Kimia

Page 32

SUBSTANCAT

Eksperiment. Filtrimi i shkumësit dhe ujit Në një gotë porcelani, me ndihmën e thikës thërrmoni një copë shkumës. Pluhurin e shkumësit hidheni në një gotë me ujë. Pastaj përgatitni letrën filtruese si në Fig. 36. Letra filtruese duhet të jetë 0,5 cm më poshtë se buzët e hinkës. Letrën filtruese lageni me pak ujë dhe vendoseni në hinkë. Montoni aparaturën si në Fig. 37. Tani me ndihmën e shufrës së qelqtë derdheni me kujdes përzierjen e ujit dhe shkumësit në letrën filtruese. Cila substancë do të mbetet në letrën filtruese dhe cila do kalojë nëpër të?

Nga prova patë se gjatë filtrimit të ujit dhe shkumësit, uji kalon nëpër letrën filtruese dhe i pastër mblidhet në gotën nën hinkë. Ky lëng quhet filtrat dhe nuk përmban më as grimcën më të imët të shkumësit. Në letrën filtruese mbetet shkumësi, sepse thërrmijat e shkumësit, janë më të mëdha se poret e letrës filtruese. Shkumësi është fundërrinë. Letra filtruese luan rolin e filtërit, i cili nuk lejon kalimin e grimcave të shkumësit.

Fig. 36. Përgatitja e letrës filtruese

Filtrimi është veprimi që përdoret për ndarjen e plotë të substancave të ngurta dhe të patretshme nga lëngu (përzierja).

Filtrimi mund të bëhet në shtëpi, natyrë, laborator dhe në industri. Ai përdoret shumë në laboratorët kimikë si operacion për ndarjen e substancave të pastra nga lëngjet. Në industri si filtra përdoren: pëlhura, qymyri i drurit, rëra etj. A do të mundni të ndani sheqerin, gurkalin, kripën e gjellës nga tretësirat e tyre me anë të filtrimit? Sigurisht që jo, sepse këto substanca treten në ujë. Ato mund të ndahen nga uji me ndihmën e veprimeve të tjera.

fundërrina

filtrati

Fig. 37. Aparatura për filtrim

PYETJE: 1.Ç’veti duhet të ketë substanca që dekantohet prej ndonjë lëngu? 2.A mund të bëhet dekantimi i dy lëngjeve? Jepni një shembull? 3.Pse dekantimi quhet edhe dendësim? 4.Ç'është filtrimi? 5.Ç'është fundërrina dhe ç’është filtrati?

DETYRË: Bëni filtrimin e tallashit të drurit dhe ujit me mjete shtëpiake. Bëni vizatimin e pajisjes dhe përfundimet shënojini në fletore.

37


Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.