Revista: Dielli Demokristian - Nr 43

Page 32

Revista DIELLI DEMOKRISTIAN

Nr. 43: Vjenë, dhjetor 2020

Prof. Dr. Lush Culaj, Prishtinë

Çështja e Kosovës në Kuvendin e Shqipërisë në vitët e para të funksionimit

Kuvendarët shqiptarë

Lajmet mbi politikën e dhunës të qeveritarëve serbë në Kosovë prekën thellë ndjenjat e popullit shqiptar në Shqipëri dhe shkaktuan një shpërthim të fuqishëm zemërimi. Në mbështetje të vëllezërve të tyre u ngritën dhe protestuan edhe deputetët e Kuvendit Shqiptar, që në atë kohë quhej Këshill Kombëtar1. Që ditën e hapjes së të parit Kuvend shqiptar në Tiranë, më 27 mars 1920, deputetët (apo senatorët si quheshin atëherë) shprehën hidhërim të thellë, sepse dy pjesë të Shqipërisë , Kosova dhe Çamëria nuk i kishin përfaqësuesit e tyre në Këshillin Kombëtar.2 Sigurisht që vënia në dukje e kësaj mangësie ua kujtonte edhe njëherë atyre dhe gjithë shqiptarëve detyrën e vijimit të përpjekjeve për çlirimin e trojeve shqiptare. Në Kuvendin Shqiptar vend të rëndësishëm do të kishte trajtimi i çështjes shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë. Këshilli Kombëtar i vitit 1920 e kundroi problemin kombëtar në gjithanshmërinë e çështjeve, duke e vlerësuar shqiptarizmin e treguar nga shqiptarët e Kosovës në Lëvizjen Kombëtare. Mirëpo, në qoftë se në vitin 1920, për shkak të rrethanave dhe zhvillimeve politike që përmenden më lart, Kuvendit iu desh që ta përqendrojë vëmendjen më shumë në probleme të ndërtimit shtetëror, të çlirimit të krahinave të pushtuara dhe të dëbimit të okupatorëve të huaj, në vitin 1921 këto probleme ishin zbutur. Kjo i krijoi parakusht Kuvendit të vitit 1921 dhe 78 deputetëve të tij të përqendroheshin më shumë te problemi kombëtar. Këshilli Kombëtar në pjesën e parë të prillit të vitit 1921 diskutoi mbi mizoritë që po i bëheshin popullit shqiptar të Kosovës. Me këtë rast deputeti Rexhep Mitrovica

1

Parlamenti në kuptimin e vet etimologjik nënkupton institucionin politik në të cilin shqyrtohen apo diskutohen çështjet e ndryshme. Emërtimi i tij rrjedh nga fjala latine parlare, që nënkupton të folurit apo diskutimin. Në kuptimin politik parlamenti nënkupton trupin përfaqësues politik, i cili ushtron funksionin ligjdhënës si një nga shtyllat kryesore të qeverisë së pushtetit shtetëror. Arsim Bajrami, “Teoria dhe praktika parlamentare”, Prishtinë, 1997, fq.79. 2 Hysen Kordha, “Pikëpamjet e deputetëve të Tiranës në parlamentin e parë pluralist shqiptar dhe të qytetarëve tiranas për çështjen kombëtare shqiptare gjatë periudhës 1920-1924” , dorëshkrim, fq. 2.

32

theksoi: "Parlamenti i prekun prej mizorinave që po i bahen popullit shqiptar jashtë kufijve tonë, kërkon që t'iu lutet me telegram të gjithë shteteve, që të marrin masat e nevojshme për të marrunit fund të këtyne mizorinave".3 Ai do të kërkojë që të dërgohet një delegacion i Kuvendit në Kuvëndet e shteteve të mëdha për të kërkuar të drejta për shqiptarët. Për deputetin Luigj Gurakuqi mizoritë që po bëheshin mbi vëllezërit kosovarë mbulonin me zi zemrat e të gjithë shqiptarëve, ndaj pajtohet me mendimin e kolegëve për dërgimin e një grupi të Kuvendit në Evropë për t’u ankuar. 4 Deputeti Sejfi Vllamasi shprehu mendimin se asnjë shqiptar nuk mund t'i durojë më këto mizori, andaj kërkoi nga Qeveria që të ndërmerren masat e nevojshme për mbrojtje të vëllezërve të mbetur jashtë kufijve të vitit 1913, që është komfor parimeve të Lidhjes së Kombeve.5 Shkaqet pse Qeveria shqiptare nuk mund të ishte aq këmbëngulëse në mbrojtjen e vëllezërve jashtë kufijve, deputeti Mustafa Kruja i shihte në shkaqet që Shqipëria nuk ishte ende e njohur ndërkombëtarisht. 6 Në diskutimin e vet, deputeti Gjergj Fishta mbështet angazhimin për mbrojtjen e vëllezërve të Kosovës. Në mbledhjen e Kuvendit të datës 14 maj 1921, Hasan Prishtina kërkoi nga Kuvendi që t'i sugjerojë Qeverisë që të përkujdeset për shqiptarët që ndodheshin jashtë Shqipërisë.7

3

Bisedimët e Këshillit Kombëtar në vijim BKK, prill 1921, fq. 162. 4 Po aty. 5 BKK, prill 1921, fq. 167. 6 BKK, prill 1921, fq. 170. 7 BKK, 14 maj, 1921 fq. 40.


Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.