The Albanian October 2008

Page 16

LONDON OCTOBER 2008

NGA YLBER MEMIA Nuk e kemi fjalën për llumin e baltën e rrugëve që tani që vjen dimri nis e i shtohet peizazhit të mëmëdheut. Me ato shqiptarët janë mësuar. Vënë nga një shkorsë të trashë te dera e shtëpisë dhe madje i heqin dhe këpucët sapo hyjnë, kur dëgjojnë ulërimën e zonjave të shtëpisë se kanë sjellë baltën brenda. Me kusuret e tjera që sjell llumi e balta janë mësuar. Po ç’t’i bësh, kur llumi e balta përmbytin opinionet tona, fjalëzimin e artikuluar nëpërmjet medias së shkruar e audiovizive, internetit, foltoreve publike e kafeneve, ku lëviz kakofonia më e shthurur, më e pistë e më e palogjikshme që mund të prodhojë raca njerëzore mbi dhé? Këtë nuk ka shkorsë e amvisë ta pastrojë dhe e akumuluar ditë pas dite ajo kthehet në një murtajë të vërtetë për veprimin qytetar, për përparimin dhe qenien tonë normale si njerëz. Ky llum e baltë është llafazanëria e papërmbajtshme shqiptare, dhënia mend për çdo gjë të botës që nga kokrra e misrit e deri te problemet e kuarkeve bërthamore, hamendësimet groteske e të kotmëkota, nxirja e përbaltja e gjithkujt që ka patur fatin të lindë e të jetë shqiptar në këtë botë, bjerrja e logjikës, gjuha e degraduar në dialektalizma banale dhe zhargonet maçoiste që të kallin krupën. Kujt i duken si shumë këto që përmenda këtu, le të dalë e të rrijë ca ditë kafeneve të Tiranës, t’u hedhë një sy gazetave në mëngjes e të shohë stacionet televizive në darkë dhe pastaj të hyjë në internet e të shohë forumet e gazetave dhe blog-et e website-t shqiptare. Aktualisht, shprehja kësisoj e opinioneve, në mënyrën më të çorganizuar, kaotike e skandaloze që mund të bëhet, është një zeje moderne shqiptare që lë në hije të gjithë veprimtarinë tjetër jetësore të këtyre qenieve humane. Një i huaj, dashamir i Shqipërisë, që ka qenë atje disa herë, më pyeti një ditë: “A ka ndonjë njeri të shquar e të ndershëm në Shqipëri?” “Çfarë flet, - i thashë, - ka sa të duash.” “Mirë”, - qeshi miku, - më thuaj vetëm nja dy a tre.” Unë mblodha supet dhe po mendohesha, po ai nuk më la. “Ja, - tha, - ç’mendon ti për këtë... ja dhe ky tjetri?”, - dhe përmendi disa emra që njihen në jetën shqiptare. “Po, thashë, - ja këta për shembull.” “Po shiko se çfarë thuhet për ta”, - ma rrëmbeu fjalën miku dhe i paduruar më renditi pasazhe gazetash, forumesh e blog-esh, ku këta persona deklaroheshin hajdutë me çizme, tradhtarë të kombit, agjentë të huaj e ku di unë çfarë tjetër. Që të lëmë mënjanë se si u bënin biografitë një më një e i shanin edhe nga nënat. E pra, a ka vërtet ndonjë politikan, deputet, ministër, specialist, ndonjë shkencëtar, gazetar, aktivist qytetar që të jetë i ndershëm në këtë qerrata vend? Se po t’i besosh llumit e baltës shqiptare, të gjithë janë të përmjerrë si ato kumbullat e Nastradin Efendisë. Flitet për vjedhje, korrupsion, shpërdorim të pushtetit dhe të gjitha këto janë reale. Po dreqi ta hajë, jo të gjithë vjedhin, janë të korruptuar e shpërdorojnë. Por jo, të gjithë akuzojnë dhe akuzohen në Shqipëri, rrugë të mesme nuk ka. Teorira pa fund, hipoteza e dyshime, për të cilat vihet dora në zjarr (figurativ), po që nuk vërtetohen; përçartje logjike: ky është

16

Llumi e balta shqiptare...

