Programi i Partise Socialiste

Page 61

RIPERTERITJE E SHOQERISE

Ne do të jemi avokatë të interesave ekonomikë të konsumatorëve. Do të garantojmë lirinë e zgjedhjes së konsumatorit, të drejtën ligjore të informimit dhe garancinë e produkteve dhe shërbimeve që ofrohen në treg, për sigurinë, cilësinë, sasinë, përbërjen dhe çmimet.

Ne do të mbrojmë konsumatorët nga veprimi i forcave të verbëra të tregut. Ndikimi i ”dorës së padukshme” të tregut të lirë do të kompensohet nga veprimi i ”dorës së dukshme” informuese, rregullatore dhe inspektuese të qeverisjes. Jemi kundër privatizimit apo dhënies me konçesion të shërbimeve të kontrollit të matësve, peshëmatjes, kalibrimit dhe cilësisë.

Ne do të miratojmë legjislacionin e nevojshëm që do të rrisë afatin e garancisë për blerjen e produkteve të reja elektronike, elektroshtëpiake dhe produkteve të tjera të kushtueshme për familjet.

Kompanitë e shërbimeve utilitare do të kontrollohen në sistemet e tyre të matjes e të faturimit dhe do të çertifikohen nga autoritete publike.

Ne do të nxisim fushata reklamuese të ndershme, jashtë çdo mashtrimi për konsumatorët. Do të sigurojmë përfaqësim të bashkimeve vullnetare të konsumatorëve në procesin legjislativ dhe do të shpenzojmë fonde publike për të informuar qytetarët mbi të drejtat e tyre dhe mënyrën për t’u mbrojtur nga rreziqet me të cilat përballen.

Që politika jonë e re fiskale të arrijë të ulë me sukses koston e prodhimeve bujqësore e blegtorale vendase, për t’i ofruar shqiptarëve produkte me çmime sa më të ulëta, ne do të forcojmë legjislacionin dhe rolin e agjensisë për mbrojtjen e konkurrencës. Synimi ynë është të luftojmë efektivisht oligopolet dhe kartelet që dominojnë tregjet e produkteve dhe shërbimeve kryesore të konsumuara nga shqiptarët e thjeshtë. Ne do të sistemojmë pikat e shitjes së produkteve bujqësore në qytete. Askush nuk do të lejohet të shesë prodhimet në mjedise të papërshtatshme. 61


Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.