TRABOINI POEZI

Page 1

Kolec Traboini Poezi

PANTHEON BOOKS EDITION


Traboini Poezi

KOLEC P. TRABOINI - poet dhe kineast, gazetar me profesion. U lind në Shkodër. Pas mbarimit të studimeve universitare në Universitetin e Tiranës, dega gazetari, është emëruar redaktor-skenarist në Kinostudio, Tiranë, ku punoi 16-të vjet, ndërsa për një dekadë drejtoi redaksinë e filmit dokumentar. Është fitues i kupave për filmat dokumentarë në dy festivale kombëtare të filmit shqiptar: “Asdreni” 1976, “Kështjella e këngëve” 1990 si dhe ka fituar çmime e vlerësime për filmat “Dëshmi nga Barleti”, Hasan Prishtina dhe Kolë Idromeno. Më 10 Prill 1993, krijoi në Athinë të parën gazetë në gjuhën shqipe në Greqi, “Egnatia”. Në gusht 1995, ai emigroi në SHBA dhe u vendos në qytetin e Bostonit. Eshtë autor i 26 librave me poezi, prozë dhe publicistikë. Traboini- ka fituar çmim kombëtar për vëllimin me tregime “Petalet e bajames së hidhur”1974 si dhe “Pena e Artë” Kadmus 2007 nga Klubi i Shkrimtarëve “Drita”, Athinë. KOLEC P. TRABOINI / Albanian -American poet and writer, a journalist by profession, graduated from the University of Tirana, Albania in 1975. 19751991 scriptwriter for Kinostudio Albafilm Tirane, Albania. Traboini work included writing of scripts for documentary films. Recived 1-st National Prize for the film "Asdreni", 1976, first for the film "Keshtjella e Kengeve" (The Castle of Songs), also won the best Film of the Year 1990 for the film "Deshmi nga Barleti" (Witness from Barleti) - a war history of 1468-1478, in her hometown Shkoder, North Albania. He is the founder of the Albanian newspaper “Egnatia” in Athens, 1993, author of 26 books of poems, prose, and essays. In August 1995, he immigrated to the USA and settled in the city of Boston. Traboini - has won a national award for book of short stories "Bitter Almond Petals" in Albania, 1974 and "Golden Pen" Kadmous 2007 by Writers Club "Drita" Athens, Greece.

2


Traboini Poezi

DEKLARATA E TË DREJTAVE TË MIA

PANTHEON BOOKS EDITION

E kisha të drejtën për t’u lindur i barabartë por u linda e u rrita jetim e në pabarazi askush nuk duhej të ma pengonte të drejtën e jetës por jeta m’u soll e padrejtë deri në marrëzi nuk mund të shitesh e blihesh si në skllavëri por nuk lind nevoja të jesh skllav që të vuash i kemi të drejtat në çdo vend ku shkojmë por na ndjekin pafundësisht e kudo na zbojnë ne jemi të gjithë të barabartë para ligjit por ligji ndaj të varfërve gjithnjë vepron ligsht nuk mund të burgosemi pa shkak e pa gjyq por shpesh liria na shfaqet si mbi varr një kryq e kemi të drejtën e privatësisë sa kohë që s’kemi celular, internet a mjet që lëviz e kemi të drejtën e nënshtetësisë por shtetet ndaj nesh sillen si shtrigë e kemi të drejtën e pronësisë por i forti merr gjithçka, sa mbetemi lakuriq e kemi të drejtën e mendimit por për mendimin tonë askush s’do të dijë e kemi të drejtën e shprehjes si bota por pronarët e Media-s na i mbyllin portat

3


Traboini Poezi

kemi të drejtën për demokraci nëse këtë demokraci e lejon shteti dhe partitë kemi të drejtë për shtrat e ushqim ndaj na lënë pa ngrënë e të flemë nën qiell e kemi të drejtën për shkollim aq shumë sa kur mbaron shkolla mbetemi pa punë e kemi të drejtën e autorit, or mik nëse diçka mbetet pas vjedhjes së hapur në publik kemi të drejtë për një botë të lirë e të ndershme kur botën po e mbysin mizoritë e kokëprerjet askujt nuk mund t’i hiqet liria që gëzon ndërkohë që prej dhunimeve asnjë nuk të mbron. kjo është Deklarata e të Drejtave të Njeriut dhe këto që nuk i kam janë të Drejtat e mia… 2015

4


Traboini Poezi

E KAM ATDHEUN TEK PORTA Unë e kam Atdheun tek porta tek porta kam hyrjen e daljen valixhen e vogël dhe letrat e bardha për të shkruar të zezat e jetës dhe hallet.

