4 minute read

INTERVISTAT Don Pren Kola, ish meshtar në Vjenë

Intervistat

Intervistë e shkurtër me Don Pren Kolën, ish-meshtar në Vjenë

Advertisement

Don Pren Kola

Kush është Don Pren Kola, një biografi e shkurtër juaja.

Don Pren (Prend) Kola lindi më 10 shtator 1966 në fshatin Bec, komuna e Gjakovës, Kosovë. Gjimnazin klasik e mbaroi në Suboticë, Vojvodinë. Studimet filozofike e teologjike i kreu në Zagreb, mbas të cilave u shugurua prift më 5 shtator 1992 në Bec. Për njëzet vjet të meshtarisë shërbeu si kapelan në famullinë e Velezhës, Novo Sellës dhe si famullitar në Doblibare dhe Zllakuçan, si at shpirtëror i shqiptarëve në Austri, me qendër në Vjenë, si dhe në Çeki, Sllovaki, Hungari dhe Norvegji. Deri tani ka botuar libra autoriale, përkthime dhe artikuj shkencorë me karakter teologjik, meditativ dhe poetik në shtëpitë botuese “Drita” dhe “Fjala Hyjnore”, si dhe në të tjera.

Keni udhëhequr Misionin Katolik Shqiptar në Austri (MKShA) për katër vite (20082020), çfarë kujtime bartni nga ajo kohë?

Ishte koha e artë e meshtarisë sime. Koha kur më shumti shkrova dhe lexova pranë shumë udhëtimeve për shkaqe pastorale e baritore brenda dhe jashtë Austrisë.

Koha e artë e meshtarisë sime

Si ishin të organizuar shqiptarët në Austri në atë kohë?

Organizimi dhe aktivitet që unë gjeta aty të bëra më parë nuk ishin edhe të vogla, por kam bindje që në bashkëpunim me aktivista që posa kishin ardhur në Vjenë dhe studentë të shumtë që po studionin aty është shtuar gjallëria e aktiviteteve fetare, kombëtare dhe kulturore.

Cilat ishin aktivitetet kryesore të MKShA me komunitetin?

Është e vetëkuptueshme, mbajtja në formë shpirtërore e komunitetit së pari, forcimi i atdhedurisë më saje të aktiviteteve kulturore me fëmijë, takimet e shpeshta me studentë dhe intelektualë që tashmë ishin aty dhe të tjerë që po studionin, si dhe koncertet me qëllim të njohjes më të mire të përbashket dhe bashkëpunimit me shoqata të tjera kulturore që tashmë ekzistonin aty.

Pas Vjenës u caktuat po ashtu meshtar në Zvicër, cili ishte dallimi mes këtyre dy vendeve?

Dallimi në shërbim nuk isshte i madh, por Vjena frymonte më shumë aktivitete kulturore, ndonse me grupe të vogla shpeshherë, por permament dhe me qëllim të mirë, thjesht dendësinë e kulturës shqiptare dhe integrimin në shoqërinë dhe kulturën vendore pa humbur cilësitë që kishim sjellë me vete.

Tani shërbeni si misionar në Kanadë. Si është jeta në këtë shtet dhe sa e madhe është bashkësia shqiptare atje?

Këtu jam i rrethuar me shumë intelektualë, punëmarrës, biznismenë të fortë dhe puntorë të shquar. Shqiptari këtu i jep shpejt fund varfërisë. Cilësohet nga dorëdhania dhe gatishmëria për të ndërtuar të ardhme intelektuale për fëmijët. Shumica vinë nga Shqipëria. Jemi bashkësi me rreth 400 familje të krishtera dhe po bashkojmë lekë për të ndertuar një kishë në vete. Donatorë kemi dhe shumë shqiptarë që janë ortodoksë dhe islamë nga Kosova dhe Shqipëria

Don Pren, ju njiheni edhe si publicist dhe poet, cilat janë veprat tuaja më të reja?

Veprat e mia autoriale janë këto: Para Fjalës së amshuar (përsiatje poetike, 1993); Nënë Tereza, Jezusi – dashuria ime (meditime dhe lutje, 1993; Jezu Krishti e Vërteta për të gjithë (shqyrtime teologjike, 1994); Nënë Tereza. Një jetë për të tjerët (meditime, 1997); Nënë Tereza në fotografi dhe fjalë (meditime, 1999); Festat e Marisë gjatë vitit kishtar (të dhëna, meditime, lutje, 2003);Nënë Tereza (dëshmi, kujtime, mendime, mbresa, 2004); Gjurmë të Krijuesit (vjersha për femijë, 2004); Shprehja e besimit dhe nderimit ndaj Eukaristisë (thënie dhe udhëzime, 2007); Una santa albanese di nome Madre Teresa (Milano: D’Agostino, 1999; përkthim i librit Nënë Tereza. Një jetë për të tjerët (1997); T’i përgjërohemi Hyjit: Lutje, himne, litani (Prishtinë: 2008); Lutjesore: Që familjet tona ta mësojnë dhe thellojnë besimin, (Prishtinë-Vjenë: 2009); Alfabeti i Nënë Terezes: Përsiatje dhe sugjerime (Prishtinë-Vjenë: 2010); Lutjet themelore të të krishterëve. Një shpjegim i shkurtër që së bashku në familjet tona të thellohemi në fe, shpresë dhe dashuri të Krishtit (Prishtinë: Drita, 2010); Kryqi: Shenja e papërmbysur e fitores së përkryer (PrishtinëVjenë: 2011); Kremtimi i Meshës. Festa e Dashurisë, e Paqes, e Pajtimit (Prishtinë: Drita, 2013); Kremtimi i Meshës. Shenja, vende dhe ngjyrat liturgjike. Prishtinë: Drita, 2013).

Revista jonë ‘‘Dielli Demokristian‘‘, për të cilën ju keni shkruar disa artikuj, botoi nunrin e saj të parë në qershor të vitit 2010, në kohën kur ju ishit në shërbim në Vjenë. Cila do të ishte porosia juaj për lexuesit tanë?

Kam respekt për ata që e filluan dhe qendruan kaq gjatë. Ka shumë revista dhe periodikë anekënd botës ku jetojnë shqiptarët, por ato shpesh shuhen shpejt dhe humbin në cilësi dhe bashkëpunëtorë. Dielli Demokristian nuk e ka humbur asnjë rreze. Shtizat e veta i ka drejtuar gjithandej diasporave tona dhe është ngrit në revistë që të merr ëndja ta lexosh. I uroj shumë suksese stafit të botimit dhe bëj thirrje që të lexohet.