Gjuha shqipe

Page 96

forcën. Pak nga pak e rralloi rrotullimin. U zgjat. E, kur e pashë të kthehej me barkun nga dielli, thirra: “Ta mora hakun, baba!” Prita se mos dilte mbi ujë. Më kot. Ai po fundosej dhe arriti ja, mu aty te ajo gropa e thellë që shikoni. Atje u shtri si një nëndetëse. Ç’të bëja? S’më punonte mendja nga gëzimi. Menjëherë mblodha litarin e gjatë. Mora frymë thellë dhe me shpejtësinë e forcën e predhës u krodha në thellësi. I afrohesha. Sa i madh që dukej! I drejtohesha picingul kokës së tij, po s’kisha ç’ti bëja. Brenda në ujë mendova t’i futja thikën thellë në kafkë e pastaj të lidhja litarin… Mirëpo, ah! Kur u afrova, ai më shikoi me ata dy sytë e tij të xhindosur dhe lëvizi bishtin. Ende s’kishte ngordhur! Iu turra dhe e rroka prej koke me të dy krahët. Dy gishtërinjtë e mëdhenj ia futa te sytë! M’u duk sikur kisha mbërthyer një trung ulliri. Ai “përt” ia bëri dhe më rrëmbeu e më solli disa herë rrotull. Ngriti shpatën e tij mprehëse të qafës dhe më çau, mu këtu… në gjoks. Unë e shtrëngova më me fuqi. Dhe dy gishtërinjtë e mëdhenj ia futa edhe më thellë në sytë e tij. Përsëri bëri ca rrotullime të shpejta. Menjëherë, kur e pashë se po fundosej bashkë me mua, nxora thikën dhe, me sa fuqi që kisha, ia ngula thellë në tru. Pa humbur kohë, në dorezën xhungë të thikës, ngula dhe përdrodha grepin e duke mbajtur bishtin e litarit, u gjenda mbi ujë. Më plasi gjaku nga veshët dhe nga hunda. Nga gjoksi gjaku s’pushonte. U shtriva si i vdekur mbi ujë, që të çlodhesha. Më kishin shteruar fuqitë. E ndieja veten si në bark të peshkaqenit. E dija se ç’duhej të bëja, po ja që s’kisha fuqi as të lëvizja gishtin. M’u duk sikur po më tërhiqte. Çela sytë. Me të vërtetë ai po më tërhiqte. Ende s’kishte dhënë shpirt! Mblodha gjithë forcat e mia dhe me mundime mbinjerëzore arrita shkëmbin, ja, mu aty. Lidha fort litarin dhe erdha dhe u shtriva mu këtu si i vdekur. Kur erdha në vete, ishte pasdreke. Gjaku më ishte mpiksur në gjoks. Ndjeva dhembje therëse. U ngrita. Pashë se peshkaqeni ishte aty, i mbërthyer dhe i ngordhur. Kjo më gjallëroi. Ashtu është. Kur del fitimtar, njeriu, edhe i vdekur, ngjallet. Fitorja të ringjall e të jep forca të reja. Petro Marko

Shënim Ky fragment është shkëputur nga romani “Shpella e Piratëve”. Kjo është një vepër shumë e bukur për fëmijë. Në të bëhet fjalë për një ekspeditë të fëmijëve që arrijnë deri te Shpella e Piratëve, duke kaluar në shumë peripeci. Petro Marko është një nga shkrimtarët më të njohur të letërsisë sonë. Ai është autor i shumë romaneve si dhe tregimeve për fëmijë.

GJUHA SHQIPE DHE LEXIMI PËR KLASËN VI

102


Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.