Unë e kam Atdheun tek porta tek porta i shkrova këto vargje.

5

PANTHEON BOOKS EDITION

Sapo dal i vë kyçin derës e marr udhët e botës bekimin - a mallkimin e të parëve nëse marrosem, harrohem dhe lutjen e Nënë Terezës për kthimin.


Traboini Poezi

KËPUCËT E MIA TË VOGLA Dita e madhe e Shën Valentinit nuk e di, si mundi të vishte këpucët e mia të vogla ditën kur linda, kur zbrita prej një reje në qiell e rashë mbi një fletë trëndafili. Nuk e di, si mundi kjo ditë të mbështillej në shpërgenjtë e mi derisa erdhi ora të vishte pantallonat e mia të shkurtra në rritje nuk e di si mundi të pushohej Shën Valentini në faqen time adoleshencës t’i thoshte: - Eja, prej teje do të dalë një burrë në ikje nuk e di pse u ngjiz jeta ime në atë ditë pse lule mbolla aq shumë në kopshtin tim dhe pse petalet e buzëve aq shumë i dua duke ikur nga një qiell në një tjetër nuk e di, pse nga pas më ndjekin dashuritë e pse vargje pafund për to rri e shkruaj. Nuk e di, nuk e di pse dashuria më shfaqet si Dielli që del e më ngroh bash atë çast kur shpatullat i kam më të ngrira.

6


Traboini Poezi

E PAKRYER ...Na u kthye jeta paçka se në tërë aeroportet e botës njeri-tjetrin kërkuam kurrkund nuk më pe e kurrkund nuk të gjeta. Për ne të dy kjo jetë qenka e mbushur me pengje pasione endacake metamorfuar në brenga që do na mbijnë si shkurre mbi varr fole për zogjtë mardhacakë që pa dashuri u shkon jeta. ...Edhe në u takofshim edhe mos u takofshim tanimë që u thinjëm, është barabar! PANTHEON BOOKS EDITION

2007

7


Traboini Poezi

VETJA TEK TË TJERËT Një ëndërr që fle në qerpik s’është vetëm një ëndërr që fle është edhe një pikë vesë që thotë se diku pas malit dielli është në ardhje. Një fëmijë i vogël që ecën që rrëzohet, qesh dhe i lumtur vrapon është diç më shumë se një vogëlush është një djalë, një burrë, një gjysh që gëzon. Një vajzë që kalon në rrugë si pranverë s’është vetëm një vajzë që kalon është edhe një dallëndyshe në qiell që na thotë se kjo stinë do ketë dashuri. Gjithçka që vjen, që shohim, që kalon është vetja jonë mishëruar tek të tjerë nuk mund të shohësh, as ta njohësh dashurinë nëse në shpirt nuk ke një zog që këndon ...për të tjerët që kalojnë para teje.

8


Traboini Poezi

PALLATE PA DIELL Para pallatit tonë të vogël me tulla të kuqe ngritën një ndërtesë të stërmadhe gri që të kujton dinosaurët e lartë, hijerëndë e të egër.

PANTHEON BOOKS EDITION

Tani nuk kam më veç një përçik qiell e një çarçaf të verdhë varur në ballkon si diell...

9


Traboini Poezi

SHIRA LIRIKE Ju mbase nuk i ndjeni ato përditë bien në shpirtin tim e kur bien, në qiellin tim kuturisen zogj që çukisin lëvozhgat e reve e u thërrasin të gjithë atyre që janë në udhë të pambaruar: - Ikni! Shirat po vijnë! I vetmi që nuk ikën jam unë - sepse ato shira bien më shumë brenda se jashtë meje më sjellin fëmijërinë, ma zhveshin lakuriq e unë endem liqenit si një ëndërr e zgaqun në djepin tim prej uji. Një ninullë zbret nga malet me lumin Kir - lum me emër të lashtë sa bota: Nuk ka perandori më të madhe ujnash se Shkodra!

10


Traboini Poezi

DRURËT DHE NJERËZIT Vetmia - trishtimi i drurëve pa gjeth për njerëz që kanë humbur lumturinë. Vjen acari e dimri shpirtin krejt ta zhvesh, por nuk humbet shpresa ta gjesh në tjetër stinë

PANTHEON BOOKS EDITION

... edhe drurët edhe njerëzit: gjethet, lulet dhe dashurinë!

