Kurban

Page 1



Prej fillimkorrikut të nxehtë më prek vëmendjen ngjarja e rëndë e grevës së urisë së minatorëve në Bulqizë, protestat e përplasjet e tyre me policinë, në hiçin e heshtjes indiferente të qeverisë që po e mbyt atë qytet të lindur në një ditë bashkë me minierën, ku thonjtë e korrupsionit gërryejnë me çmendimin e etheve të parasë pasurinë e gjithë shqiptarëve, duke shkallmuar barqet e hapura të nëntokës që po shterpëzohet nga shfrytëzimi pa kriter e as karar dhe hapur varrin e parakohshëm kolektiv të një komuniteti barkzbrazët që ushqehet me thërrime, teksa shumat e majme të fitimeve të punës së tij fluturojnë çdo muaj jashtë në drejtim të paditur, duke i lënë qytetit funeralet e minatorëve të vrarë në fund të dheut, jetimët e panumërt të familjeve të tyre ku gra të plakura në moshë të re bëhen edhe burra të vetmuar e të papunë që duhet të rrisin fëmijë, bilardot e lokalet e basteve ku adoleshentët rreken t’i ikin burgut të pamundësive duke ëndërruar të mbledhin lekët e arratisë e vrarë kohën me stekat e kotësisë, kafenetë ku rrumbullohen qysh në sabah me pije të trukuara robërit e papunësisë që mbledhin mineral me trasta për të blerë bukën e gotën e ditës tjetër, rrugët e shkatërruara plot gropa e fushat e thata përreth që ngjajnë me një klon kufitar mes dëshpërimit social e botës së paarritshme matanë, klanin e mafias lokale të kromit që fiton rregullisht zgjedhjet bashkiake, duke i mbledhur votat me hijen e frikës e dorën e ryshfetit dhe lidhur nëntokën me politikën e lartë të Tiranës zyrtare që nënshkruan symbyllur prej vitesh tradhtinë kombëtare në marrëveshje kriminale koncesionesh e në licenca shfrytëzimi të pasurisë së përbashkët për gjithfarë dallkaukësh e derdimenësh turrur mbi Bulqizën si mbi tokën e askujt: skllavëro, gërmo, merr, ik, mbyt, vdis, qameti u bëftë kur të mbarojmë punë, sot është dita fatlume për t’u pasuruar derisa të mbajnë trarët e galerive dhe të thyhet përtokë


kurrizi i skllevërve bashkë me qytetin e tyre, prandaj o burra sa të kemi me vete parlamentin e kusarëve të votës, ministrat që firmosin edhe në emër të parlamentit po t’i paguash mirë, drejtuesit e sektorit në ministri që duan thjesht çapën e tyre për të mbyllur sytë, pushtetin e tërë që s’do t’ia dijë përveçse për pjesën e vet të plaçkitjes së shfrenuar. Bulqiza është një gur i mozaikut të shthurur të modelit ekonomik shqiptar, “modelit të suksesshëm pa recesion ekonomik” siç e quan Saliu, që monologon përditë këto ditë në mes të vapës njësoj si Partia e Punës në dimrin e vetmisë për shembullin botëror të Shqipërisë pa dhimbje në botën që përpëlitet dhimbjesh, Shqipërisë ku bota mund të shohë përparime që vetë s’i bën dot në kushtet e krizës financiare që e ka mbërthyer, Shqipërisë që ka shkopin e të ardhmes së turbullt botërore dhe recetën e shpëtimit të vetë botës me taksat më të ulëta në botë, “Ulni taksat edhe kur logjika ju thotë se s’mund të ulen më!” u dha Saliu mend udhëheqësve të vendeve të mëdha kur, siç e tregoi vetë, e pyetën sipas tij, si ia del ti Sali ta ngjisësh Shqipërinë lart, ndërkohë që ne të gjithë po mundohemi të mos na bjerë bota poshtë, Shqipërinë që para pak vitesh la pas Kinën gjithnjë sipas Saliut dhe së fundi Saliu na njoftoi se doli e dyta pas Gjermanisë në klasifikimin e fuqive ekonomike për frymë të Europës, Shqipërinë e mrekullive që Saliu e shet përditë nga ekranet e altoparlantët e oborrit të tij siç shiste dikur Sudja iluzionet e fitimeve të pambarueshme nga penxherja e sportelit të saj. “Na u bëfshin kurban të tërë, edhe kriza globale, edhe Europa në krizë, edhe fqinjët në krizë, edhe familjet shqiptare në krizë, edhe pasuritë kombëtare në krizë, edhe pronat private në krizë, edhe toka e bukës në krizë, edhe parlamenti në krizë, edhe drejtësia në krizë, edhe mediat në krizë, edhe arsimi në krizë, edhe spitalet në krizë, edhe dyqanet në krizë, edhe kultura në krizë, edhe sporti në krizë, edhe varrezat në krizë, ne po bëjmë Shqipërinë tonë”, Shqipërinë e vetes së tyre dhe një milionë të papunëve, e cila jeton në Bulqizë si në librat e Arçibald Kroninit, me renë e qymyrtë të vdekjes mbledhur shuk mbi kokën e qytetit; në Laç, si në oazet pa shtet të zgafellave urbanistike të industrializimit primitiv ku rroftë jashtështeti se do të kishin dhënë shpirt të gjithë, ngjitur me Mamurrasin e dorëzuar ndaj papunësisë që shpresa e vetme që i ka mbetur është të mundë Laçin në futboll; në Tepelenë, si në rrugëkalimet pa stacion, ku nën muret e rrënuara të kështjellës së pashait kokëprerë inercia e jetës ka lënë qosheve stërnipërit e plakur para kohe të heronjve të së shkuarës që ngrohen në diell; në Koplik ku hija e shëmtimit urban të kohës së re ka gjetur një prej shumë shtëpive të veta mes baltës e varfërisë së mbjellë kudo përmbi vreshtat e dikurshëm, që qysh nga koha e Skënderbeut çuan me shekuj në Venedik mushtin e verës së doxhëve e kardinalëve; në Konispol, ku burrat dalin nga shtëpia pa gdhirë e hyjnë me lista në Greqi për të punuar argatë nën portokajtë e ullinjtë e zengjinëve fqinj, e për t’u kthyer përsëri, po me lista, të rraskapitur në mesnatë; në Lushnjë, ku pallatet e tullës lartësohen si mure deri në vrimat e mbetura të qiellit mes oborreve e pas godinave të vjetra të arkitekturës komuniste, si për të realizuar


