Gjuha Shqipe kl 7

Page 115

Përralla dhe histori të vërteta

Këshilla për Domenikun a. Ndero prindërit, çmo miqtë, bindju ligjeve. b. Sillu ndaj prindërve, ashtu siç do të dëshiroje të silleshin fëmijët e tu ndaj teje. c. Mos shpreso kurrë se, në bëfsh ndonjë punë të ligë, nuk do të merret vesh, se, edhe në mos e mësofshin të tjerët, ti vetë do ta dish. ç. Lakmo kënaqësi që i shoqëron lavdia, se e mirë është ajo kënaqësi që bashkohet me të mirën, kurse pa këtë është gjëja më e keqe. d. Dituria ka vlerë më të madhe se pasuria, e cila mund të zhduket shpejt, kurse dituria mbetet për jetë. Nga tërë pronat vetëm dituria është e pavdekshme. Mos përto të marrësh udhë të gjatë për të shkuar atje ku mund të fitosh dije të gjera. Është turp për të rinjtë që përtojnë të udhëtojnë në tokë për të fituar dituri, kur tregtarët çajnë dete të tëra me qëllim që të shtojnë pasurinë e tyre. dh. Ji i njerëzishëm në sjellje dhe i ëmbël në fjalë. I njerëzishëm do të thotë të sillesh mirë me çdo njeri që gjen përpara. I ëmbël në fjalë do të thotë t’u drejtohesh me fjalë të ëmbla të gjithëve, sikur të flisje me njerëzit e tu. Me të gjithë të sillesh ëmbël, po marrëdhënie të ngushta të kesh vetëm me njerëzit më të mirë; se kështu nuk do të të urrejë njeri, kurse me ata do të bëhesh mik. e. Në zemërim e sipër duhet të sillesh me fajtorët, ashtu siç do të dëshiroje që edhe të tjerët të silleshin me ty, po të bëje ndonjë faj. f. Ruaj më tepër fjalët e fshehta, sesa të hollat që t’i ka besuar dikush; njeriu i mirë duhet të tregojë që më shumë duhet t’i besosh karakterit të tij, sesa betimit që bën. g. Të mos bësh mik asnjë njeri, pa vërejtur se si sillet me miqtë që ka; duhet të mos kesh dyshim se ai do të sillet edhe me ty, ashtu siç është sjellë me ata. Mos u bëj mik me tjetrin shpejt e shpejt, po, pasi të bëhesh, mundohu të qëndrosh mik deri në fund, se, sikur është turp të mos kesh asnjë mik, ashtu është turp edhe t’i ndërrosh shokët herë pas here. Mos kërko t’i provosh miqtë duke dëmtuar veten, po edhe të mos i zgjedhësh pa i provuar fare; e këtij qëllimi do t’ia arrish, në qoftë se bën sikur ke ndonjë nevojë, të cilën në të vërtetë nuk e ke.

Sokrati Këto pjesë janë shkruar nga Sokrati, një figurë e shquar e antikitetit grek. Ai dallohet për këshillat e çmuara morale që jep, të cilat kanë vlerë edhe për ditët e sotme.

lakmoj - kam dëshirë të madhe e të pangopur për të pasur për vete diçka a dikë. lavdi-a - emër e nderim i madh që fiton dikush me veprat e tij të shquara dhe që njihet nga të gjithë. përtoj - më mungon vullneti dhe dëshira për të punuar. i njerëzishëm - që sillet mirë, si njeri.

115


Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.