Kurban

Page 1



XI.

Kjo e familjes ka qenë një lajtmotiv i pandarë i yryshit politik të Saliut qyshse Ramiz Alia ua bëri peshqesh studentëve në dhjetor të vitit 1990 sekretarin e devotshëm të partisë së tij, enveristin e paepur dhe shërbëtorin e palodhur të Byrosë Politike. Më vjen ndërmend këtu sesi në ato pak minuta, Lavdi Zotit s’qenë as gjysmë ore, që qëndrova në zyrën e Partisë së sapoformuar Demokratike pas një rastësie jetësore që më mbajti larg për disa ditë nga vendi i shpërthimit të revoltës studentore kundër regjimit që prej kohësh e ëndërroja përtokë e prej disa vitesh e luftonim sa e si mundnim në Akademinë e Arteve, ky Doktori i Byrosë Politike lexonte draftdeklaratën e parë për shtyp të PD-së ku dënoheshin “huliganët e Shkodrës” dhe lartësohej “figura demokratizuese e Presidentit Alia”, pastaj të nesërmen kur i tha në prapaskenën e mitingut tek Qyteti Studenti Ardian Klosit “Ti s’mund të flasësh se e ke pasur gjyshin bej dhe bashkë me Edi Ramën kërkoni të nxirrni nga birucat llumin e shoqërisë, plehrat e kombit që guxoni i quani edhe të burgosur politikë!”, pastaj kur censuroi në gazetën “Rilindja Demokratike” peticionin e nënshkruar ditën e “Refleksioneve” tona bashkë me të burgosurin politik shkrimtarin Kasëm Trebeshina, nga treqind e ca studentë, pedagogë e qytetarë në Akademinë e Arteve, në adresë të Ramiz Alisë për rishikimin e figurës së Enver Hoxhës dhe lirimin e të burgosurve politikë, pak ditë më pas kur donte të na pengonte Ardianin, Kasëmin e mua, të flisnim në mitingun ku për herë të parë u godit në fjalën time hapur në shesh figura e Enverit, tek Stadiumi “Qemal Stafa”, ku na e drejtoi gishtin në sy pa u mbledhur ende njerëzit duke na thënë “Ju s’mund të merrni fjalën sot se s’kemi kërkuar leje në polici për ju. Prandaj po erdhi t’ju marrë policia largohuni pa bërë zë”, e duke ikur i tha