projektin e fshehtë të një burgu të sigurisë më të lartë që do të ndajë qytetin nga vetja dhe vetë jeta përtej mureve të tij; dy hapa tutje në Divjakë, ku rëra matanë pyllit të magjishëm të pishave është bërë fushësherri mes lumenjve që i fusin çdo natë në gojë Adriatikut, si kudo gjatë vijës së tij, shishet e qeset e plastmasit mbledhur rrëkeve anepërqark, dhe detit të keqtrajtuar që pa gdhirë i vjell mbrapsht në breg plehrat e patretshme, teksa Ardian Klosi me një grup ambientalistësh përpëliten brigjeve e vendeve të vyera vënë nën thundrën e shkatërrimit, për të vënë alarmin që s’e dëgjon askush; në Fushë-Arrëz, si në rrënojat e shpresës se jeta mund të jetë më shumë se sa ajër, bukë misri, ujë përroi e arrati në shtegun më të parë; në Rrogozhinë, si në një pistë të gjerë asfalti të rrëgjuar pa dalje dhe mbyllur anash me mure leckash e mallrash të harruara bashkë me njerëzit që vejevijnë pa lekë në xhep nën qiellin e sheshtë; në Librazhd, si në një burg papunësie buzë lumit të ndotur e të inatosur paq prej plehrave që kanë zëvendësuar brigjet, ku ujërat ngrihen nga shirat për t’u futur tinëz nën krevatet e ca shtëpive të varfra ndërtuar mbi shpinën e dalë të lumit; në Ballshin e rrethuar nga erafënda njëzet vjet e pafashitur e kufomave të industrisë komuniste të naftës që dekompozohen mes fushave djerrë; në Gjirokastër, ku qyteti i measnjëtëpërngjasuarin ndër qytetet e trashëgimisë kulturore botërore, i cili i fali Ismail Kadaresë parafytyrimet fantastike për të nxjerrë zënë e gurëve kudo nëpër botë, rënkon në agoninë e zgjatur të ngrënies së vetvetes gur pas guri, rrethuar me pallate të veshur me suva që u ngjajnë trashëgimtarëve të pangopur mbledhur kërrusur mbi shtratin ku po del ymri tekanjoz e koprrac i stërgjyshit pasanik; në Burrel, ku një voc i kthyer në Naltmadhnija i Shqyptarëve ka lënë pas trashëgim përrallën e tij si ushqimin e munguar të jetës së përditshme të njerëzve të mbetur në mëshirën e fatit pa punë; në Përrenjas, ku...

(Kjo copëz është shkëputur ekskluzivisht për lexuesit e www.edirama.al dhe janë të lutur të gjithë ata që do ta shkëpusin për botim në shtyp që ta botojnë bashkë me këtë shënim)


Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.