Albanski_jazik_8_osmani

Page 46

- Vallahi asht nji usull fort i bukur, heqim bej! – tha Zylfikar agai. - Aman, doktor bej, këqyrni Zylfikar agën dhe shpëtomëni mu të mjerën! – u lut zëri i hollë i Arifesë prapa derës. - Zotni doktor, bani himmet dhe mbarojeni këtë punë, - shtoi axhenti i Kamorres. Dr. Gjilpëra kish rënë në një trap të ngrehur me duart e veta. Po të mohonte ndihmën e tij duke zbuluar ironinë, mund që këto shpirte primitive ta mirrjin shakanë si një sharje dhe ahere kushedi se ç’mund të ngjiste. Nga ana tjetër, ç’marrëzi më e çuditshme se të përpiqej të shëronte Arifenë, duke i dhënë ilaçe Zylfikarit!? I vetmi shpëtim ish në të lënë punën për më tutje në qoftë se mund t’i bindte këta njerëz të mbarë ta lejin provën për më vonë. - Po presim pra, doktor bej, - qortoi me butësi zëri i hollë prapa derës. - Më falni që ju bëra të prisni, tha dr. Gjilpëra. – Ju lutem zonjë, si e ndjeni veten dhe ku kini të dhëmbura? - E para e punës, më mundojnë dhëmballat shumë, s’më zë gjumi prej të dhimbunave. E para e punës, domethënë Arifeja kish dhe të tjera halle veç dhëmballave. Dr. Gjilpëra u ngrit dhe hapi nofullat e Zylfikar agait. Pesë dhëmbë ishin të prishur liksht, dhe do të qe fitim për shëndetin e Agait sikur të nxirreshin. Mirëpo dr. Gjilpëra, ndonëse dinte çdo gjë që mund të dihej për dhëmbët, s’kish aspak stërvitje praktike në këtë degë. - S’kam darat këtu, ta lëmë punën për një herë tjetër, - tha doktori. - Qyqja unë u fika! – Aman, doktor bej, kini merhamet! Kemi na darë. Lejla, shpjeri darën doktor beut, - thirri Arifeja. Dhe para se të mbetej kohë për protestim, vajza e vogël Lejlaja hyri me një darë të frikshme dhe ia dha dr. Gjilpërës. - Kjo asht darë për të shkulur gozhdë! – protestoi mjeku me një tingull lutjeje në zërin e tij. - Heqim beu ka hak, - bëri Zylfikar agai i verdhur, -ta lëmë për një herë tjetër. - Ke frykë, Zylfikar agë; jazëk të qoft! – tha Arifeja. - Bahu trim, Zylfikar agë! Asht sevap, se e ke gru, - shtoi Ibn-el-Kelbi. - Aman, doktor bej, mos e ndigjo Zylfikar agën, - insistoi Arifeja. - Sillni një legen dhe një kupë ujë të kripur, - urdhëroi doktori. Ca çaste më vonë Lejlaja i pruri. Ahere dr. Gjilpëra, i djërsitur nga kjo skenë e çuditshme, mori darën dhe hapi nofullat e Zylfikar agait. Të tre dhëmbët e para duallnë pa mundim, i katërti kish rrënjën aq të shëndoshë sa u thye maja, po rrënja s’lëvizte. Zylfikar agai lëngonte. - Gajret Zylfikar agë, - bërtiste gruaja. 48

GJUHA SHQIPE DHE LEXIMI VIII


Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.