dikujt të na thoshte se aty ishte e ndaluar të shahej Enver Hoxha, “aq më tepër nga ata të dy”, medemek nga ne “djemtë e nomenklaturës”, dhe pastaj ditë e përditë kur ia nisi politikës me libër shtëpie me njëmijë vëllime, vite me radhë, kundër kujtdo i dilte rrugës përpara me nënë, grua, motër, djalë, vajzë, vëlla, xhaxha, hallë, dajë, teze, kunetër, baxhanakë, kushërinj të parë, të dytë, të tretë, të shtatë, të qenë e të paqenë, të gjallë e të vdekur, të njohur a të panjohur, me shokë e me miq, të vërtetë a të sajuar, ose në bllok të gjithëve vrasës, zagarë, qen, bushtra, kusarë, kollovarë, hajdutë, makutë, perversë, pusho, homoseksualë, kriminelë, kafshë, grabitqarë, trutharë, prostituta, pusho ti, komunistë, gjaksorë, pa atdhe, pa familje, të pafe, ik ore, spiunë, denonciatorë, terroristë, puçistë, banditë, kastravec, persekutorë, bashkëpunëtorë, genocidistë, vemje, tradhtarë, shko more, imoralë, drogaxhinj, delenxhinj, gjarpërinj, faqezinj, trafikantë, mafiozë, përdhunues, zemunllarë, kumbarë, qepe se dhe aty do dal, minj, zullumzinj, ditëzinj, bixhozçinj, këpëdarë, kokëpalarë, oktapodh, dhi, ikni ore, kakërdhi, laraska, bagëti, motërsharë, pisa, leshpërgjakur, barkfëlliqur, zorrëtrashur, belpërdredhur, ik të thashë, turiqen, mbylle gojën, turimi, turikëpucë, trupeshk, pis pisi, turitepsi, turikazan, mjeranë, shpirtkatran, shpirtakrepa, shpirtkazëm, surratmajmun, jua them unë më mirë mos ua them, lecka, plehra, legen, fare hajvanë, kunguj fare, kokësahanë, derëzinj, të sëmurë, shpirtzinj, mendjendryshkur, mendjekallp, mendjefyej, pushoni aty se s’dua t’ju fyej, llapallapa, rrecka rrugësh, ju bëj qepaze, narkomanë, kopila, verdhacukë, të zgjebosur, të përdhosur, turiviça, thithlopa, inçestualë, palikarë, gradhunues, pushkatues, dobiça, të damkosur, ç’jini ju ore, të shitur, të babëzitur, të mbaruar, të pakallur, të pashpirt, të pangopur, e dini ju e dini po tani më lini, idiotë, uritha, laskarë, pusho mor kretin aty do dal, dementë, defiçentë, zuska, të tredhur, linçues, torturues, të përdalë, shpirtvjedhur, shpirtblerë, shpirtshitur, skizofrenë, qelbësira, qurravec, ndyrësira, pizeveng, palaço, piskuriqa, s’dua t’ua them të gjitha, lakuriqa; pastaj sigurisht e kujtoj kur e vuri familjen time për vite në majën e gjuhës dhe kur dy vjet më parë, u lëshua me kuturisjen e të marrit nga foltorja e parlamentit vrik pas nënës sime të gjorë që edhe qepjen nga pas me mikrofon të një burri të dalë duarsh kishte mangut në perëndimin e jetës së saj. I’u qep Saliu sime mëje e i ulërinte i çakërgjosur në emër të motrave e nënave shqiptare të tregonte se kush isha unë, thuaju zonjë që ke dhjetë vjet që e kuron për skizofreni tët bir, e dimë mirë ne të dy dhe ata kolegët tanë mjekë, thuaju si të rrihte yt bir dhe të nxirrte rrugëve të lagjes me këmishë nate, tregoju të vërtetën vajzave shqiptare, se si unë dhunoja gratë, se si iknin të lemerisura nga shtëpia kur u futesha në dyshek shokëve të mi, se si i kisha thyer nofullat e bërë hundët gjak gruas në publik, fol zonjë, e këto ia kërkonte në emër të grave e vajzave të Shqipërisë, me tërbimin e persekutorëve të regjimit të vjetër, që e shiste për prekje të thellë në sedrën e kryefamiljarit, burrit namuzlënduar të zakonit, shqiptarit të cenuar tek familja e fëmijët, për shkak të goditjeve të opozitës që bënin transparencë mbi përzierjen e njerëzve të tij të shtëpisë në punët e paudha të qeverisë. Pika e zezë ishte dhe është se shumëkujt kjo i duket normale, e shajnë nga shtëpia i shan nga shtëpia, s’ka faj i shkreti, ia nxinë jetën, më tha Fevziu një ditë, ndërkohë që e vërteta është se asnjëherë unë e, me ndonjë përjashtim në momente vlimi të lartë të kazanit të parlamentit, askush ndër ne, opozita e sotme që prej opozitës së tij është pështyrë me vite