11


Traboini Poezi

GJITHE DITËN KAM QË TË KËRKOJ Kisha nevojë për fjalën tënde si nuk u gjende në telefon si harabelë më ikën vargjet dhe poezia keq çalon. Nëpër hapësira kontinenti gjithë ditën jam në ëndërrim ndër erërat që të përkëdhelnin si s’e dëgjoje zërin tim?! Gjithë ditën kam që të kërkoj nëpër stacione me mërzi se gjurmën tënde s’e kam gjetur në ç’kënd të globit ndodhesh ti? Në qiell shoh dy pata të egra në muzg-pikëllimin e kësaj bote e them më mirë të isha shpend se vargjet qenkan punë idiote. Dita me natën keq ngatërruar në këtë pranverë me angështi më bëjnë të ndjehem i harruar si balonë fëmijësh mbi çati... Gjithë ditën kam që të kërkoj ndoshta gjithë jetën kështu do të rri...

12


Traboini Poezi

DUA TE SHKOJ NE SHKODER Dua të shkoj në Shkodër! Më ka marrë malli për shegë Bahçallëku e buzë liqenit për një peshk në tjegull. Të isha fëmijë edhe një herë kisha me vrapue si i marrë nëpër rrugë pa frikë e drojë se kishin me më qeshë. Ah, si na iku jeta për duarsh e ujnat ikën në det për mos me u kthye ma kurrë. Edhe shiu nuk bjen ma si dikur.

PANTHEON BOOKS EDITION

Prej larg ma ban me sy një shegë unë pa e prekë me dorë nuk mundem me dekë!

13


Traboini Poezi

NUK TË KAM HARRUAR Të betohem për tërë zotat e qiellit për tërë hyjneshat e tokës të betohem për tërë ëndërrimet që fjetën bashkë me ty nëpër korije trembur prej fantazmash si pëllumba të egër, të betohem… Nuk të kam harruar as dhe një çast nëpër udhët që ngjita nëpër rrëpirat që më gremisën nëpër muzgje vetgërryese e agime në të cilat kurrë diellin të ngrihej në horizont nuk e pashë. Të betohem për çastin e mungesës, për trishtimin që ndjej kur nuk të shoh për udhën që më çon te pragu ku shpatullat i mbështes i vdekur prej rëndesës së gurit që më vuri largimi të betohem… Nuk të kam harruar edhe kur etjen e shuajta në puse të tjerë e vende të tjera të largëta kur hëngra bukë të gatuar nga duart e huaja e me gishtërinj preka gjoksin e një tjetre kur thitha lëngun e jetës prej buzësh të nxehta e u përvëlova në afshe dëshirash trupore nuk të harrova, nuk të harrova… Edhe pse pritja s’ka kuptim kurrë nuk e braktisa ëndrrën që sapo gjunjëzohet mbrëmja zhvishet e fle me ty lakuriq të betohem!

14


Traboini Poezi

KISHA DASHTË ME DEK PËR S’DYTI ...Edhe për së treti kisha dashtë me dek se dora jota ma solli dekën e bardhë por edhe në vdeksha njëmijë herë qoftë e njëmijta si vdekja e parë - kush dreqi po pyt!

Tash, që u tejkrye pjalmimi i jetës jam krejt i dekun derisa t’ringjallem për t’ma marr shpirtin, për dek të dytë i gatshëm jam për rimishërimin - kush dreqin po pyt! 9 qershor 2012

15

PANTHEON BOOKS EDITION

Vdekja në dorën tande ish aromë prilli tan lulet ma sollën polenin te kryt isha vet që të thashë: - tash ma xen frymën isha vet që të thashë: - më puth e më mbyt - kush dreqin po pyt!


Traboini Poezi

GJETHE VJESHTE U zutë për një fjalë krejt kot si gjethe që rrëzon prej një klithje të një shpendi që në muzg nxiton kur stinët janë në ndërrim e në ikje. Si të gjeti vallë vjeshta kështu me ndenjësen përballë në heshtje dikur ai rrinte aty e ty të shihte pa reshtje. Me vështrim e kërkon herë pas herë aty në kafenenë e vjetër si zog i harruar dimri me cicërima për zemrën tjetër. Tani ti në vetmi nuk flet po fjalë ke plot në kryengritje pse vallë të ikte e le e mbete në këtë vjeshtë në pritje? Ju pikëlloi vjeshta në sy erdhi dhe iku e bashkë s’ju gjeti të dy…

16


Traboini Poezi

NJË VERË E NXEHTË QË S’KTHEHET MË Ai breg i detit aq i nxehtë e ajo verë krejt e harbuar shkrinte brenda meje akuj me trupin tënd të përvëluar. Dhe dallgët vinin, shushurinin zogjtë grindeshin nën fletë me xhelozi dhe yjtë binin në atë verë, në atë det…

Sepse tani koha ka ikur të dy ne jemi në stinë të huaj por atë zjarr të përshkëndritur nuk ka as lumë, as det ta shuajë. 2014

17

PANTHEON BOOKS EDITION

E pres sërish, sërish të kthehet tek ndërrohen stinët një nga një pranvera, vjeshta, dimri vijnë por ajo verë nuk kthehet më.