i grekut, ky i serbit, ky i Bin Ladenit, ky ka vjedhur kaq, ai aq, ky merret me këtë e atë, se ma ka thënë kushëriri i një mikut të komshiut që kam në kat. (Për të hapur një parantezë, do të thoshim se përbaltja e gjithkujt dhe e çdo gjëje lë dukurinë negative pa goditur. E bën atë të majmet e të zërë kryet e vendit. Pa dyshim që në Shqipëri ka korrupsion. Por kur ti bën hajdut cilindo, i ke dhënë amnisti hajdutëve të vërtetë. Pa përmendur pastaj se sa energji e punëra të dobishme bjerren më kot, kur njerëz të ndershëm shohin se goditen, shahen, shpifen e mallkohen e kuturisin të mbyllen në guaskën e tyre.) Vija re ditë më parë reagimin ndaj një shkrimi të botuar nga Fatos Lubonja për një shkrimtar shqiptar zënë për transport droge në një kufi. Shkrimi ngrinte me mjaft mençuri probleme mjaft të mprehta për shoqërinë. Ndërsa kur lexoje komentet që i bëheshin shkrimit, hyje drejtpërdrejt në zonën e llumit e të baltës. Ca i binin gozhdëve e ca të tjerë patkonjve. Dhe sa të shumtë këta gozhdë e patkonj! Shumë nga ta të jepnin për-

shtypjen se nuk e kishin lexuar shkrimin, por nxitonin që të thoshin komentin e tyre. Njëri i turrej artikullshkruesit dhe i kujtonte ca histori të vjetra. Tjetri e këshillonte që të shkruante për atë e për këtë. Një tjetër hapte kotmësikoti temën, nëse duhet apo jo Lidhja e Shkrimtarëve dhe një tjetër jepte shembullin se në SHBA qenka një shkrimtar që jeton në pyjet e Virxhinias dhe ai nuk ka fare nevojë për Lidhje Shkrimtarësh. Hajde mendje, hajde! Hajde erudicion, hajde! Hajde fluturim me presh, hajde!

Pse ndodh kjo kakofoni amorfe në mendimin dhe opinionin shqiptar që nuk gjendet kund në botë? Ç’përfundim del nga bisedat e kafeneve dhe diskutimet në TV, forume e blog-e interneti? Shpeshherë nuk del asnjë përfundim ose del ai përfundimi që shfaqet rëndom si në llumin e trishtueshëm të kafesë: se ky vend nuk bëhet kurrë. Pjesëmarrësit në orgji të tilla diskutimesh lënë fushëbetejat e iu kthehen për pak çaste punëve të veta, të kënaqur se shfrynë dufet. Dhe kaq.

Pse vallë ndodh kjo? Vitet e para pas demokracisë, kur vija re këtë gjendje, thosha me vete se do të kalonte për pak kohë. Arsyetoja se, ngaqë dilnim nga një rend i egër diktatorial, ku futeshe në burg edhe po të thoshe se llambat e Vlorës digjen më shpejt se ato të jashtmet, qemë të etur të flisnim e të flisnim për të gjitha ç’na donte shpirti dhe kjo llafazanëri justifikohej pra me lirinë. A jemi të lirë? A është e lirë fjala, mendimi e shprehja? OK, atëherë jepi, o burra! Por tani që shoh se kjo u zgjat shumë dhe u shtua edhe më prapa përçartjeve të kafeneve, gazetave, radiove, TV, forumeve e blog-eve me skalionet e anonimatit që s’lënë kusur dhe nuk mbetet vlerë e jetës shqiptare pa u shndërruar e përdhosur, them se arsyeja është gjëkundi tjetër. Është te kultura që kemi ne si komb. Përgjithësisht ne na mungon njerëzillëku, kultura e të qenit njeri, qytetar. Probleme si tonat ka e gjithë bota. Po jo të gjithë prodhojnë kaq llum e baltë. Jo të gjithë, si ne, thonë të parën fjalën që duhet thënë e fundit apo nuk thuhet kurrë. Jo të gjithë, si ne, luftojnë personin e jo problemin (që e

harrojnë fare), jo të gjithë, si ne, hiqen se i dinë të gjitha e i bëjnë të gjitha, jo të gjithë si ne rrëmbehen e pasionohen në kulm edhe për biseda fare të thjeshta, sikur nga to të merret vendimi për jetë a vdekje i planetit, jo të gjithë si ne jepen pas fjalëve dhe harrojnë se veprimi është ai që e shpie përpara kombin e shoqërinë. E pra, duhet më shumë kulturë qytetare që të reshtë zhaurima e shëmtuar e llafazanërisë shqiptare. Ky llum e kjo baltë prodhohet në Shqipëri dhe në botë, kudo që jetojnë shqiptarët. Dhe ata që jetojnë sot jashtë janë një e treta e atyre që jetojnë në vend. Dhe po të marrim parasysh pjesën e popullsisë brenda vendit që nuk ndërhyn në këtë zhaurimë, madje ndoshta edhe nuk di gjë për të, ashtu të zhytur në hallet e përditshme të jetës, ndoshta kontributi nga jashtë është më i madh se nga brenda. Do të ishte e turpshme dhe e dhimbshme që shqiptarët jashtë Shqipërie të sillnin në mëmëdhe llum e baltë dhe jo kulturën e vendeve ku kanë shkuar e jetojnë. Për asgjë nuk ka nevojë ky vend më shumë se për kulturën.


Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.