Gjuha shqipe

Page 3

Kriteret e hartimit të tekstit Teksti është ndërtuar me katër rubrika kryesore, në të cilat materiali mësimor është grupuar sipas tematikës së pjesëve: 1. Unë mësoj nga të rriturit, ku përfshihen pjesë me tema nga jeta e përditshme e fëmijëve dhe marrëdhëniet e tyre me të rriturit. Varësisht prej kësaj teme janë zgjedhur lloje tekstesh të tilla, si: tregime realiste, përshkrime të mjediseve të përditshme (në fshat e në qytet) ditarë, letra etj., si dhe janë shpjeguar elemente të strukturës së tekstit tregimtar, si: hyrja, zhvillimi, mbyllja, tema dhe ideja (mesazhi) etj. 2. Unë mësoj nga miqtë e mi, ku përfshihen pjesë me tematikë nga marrëdhëniet shoqërore që japin mesazhe të miqësisë së pastër, të mirëkuptimit, të mbështetjes për fëmijët në nevojë, të paqes e barazisë dhe të të drejtave të njeriut, veçanërisht të fëmijëve. Varësisht prej kësaj tematike janë zgjedhur lloje tekstesh të tilla, si: shkrimi i revistës, mesazheve, letrave, ditarit, postës elektronike etj. Gjithashtu, në këtë rubrikë përfshihen pjesë me tema që lidhen me lojërat e fëmijëve, aventurat dhe udhëtimet e tyre në vende reale dhe imagjinare. 3. Unë mësoj nga natyra, ku përfshihen pjesë që sjellin imazhet e katër stinëve të vitit me bukurinë e peizazheve të tyre si dhe veprimtaritë e ndryshme të njerëzve. Në këtë rubrikë mbizotëron shkrimi përshkrues, i cili synon të gërshetojë tingujt, aromat dhe ngjyrat. Gjithashtu qëllimi i rubrikës është kultivimi i dashurisë për natyrën dhe ndërgjegjësimi për mbrojtjen e saj. 4. E shkuara në përralla e tregime, ku përfshihen përralla gojore dhe të shkruara nga shkrimtarë, si përralla me princër, me kafshë e me figura fantastike, fabula etj. Nëpërmjet tyre studiohen elemente të strukturës së përrallave, analizohen personazhet, duke zbërthyer moralin apo mesazhin që ato sjellin, si dhe tërhiqet vëmendja e nxënësve te figuracioni i tyre, i cili i lihet nxënësit që ta kuptojë dhe ta zbërthejë në mënyrë intuitive. Gjithashtu, në këtë rubrikë ka legjenda, shkrime të llojit historik, që sjellin personazhe e ngjarje të vërteta historike. Në këtë rubrikë sillen informacione për figura të shquara të Rilindjes Kombëtare, trajtohet shkrimi biografik e autobiografik, tekste në dialekt, fjalë të urta etj. Ndërmjet këtyre rubrikave integrohet dhe Rubrika e poezive, e cila sjell poezi të llojeve të ndryshme sipas tematikave përkatëse. Njohuritë gjuhësore në tekst janë integruar me pjesët letrare dhe joletrare si dhe me ushtrime për të folurin, të shkruarin dhe të dëgjuarin. Në mungesë të mjeteve elektronike, ushtrimet e të dëgjuarit parashikohen të lexohen nga mësuesi/ja dhe nxënësit i kërkohet të plotësojë testin e të dëgjuarit. Një nga synimet kryesore të hartimit të tekstit është rimarrja e njohurive pothuaj në të gjithë librin, ku i kërkohet nxënësit që të krahasojë pjesët të ndryshme për të zbuluar të përbashkëtat dhe të veçantat e llojeve të shkrimit. Nëse deri në klasë të tretë nxënësi më tepër është ushtruar në të lexuar e në të kuptuarin e tekstit, tani i kërkohet që të dallojë elemente të veçanta të tekstit, si: titullin, autorin, temën, idenë, zhvillimin e ngjarjeve, strukturën e poezisë, rimën e strofën, kuptimin e figurshëm të fjalëve, si: krahasimin apo dhe shpirtëzimin e sendeve e të mjediseve. Rubrikat didaktike synojnë një integrim të gjithanshëm të teksteve me njohuri nga muzika, piktura, media, filmi, gazeta e revista.


Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.