dhe mësojmë nga njëri-tjetri. Nëse është e vërtetë se fëmijët janë pasqyra e prindërve të tyre, atëherë pasqyra ime është një mrekulli për lakmi! Kështu, ne së bashku i hodhem themelet e një tradite të mirë familjare (arsimore dhe shkencore). Dhe, duke iu referuar thënies hebraike “Kur ti mëson djalin tënd, ti mëson djalin e djalit tënd”, unë uroj që kjo traditë akademike e familjes sime të vazhdojë dhe të pasurohet edhe më shumë në brezat që vijnë!

Advertisement

Jam krenar me ju, të dashurit e mi, që morët rrugën e dijes dhe deri tani ia dolët në mënyrë të shkëlqyer. Mua më keni gëzuar pa masë dhe ma keni rinuar e zbukuruar pleqërinë.

Shkas për hartimin e kësaj skice të shkurtër ishte mbrojta publike e disertacionit të doktoraturës nga Donika dhe fitimi i titullit akademik Doktor i shkencave të edukimit, më 12 prill 2023. Familjarisht e përgëzojmë Donën tonë për suksesin e arritur dhe i urojmë fat, mbarësi dhe suksese të tjera në jetë dhe në karrierën e saj akademike!

Hajrullah Koliqi

This article is from: