Revista Mapo

Page 22

Dorëshkrimi toni të portës hyrëse. Pati hamendje sikur ishte makinë-bombë e mbushur me tritol. Trupat speciale e kontrolluan dhe nuk gjetën gjë prej gjejë. Garda e kontrollonte plotësisht territorin dhe situatën. Por nga urrejtja që ishin qëlluar me gurë, apo nga frika, teksa e mendonin taktike dhe të përkohshme tërheqjen e demonstruesve të kreut, apo kushedi për çfarë arsye tjetër, gardistët e njësisë speciale të grupit të zjarrit, ca në këmbë e ca të pozicionuar, kishin filluar të hapnin zjarr. Ne i ndjenim që nga hyrja e parkut “Rinia” breshëritë e shkurtra dhe të gjata të automatikëve. Nuk mund ta kuptonim prej aty ku ishim çfarë po ndodhte. Ngjarjet e mëdha ishin ngjizur gjithnjë përgjatë një fraksioni të vogël, të ngjeshur e të errët kohe, ku përmblidhej përpjekja dhe thirrja finale e çlirimit. Kështu kishte ndodhur kur një grusht njerëzish kishin rrëzuar monumentin e Enver Hoxhës në sheshin “Skënderbej”. Ndoshta diçka e ngjashme po ndodhte edhe tani. Ne flisnim për përmbajtje për të qenë brenda, si politikanë të demokracisë, por populli mund ta kalonte vërtet opozitën e tij. Nuk ishim në gjendje të dallonim a ishin fishekë luftarakë, plumba gome apo edhe ashtu edhe kështu, ato që po shkreheshin dyqind metra larg nesh, në thellësi të një mase tashmë të shkrifët njerëzish, që ndante vendqëndrimin tonë nga ndërtesa e Kryeministrisë. Por nuk dyshonim atëbotë se Garda po qëllonte në ajër. Në vështrimin tonë ishte një gjest i pakuptimtë, sa kohë që demonstrata po shpërndahej. Megjithatë, ndoshta dikush kishte nevojë të tregonte trimëri, ndonjë burracak kishte nevojë të mburrej. Pa përjashtuar tjetrën: atyre që në krye të herës kishin hedhur mbi demonstratën “parfumin” mbytës të gazit lotsjellës, u shijonte ta mbyllnin atë dafrungë me aromën e barutit. Për të ekspozuar kësisoj forcën e pathyeshme të shtetit përballë forcës së thyeshme të opozitës. Mirë. Le të kënaqeshin ashtu. Veç të mos urdhëronin uljen e grykave të armëve në lartësinë e trupit të njeriut. Por armët që kishin qëlluar në ajër në momentet e tensionuara të demonstratës, papritur do të uleshin në lartësinë e trupit të njeriut, kur demonstrata po shkrifërohej e po shkrehej dhe para Kryeministrisë kishin mbetur aq njerëz sa në boshllëqet e krijuara mund të hidhje valle. Tre demonstrues u vranë njëri pas tjetrit në ato sekonda fatale: Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj. I katërti, Aleks Nika, u godit për vdekje dhe do të ndërronte jetë pas dy javësh në një spital të Stambollit. Vrasja e Ziverit nga shefi i shtabit të njësisë speciale (Grupi i zjarrit), Agim Llupo, u filmua live nga kamerat e televizionit News24. Gardisti me një fytyrë prehistorike eci dy-tre hapa duke qëlluar sikur po i bënte nxemje automatikut të tij, pastaj u pozicionua në një si gropë para një parvazi të bodrumit të Kryeministrisë. Prej atje u pa të merrte shenjë dhe të hapte zjarr në drejtim të një mesoburri rreth të dyzetave, me pallto treçerekëshe, që ishte ndalur në bulevard, me duart në xhepa, disa metra para derës së rrethimit të jashtëm të Kryeministrisë dhe po vështronte si i habitur ndërtesën. Dukej tamam si ata vizitorët e rretheve, që ndalen të kundrojnë godinat qeveritare për të shuar kuriozitetin; dukej si dikush që ka pritur e ka pritur derisa janë rralluar njerëzit për t’iu afruar sadopak objektit të kërshërisë së tij. Si po i dukej Kryeministria? Ç’po mendonte vallë duke parë gjithë ata gardistë të armatosur në oborrin përballë? A e dallonte egërsinë dhe tërbimin në fytyrat e tyre? A

