KIMIA FARMACEUTIKE I (Pjesa e Pergjithshme)

Page 114

Kimia Farmaceutike 1 (Pjesa e Përgjithshme)

Enver MUSTAFAJ

Reaksionet e fazës II Reaksionet e konjugimit Me anë të reaksioneve të konjugimit lëndë trupore (të vet organizmit) bashkohen përmes transferazave më lëndë të huaja, ksenobiotikë ose metabolitë të tyre, të cilët disponojnë një grup funksional hidroksil, karboksil, aminik, tiolik etj. Nga ky reaksion rezultojnë bashkime molekulare të njohura si konjugate (Tabela 5.7). Grupet funksionale polare, në të shumten e rasteve, formohen vetëm përmes reaksioneve të fazës së I. Si rregull, duhet që partneri reagues trupor, ose ai i huaj, të jetë në formën reaktive ose të aktivizohet përpara bashkimit. Përjashtim bëjnë epoksidet, të cilat në sajë të reaktivitetit të lartë, mund të reagojnë direkt me glutationin. Metabolitët e fazës II janë të tretshëm mirë në ujë (përjashtim bëjnë p.sh., N-acetilsulfamidet) dhe për këtë arsye jashtëqiten shpejt me anë të veshkave. Në rastin e jashtëqitjes përmes lëngut biliar metabolitët sekondar kalojnë në të ashtuquajturin qarkullim enterohepatik*. Pas sekretimit në zorrë, konjugatet i nënshtrohen hidrolizës, proces që çon në riformom të metabolitëve primarë, të cilët përthithen përsëri nga zorrët. Tabela 5.7. Reaksionet e konjugimit dhe enzimat pjesëmarrëse

Konjugime me acidin glukuronik të aktivizuar (katalizuar nga UDP-glukuroniltransferazat) Konjugime me acidin sulfurik të aktivizuar (katalizuar nga trans-sulfatazat) Konjugime me acidin acetik të aktivizuar (katalizuar nga N-acetiltransferazat) Konjugime me glicinen (katalizuar nga glicinë-N-acilaza) Konjugime me glutationin (katalizuar nga glutationtransferazat)

Në themel të reaksioneve të fazës së dytë qëndrojnë reaksionet e konjugimit me acidin UDP-glukuronik. Ato ndodhin në mëlçi dhe katalizohen prej UDP-glukuroniltransferazave të ndryshme.

*

Qarkullim enterohepatik, procesi kur lënda sekretohet nga lëngu biliar në zorrë prej nga ripërthithet (mundet pas shpërbërjes) dhe kalon përsëri në mëlçi e në lëngun biliar, duke përsëritur këtë cikel disa herë.

Reaksionet e fazës II

114


Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.