Traboini Poezi

AKUAREL Do të vizatoj harkun e portës tënde e këndin e rrugës që kalove në mëngjes bredhin ku mbështete vështrimin e flakërimën e rrufesë që mes resh u përndez. Do të hedh në akuarel pikat e shiut që zbritën nga qiejt e të prekën, zogjtë që u gjendën të mardhur përjashta e në retinën e syve të tu strehëz gjetën. Do të skicoj imazhin e një taksie që të priste në Bel Avenju semaforët e kuq do t’i mbaj ndezur që ti të mos ikësh kurrë më që këtu. Do të hedh në telajo tulipanët e drojtur e tingujt e një pianoje të largët që mbinë si motiv në buzët e tua “For Elisa” që atë mëngjes shkrinte akuj. Do të marr çdo etyd që u gjend në udhën tënde me shpresë që brenda tyre sërish shfaqesh ti.

18


Traboini Poezi

RRUGA E PLUHURIT Sapo zbres nga pallati me numër 82 këmbët më takojnë në rrugën time më përshëndet pluhuri, një mi i ngordhur erë gjirizesh dhe qese plastike si sarkofagë nën mëshirën e erës. Fytyra e udhëheqësit në një pano stërmadhe me buzëqeshje idiote, sikur më thotë:

Një pllakë mermeri në një mur qerpiçi flet për Nënë Terezën-me emrin e së cilës spekullojnë shtetarët që punojnë tinëzisht për platforma otomane në Europën moderne.

19

PANTHEON BOOKS EDITION

-Shqipëria ka përparuar shumë duhet shkruar për gjëra të bukura! Vazhdoj të bashkjetoj me pluhurin zhytur thellë deri në mushkëritë e mia në rrugën time me emër dëshmori rënë për ideale të rreme.


Traboini Poezi

Eci në këtë rrugë që prej 100 vjet me shtëpi, letra, minj e njerëz që hyjnë e dalin në kufijtë e një shekulli. Edhe kur nuk kishim lindur, kështu ka qënë deri sa mbërritëm në këtë ngecje në pritje të një diçkaje që kurrë nuk po vjen. Edhe pse kam pasaportë USA citizien nuk më bëhet të iki prej kësaj humbëtire që shekulli e nxorri deri në vitin 2013 si deti që nxjerr algat në brigje. Këtu do të rri sado jeta të ketë dhimbje se rruga ime ështe bota ime e gjithçka që këtu gjallnon e vdes është pluhuri im tragjik që në lindje. 2013

20


Traboini Poezi

MA VODHËN ATDHEUN (Orakujt kanë zbritur në ferr)

Ende s’kisha lindur kur ma vodhën Atdheun e ngratë ca njerëz që hidhnin valle demonësh me tallava dhe me shpatë. Pastaj sërish ma vodhën Atdheun një brigadë endacakësh trushkalë si të ishin fise paganë me pushkën me gjalmë. Ma vodhën Atdheun së treti një turmë njerëzish të egër se veç shkatërrim mizori nuk dinin të bënin tjetër.

Pastaj gjithçka me themel u rrënua në rrugë u shfaq dhuna, frika kush ish njeri i mendjes e i dijes e vetmja rrugë që mbeti ish ikja. Trutharët bënin politikë të madhe zgjidhja u quajt shprishja, shkatërrimi çeku i bardhë me miliarda dollarë që do të sillte Perëndimi.

21

PANTHEON BOOKS EDITION

Ma vodhën Atdheun, të mjerin kur bëmë revolucionin e madh vandalët rrëmbyen flamurin e fronin e thanë: - E fituam këtë vakëf-land.


