mirdita tosi

Page 86

Mirdita

"Xhaxhi, edhe ju me rrugën merreni?". Një vajzë e vogël fort e këndshme na zë për dore. I themi që nganjëherë merremi edhe me rrugët, porse nuk i bëjmë ato, vetëm sa i kalojmë. Vajza tund kokën mendueshëm. Përgjigja jonë me sa duket nuk e kënaqi. Ne nuk qenkemi nga ata të cilët do ti japin punë babit. Në qendër takojmë Pjetrin, një veteran të industrisë së bakrit. "Rruga e re" është sërish fjala që do përsëritet sa e sa herë në bisedën e shkurtër mes nesh dhe njeriut të nderuar të Rrepsit. Tashmë është bërë thuajse natë. Marrim rrugën e kthimit. Ata fëmijët e hareshëm nuk janë më në qendër. Vetëm disa të rinj përtypin fara në anë të një trotuari. Vetëm pak minuta në të dalë të Rrepsit shohim një grumbull njerëzish. Diçka ka ngjarë me siguri. Poshtë, ndonja 30 a 40 metra dallojmë një makinë me targa të Shkodrës. Shkodrani, që ka shitur peshk në Rreps, ka rrëshqitur poshtë. Për fat të mirë askush nuk është dëmtuar. Një ekskavator i firmës turke ka shpejtuar të ndihmojë makinën e aksidentuar. Rruga e re, ende pa u ndërtuar e ka sjellë të mirën e parë. Makina e bardhë tërhiqet shpejt e shpejt nga gropa nga ku kishte rënë, ndërsa fytyrat e të gjithë kureshtarëve bëhen edhe më të qeshura.

89


Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.