në mënyrën më rrugaçërore, nuk është marrë me familjen e tij, me ç’bën në jetën e me jetën e vet gruaja, vajza a djali i tij apo ai vetë, po vetëm me shprehjet e dokumentuara të konfliktit të interesit bërtitës që tregon se si jo opozita, po Saliu e lidh tryezën e qeverisë me barkun e shtëpisë. Kurrë nuk jam marrë e s’do të merrem i gjallë me jetët private të të tjerëve, kundërshtari për mua s’është njeriu po vizioni, argumentet, sjelljet e veprimet politike që janë të kundërta, të ndryshme, të pa afrueshme me të miat, asnjëherë s’kam dashur të di se sa të lumtur a të palumtur janë në shtëpinë e tyre kundërshtarët e mi, nëse ndahen e rimartohen apo dashurohen pa u martuar, ose puthen e përputhen të padashuruar, si jetojnë e bashkëjetojnë nën çatitë e tyre ku, sipas meje, askush s’ka të drejtë të përgjojë vrimën e çelësit, s’u kam uruar kurrë fatkeqësira, sëmundje, probleme me fëmijët, përkundrazi uroj që të mos shohin ndonjëherë asnjë nga të këqijat e jetës personale që fati ka dashur t’i provoj vetë e assesi pastaj të këqija që vetë s’do të doja kurrë t’i shihja të kapërcenin pragun e shtëpisë sime e të preknin nënën, gruan, fëmijët apo të dashurit e mi të zemrës. Politika e futjes së hundëve në shtëpinë e tjetrit, e sulmeve mbi jetën personale e ndaj lidhjeve të gjakut të tjetrit, e denigrimit e përgojimit të njerëzve të kundërshtarit, e sulmit gojor në front ndaj një grupi shoqëror a ndaj vetë opozitës, është mjet i regjimeve, i satrapëve e i hajvanëve që kundërshtarin e konsiderojnë armik për t’u vrarë, torturuar, shkatërruar me gjithsej, ndërsa politika që ngre problemet e abuzimit të funksioneve publike përmes konfliktit të interesit, përzierjes së njerëzve të gjakut në vendimmarrjet gjatë ushtrimit të detyrës publike, përfitimeve të nxjerra si familje a si tribu ose klan nga shpërdorimi i postit zyrtar, është normalitet demokratik, shprehje e së drejtës publike, mbrojtje e parimeve e vlerave të funksionimit të një Republike Kushtetuese. Në cilin vend të botës demokratike mund të ishin dëgjuar nga foltorja e parlamentit, tryeza e qeverisë a tribunat publike rrakashprehje me libër shtëpie e llafangjosje të ulëta të gjuhës së nxjerrë jatagan para popullit si ato të Saliut e të tallagjares së tij Jozefinë, së bashku me ministra e deputetë tellallë që u bëjnë jehonë fjalim më fjalim e studio më studio, për të damkosur kundërshtarin si njeri jo si alternativë, dhe në cilën jetë politike e publike të një vendi vërtet demokratik opozita s’do të kishte vënë alarmin për kapjen e segmenteve të shtetit e të vendimmarrjes nga njerëzit e familjes së kryeministrit, të kryetarit të parlamentit a të ministrave, apo për skandalet me pasuritë e me paratë publike ku do të dilnin të përfshirë familjarë e klientë të familjeve të funksionarëve më të lartë të shtetit? Ku, në çfarë pike të botës së lirë do të ndodhte që kundërshtarët politikë të merreshin me trupin e njëri-tjetrit, me babanë, nënën, gruan, vajzën, djalin, motrën a vëllanë e njëri-tjetrit kur askush nga këta s’do të kishte lidhje e as punë me punët që përfaqësimi politik u cakton kundërshtarëve në qeveri a opozitë, po njëkohësisht ku, në ç’vend, mund të ndodhte në arenën politike të botës së lirë që kundërshtarët të mos merreshin me cenimin e interesit publik përmes fuqisë së pushtetit të deleguar informalisht përmes lidhjeve të gjakut? Si mund të ndodhte në një vend të Europës së Bashkuar që pas derdhjes së tërë mynxyrave mendore të kryeministrit gjuhustër mbi të ëmën e kryetarit të opozitës, gruaja e moshuar e dhunuar verbalisht nga kryetari i


qeverisë të dhunohej moralisht edhe në gjykatë, me motivacionin që kur zgjidhi gojën nga zinxhirët e etikës kryeministri ishte në krye të detyrës, prandaj padia për shpifje për shkak të detyrës nuk qëndron? Askund, në asnjë rast, për asnjë arsye politike në botë, njerzillëku nuk ia le vendin kafshërisë në jetën publike e politike të cilitdo vendi ku votohet lirisht e ku njerëzit kundërvendosen në frontet e alternativave jo në barrikadat e gërdisë gojore, ashtu sikundër as që mund të imagjinohet në botën e lirë një kryegjyqtare e lartë si Ariana Fullani që, përballë një gruaje pensioniste si nëna ime, ...

(Kjo copëz është shkëputur ekskluzivisht për lexuesit e www.edirama.al dhe janë të lutur të gjithë ata që do ta shkëpusin për botim në shtyp që ta botojnë bashkë me këtë shënim)


Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.