Koha Ditore

Page 61

qenë e paraparë se Rugova, Bukoshi dhe Veton Surroi do të takoheshin në Gjermani me ministrin e Jashtëm, Klaus Kinkel, takim për të cilin Veton Surroi kishte kërkuar ndjesë duke thënë se nuk do të mund të merrte pjesë derisa Kosova vazhdon të jetë në luftë. Po atë ditë në rajonin e Dukagjinit, Surroi kishte shoqëruar emisarin amerikan, Holbrooke, në Deçan dhe më pas edhe në Junik, ku Holbrooke ishte takuar për herë të parë edhe me UÇK-në. Një pikë e madhe kthese ishte shënuar atë ditë. Po atë ditë, gazeta nxirrte Surroin në deklarimet e bëra pas vizitës së Holbrooket duke thënë: “Nuk ka kthim në gjendjen çfarë ka qenë”. Pa kaluar as 48 orë prej vizitës në Junik, protagonisti i “bulldozer-diplomacisë”, Holbrooke, i kishte trazuar shpirtrat me një konstatim të jashtëzakonshëm duke deklaruar: “Kijeva është vendi më i rrezikshëm në Evropë”, derisa fshati mbetej nën rrethimin shtatëjavësh të UÇK-së me rreth 200 civilë serbë dhe 20 policë serbë të bllokuar brenda dhe brenga e madhe ishte se Beogradi do të fuste ushtrinë për të detyruar UÇK-në të zmbrapsej duke përshkallëzuar kësisoj konfliktin në ekstrem.

Një ditë më herët edhe Gelbard ishte takuar me dy përfaqësues të lartë të UÇK-së në Zvicër. “Koha Ditore” sillte një raport të “New York Times”-it në të cilin gazeta amerikane raportonte për takimin, tri ditë më pas, pa dhënë hollësi rreth asaj se kush ishin ata. Më pas është vënë në pah se kanë qenë Bardhyl Mahmuti dhe Xhavit Haliti. Një ditë para se të ndodhte ai takim, James Rubin kishte deklaruar në Departamentin e Shtetit se një takim me udhëheqjen politike të UÇK-së mund të ndodhte së shpejti dhe se Milosheviqi duhet ta pranonte atë fakt. Në ditën e fundit të qershorit 1998 në një blic-ofensivë, serbët kishin hyrë në Bardh të Madh (Bellaqevc) dhe e kishin futur nën kontroll atë duke lënë pas tre të vrarë. Më 3 korrik gazeta duke raportuar një kthesë të sërishme në qëndrimin e Washingtonit sillte në ballinë një raport ekskluziv me titull: “Washingtoni: Rugova nuk mund të flasë në emër të UÇK-së”. Një ditë më pas gazeta raportonte për sulmin masiv të nisur kundër Kijevës dhe rajonit të gjerë, por vinte në pah se Kijeva sërish qëndronte nën kontroll të UÇK-së. Ndërkaq më 6 korrik gazeta kishte filluar të raportonte për një luftë të ashpër në disa raste frontale në Loxhë, gjatë së cilës ishin vrarë të paktën 10 policë serbë dhe të paktën pesë shqiptarë. Në një nga ballinat e atyre ditëve ishte edhe komandanti i FARK-ut, Tahir Zemaj, ndërkaq gazeta sillte në reportazhin e Reutersit prej ngjarjes deklarime të supozuara të Ramush Haradinajt, atëbotë i dyti në hierarkinë që komandonte luftën në Dukagjin. Pas pak ditësh serbët kishin rrethuar edhe Strellcin dhe me atë rast ishin vrarë edhe 5 policë serbë, siç raportonte gazeta. Ashtu siç kishte paralajmëruar Holbrooke më 6 korrik, Kosovo Diplomatic Observer Mission kishte filluar monitorimin në Kosovë – rreth 200 vëzhgues, të paarmatosur do të vëzhgonin terrenin dhe palët që nga ajo ditë për afro katër muaj. Derisa konfrontimet sporadike në pjesë të ndryshme të fronteve të hapura vazhdonin më 9 korrik 1998 ushtaraku Naim Maloku, atëbotë epror i lartë i UÇK-së, dhe tash anëtar i Kryesisë së AAK-së, pati deklaruar në “Kohën Ditore” në një intervistë ekskluzive: “Sot më se 50 për qind e territorit të Kosovës është nën kontroll të UÇK-së”. Në këtë periudhë, gazeta ka nxjerrë intervista ekskluzive me Malokun dhe me sekretarin e përgjithshëm të PDK-së, Jakup Krasniqi, në atë kohë i emëruar zëdhënës politik i UÇK-së. 61


Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.