22

po i dëgjonte të shtënat? Apo ishte harruar në botën e tij, në ëndërrimet e tij? Këtë përshtypje të jepte - përshtypjen e një të shkëputurit nga zallamahia rreth e rrotull - në sekondën para se të qëllohej brinjë më brinjë, nga ana e zemrës, me një goditje profesionisti, që nuk linte asnjë mundësi shpëtimi. U shkreh sikur po përmendej, sikur po e nxirrnin nga jermi, gjithë hutim; ra në kurriz i fikur, duke i marrë me vete përgjithmonë përgjigjet e pyetjeve të mësipërme, të cilat nuk do t’i ishin bërë kurrë po të mos vritej aty ku u vra. Hekuran Deda, një dibran rreth të tridhjetave, i shpërngulur me familjen në fshatin Laknas të Tiranës, qe vrarë sakaq disa metra me tutje. Plumbi i gardistit vrasës e kishte goditur në kokë, në podiumin e televizionit BBC, ku ishte ngjitur për të parë më mirë dhe ndoshta edhe për të qenë më i mbrojtur, duke shkuar me mendimin se karakollët e mediave nuk prekeshin, madje ruheshin nga forcat e rendit. Llogari fatalisht e gabuar. Plumbi e kishte gjetur atje, duke e shembur nga podiumi në trotuar; gazetari i televizionit BBC, Fatos Mahmutaj, që po e ndiqte demonstratën nga i njëjti podium, u plagos në dorë njëherësh me Hekuranin. Fati nuk deshi ta merrte atë çast në botën e të shumtëve. Por do ta degdiste në rrugët e Europës në kërkim të drejtësisë për tmerrin që i kishin parë sytë. Dyzet metra më tej, në anën tjetër të trotuarit, arma e komandantit të Gardës, Andrea Prendi, një pistoletë tip “bereta”, kishte rrëzuar përtokë një pesëdhjetë e shtatë vjeçar nga Fieri, Faik Myrtajn, dhe një tridhjetë e gjashtë vjeçar nga Lezha, Aleks Nikën. Faiku ishte qëlluar në gjoks, Aleksi në kokë. I pari kishte vdekur në vend, i dyti jepte akoma shenja jete. Ndryshe nga Llupo, Prendi nuk ishte filmuar nga kamerat e televizioneve duke hapur zjarr. Ekspertiza e FBI-së amerikane do të provonte më vonë se arma e tij kishte qëlluar njëmbëdhjetë herë në drejtim të turmës. Hetimi i mbështetur në ekspertizën amerikane dhe në provat e tjera të mbledhura në vendin e ngjarjes do të provonte se Prendi, Llupo dhe pjesëtarë të tjerë të njësisë speciale kishin qëlluar mbi dyzet herë në drejtim të turmës dhe ishte një mrekulli që nuk ishin vrarë më shumë njerëz. Trembëdhjetë shenja plumbash do të gjendeshin në derën metalike të hyrjes kryesore të Kryeministrisë dhe po aq në kangjellat e pjesës veriperëndimore të rrethimit të saj. Tri predha do të gjendeshin gjithashtu në ndërtesën e UNHCR-së, që ndodhej në fund të një rrugice në anën tjetër të bulevardit, në vijë të drejtë me pozicionet e gardistëve të grupit të zjarrit. E lëshuar, me katër të vrarët sa në një anë të bulevardit në tjetrin dhe me të plagosurit që përkuleshin mbi plagët e tyre sikur nuk u besonin syve, demonstrata, aq sa kishte mbetur, po endej si e dehur midis krismave, plumbave dhe erës së barutit. Vdekja që kishte këputur katër vetë si t’u kishte rënë pika, lëvizte dredharake midis njerëzve, por askush nuk e çante kokën për të. I kishte zënë era e barutit dhe nuk u bënte përshtypje asgjë. Kam pas menduar gjithnjë se vrasjet e shpërndajnë turmën, siç shpërndan e shtëna me armë trumbën e zogjve të mbledhur në një pemë. Por nuk ishte kurdoherë ashtu. Më 21 janar kam parë njerëz që suleshin me zemërim andej nga vinin plumbat, kur shihnin fqinjin e tyre të panjohur t’u rrëzohej te këmbët. xxx Lajmin e parë për një vrasje ma dërgoi me sms Mero Baze. “Më


Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.