Traboini Poezi

Po Perëndimi dhe Lindja s’i merrnin punët me nxitim nuk kishin kohë të humbisnin me marrokët ëndërrimtarë të vendit tim. Të vendit tim ku ministra u bënë hajdutët e kopukët pa tru ata që në mitingje publike u shfaqën me pushkë e me hu. Ma vodhën Atdheun, sa keq kur i rrëmbenin vajzat në rini i shitën si të ishin skllave mesjete t’i pallonin kodoshët në Itali. Europa e lodhur tepër ligsht në luftra ballkanike barbarie kish nevojë të qetësohej disi me mish të bardhë Shqipërie. Ma vodhën Atdheun injorantët kur i rrafshuan lulishtet anembanë se njerëzit e egër nuk i duan lulet as në provincë e as në Tiranë. Ata kudo mbollën veç varre në kodra, në fusha, në male në qytete, në fshatra, në udhëkryqe varret i ngritën si lapidare.

22


Traboini Poezi

Koha tinzare ikte, si uragan mbi këtë vend e mbi këtë tokë u bënë pronarë e padronë kush merrej me prostituta dhe drogë. Dolën dhe ca dredhamanë të bëjmë politikë përparimi tashmë kryehajdutët ulërijnë -Përpara, na pret Integrimi! Njerëz gojëshqyer dinakë e tinzarë me dhëmbët peshkaqenë, si sharrë që njeri-tjetrin e shajnë në publik me rroc e me koc, me babë e me nanë.

Nuk ka liri kur je i papunë nuk ka liri kur nuk ke shpresë i mbetur në mes udhëve në mjerim njeriut s’i mbetet veç të vdesë. Ma vodhën Atdheun kur ika ma vodhën Atdheun si të mos ish erdh koha të ndjehem i huaj në vendin tim kur u shfaqa sërish.

23

PANTHEON BOOKS EDITION

Trumbetojnë lirinë që s’e kemi demagogët tanë kokëtrashë kinse nuk e dinë se nuk ka liri atje ku nuk ka as bukë të hash.


Traboini Poezi

E vetmja mundësi është të thërras deri në kupë të qiellit me zërin prush: -Ma vodhën Atdheun! Ma vodhën! po këtu nuk të dëgjon më askush. E as mos kërko të gjesh fajtorin se shkon si bagëtia për lesh më e lehtë është të gjesh varrin tënd se hajdutin, kopukun e vrasësin të gjesh. Jeta e njeriut nuk ka më vlerë veç ikja tej detesh mbetet si mundësi kështu vandalët e kanë më të lehtë ta shalojnë të mjerën Shqipëri.

Tani jam si një pellazg pa vendlindje një shqiptar mërgimtar – pa Shqipëri e vetmja strehë ku mund të vë kokën është një vrimë miu me emrin shtëpi. Sepse, o Zot, çdo gjë mbi këtë dhé në këtë tokë ku farë urrejtjeje mbollën ca qen bir qensh të vendit tim ma shkatërruan, ma vranë, ma vodhën.... Nga libri “Orakujt kanë zbritur në ferr” 2015

24

PANTHEON BOOKS EDITION

Tani këtë vend e sundojnë Ali Babat me dyzet hajdutë qeveritarë me deputetë si mumje egjyptiane e një popull që u shkon nga pas si i marrë.


Traboini Poezi

Petalet e bajames së hidhur - tregime, 1973 Balada e largësive - album poetik, Athinë 1995 Rapsodi Ushtore - satirë, Athinë 1995 Gjurmë në histori - letërsi dokumentare, Athinë 1995 Katërkëndëshi i mundimeve - roman, 2000 Mos vdis dashuri - poezi, 2002 Nokturn - poezi, 2004 Requiem për një gjethe - poezi, 2005 E vërteta përvëluese e Aristidh Kolias - esè, 2005 Trinia ime - poezi, 2006 Lufta e maleve-Palok Traboini - esè, 2006 Koha e prostitutave - lirika & etyde, 2007 Bukuri shkodrane - esè, 2007 Itaka Grua - lirika, 2008 Kujto Poetin (bashkautor) - antologji poetike, 2011 Lule Pellazgjike - lirika, 2012 U dashka të dal natën vonë- poezi, 2012 100 poetë për dashurinë(bashkautor)-antologji, 2012 Flamuri në Deçiq- Palok Traboini 1911, - 2012 Zhgënjimi i Ambasadorit amerikan - esé, 2012 E kam Atdheun tek Porta - poezi, 2013 Dashuri- 200 lirika të zgjedhura, 2013 Çamëri-Zemra ime (bashkautor) - antologji, 2014 Aristidh Kola - esé, 2014 Fajin e ka Hekuba - poezi, 2014 Orakujt kanë zbritur në ferr - poemë, 2015

25

PANTHEON BOOKS EDITION

LIBRA TË AUTORIT


Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.