Koha Ditore

Page 15

Ta rizëmë kohën Ekzistojnë së paku tri arsye pse vendosëm të dalim sërish. E para, gjithsesi është se dy vjet e gjysmë pas ndërprerjes së gazetës, dhe me gjithë kushtet e atmosferën në të cilën jetojmë, grupi i krijuesve të KOHËS, megjithatë, kishte energji që edhe një herë të ndërmerrte një punë sa të rëndë aq edhe përgjegjëse: ta kthente konceptin e news-magazinit në gjuhën shqipe. Gjatë kësaj periudhe që nuk dolëm në kioske, do të duhej pritur që hapësira, të cilën e lamë të plotësohej me një grup tjetër njerëzish, me ide të reja dhe me energji më të madhe, dhe se në shqipet nuk do të mungojë revista e profilit tonë. Megjithatë, kjo nuk ndodhi. Dhe, me gjithë kufizimet, me të cilat ndeshet një ndërmarrje e re profesionale në Kosovë, apo edhe më gjerë në hapësirën shqiptare, KOHA, është sërish në duart tuaja. Me intencën tonë, një revistë profesionale, e pavarur ekonomikisht dhe politikisht, jashtë çdo diktati, pos atij që i parashtrojnë rregullat e gazetarisë. Arsyeja e dytë, që mund të interpretohet qoftë si shkak, qoftë si shtytje plotësuese, është se për projektin KOHA është i interesuar Fondacioni SOROS (me zyrë në Beograd, Prishtinë dhe Shkup), fondacion ky që në fushën e informimit në gjuhën shqipe në Prishtinë dhe Tiranë dha përkrahje të rëndësishme materiale. Falë një angazhimi të rëndësishëm të Fondacionit SOROS, u fuqizua ideja e daljes së serishme të KOHËS. Arsyeja e tretë, dhe e treta jo për nga rëndësia, janë vetë lexuesit. Në politikë shpesh thuhet se çdo populli e meriton udhëheqjen politike që e ka; përkthyer në fushën e gazetarisë kjo moto do të shndërrohej në “çdo populli e meriton informimin që e ka”. Ne mendojmë ndryshe, së paku për këtë periudhë të kaluar. Lexuesi në shqipet ka merituar

më shumë cilësi të informatës sesa që ka pasur. Dhe nëse ne pretendojmë të bëjmë diçka, atëherë nuk duhet të udhëhiqemi nga bindja se kemi krijuar një revistë që e meriton populli, të cilit i adresohemi, porse po krijojmë revistë, e cila do ta fitojë besimin e lexuesit në shqipet. Për ta merituar besimin e lexuesit. A ka merituar populli këso reviste apo ndonjë tjetër, le të jetë objekt debati, fundja edhe në faqet tona. Qëndroni me ne. Ne përpiqemi ta zëmë, siç thotë titulli i revistës sonë, KOHËN. 15


Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.