Issuu on Google+

DITARI NGA – LUGU I ZAJAVE – 2011 Nisja për këtë marshutë është bërë të dielen më 13.11.2011 nga Hotel Pashtriku – Gjakovë, dhe nga Lagjja Mulla Jusuf, në ora 7.00, ndërsa kthimi në ora 19.30 minuta. Pjesëmarrës ishim gjithsej 29 veta, ndërsa Arben Nagavci, Blerimi dhe dy shokë të tjerë kishin ardhur nga Prishtina me një veturë. Udhëtuam me autobusin e Qiri Tours-it, nëpër doganen e Qafës së Morines, qytetin e Bajram Currit, përtej fshatit Dragobi, nëpër Hajdaraj dhe nëpër Luginën e Valbonës gjer tek restoranti i parë para Fushes së Gjes. Nga aty ecjen e filluam në ora 9.30 minuta, nëpër natyrë shumë të bukur dhe kohë të kthjellët e të përshtatshme por mjaft të ftohët. Fillimisht shtegtuam nëpër shtigje jo të vështira, për të vazhduar pastaj nëpër natyrë të gjelbëruar dhe të rrethuar me bjeshkë të larta. Gjatë këtij shtegtimi poashtu mund të vërehej ngjajshmëria e atyre bjeshkëve me të gjitha bjeshkët tjera të Lugines së Valbones. Gjersa po shtegtonim nëpër atë luginë, nga shumë pozicione shihej nga afër edhe maja e Jezerces. Kah fundi i shtegut, gjegjësisht para arritjes tek rranza e bjeshkës shtegtuam përmes pyllit dhe nëpër shtigje të pa definuara. Ishte ora 11.30 minuta kur mbërritëm tek fundi i lugut, gjegjësisht tek rranza e bjeshkës e cila përtej të shpiente tek Jezerca. Ky shteg për ne ishte i panjohur, prandaj po hulumtonim shtegun e vërtetë për në Jezercë. Nga vështrimi që po bënim nuk mund të konstatonim asgjë. Pasi që po bënte ftohët dhe temperatura ishte 4 °C nën zero, shumica e pjesëmarrësve aty ndërprenë marshimin dhe filluan ndezjen e zjarrit dhe akomodimin për të pushuar dhe ngrënë. Njëri grup prej tetë vetash, në krye me Islamin dhe Skenderin vazhduan hulumtimin dhe shtegtimin në të djathtë të bjeshkës, ndërsa unë kisha bindjen se shtegu i kërkuar duhet të ishte në të majtë të bjeshkës, prandaj së bashku me Besnikun vazhduam hulumtimin në të djathtë. Na ishte bashkangjitur njëri nga shokët e Prishtinës i cili shumë shpejtë është ndarë nga ne duke marshuar përmes bjeshkës por shumë shpejtë kishte vërejtur se nuk gjendej në shtegun e duhur prandaj dhe ishte kthyer prapa. Së bashku me Besnikun disi me nguti për t’a kryer qëllimin që i kishim vënë vetes, si dhe për të mos na zënë muzgu në mal po vazhdonim marshimin nëpër shteg pjesërisht të ngrirë dhe shumë të ashpër. Po marshonim duke u kacavarur nëpër gurë dhe drunjë. Edhepse ky lloj marshimi për të pushtuar atë pjesë të bjeshkës ishte mjaft i vështirë dhe i rrezikshëm, kurreshtja nuk na lejonte që t’a ndërpresim atë marshim prandaj ashtu vazhduam gjersa arritëm tek pjesa e epërme e bjeshkës, gjegjësisht pak para përfundimit të atij shtegu. Gjendeshim në pozitë shumë afër majes së asaj bjeshke prej nga vërehej dhe mund të konstatohej se ai ishte shtegu i duhur për të kaluar nga Lugu i Zajave në Jezercë, por mjaft i rrezikshëm. Edhepse ishim njëzet metra më ulët se maja e kërkuar, prapë se prapë për shkak të rrezikshmërisë kërkohej edhe një orë kohë për të kaluar edhe atë pjesë të shtegut dhe kthyer gjer tek vendi ku gjendeshim. Ishte ora 13.30 minuta dhe nuk kishim mundësi që të vazhdonim tutje, sepse do na zinte errësira nëpër bjeshkë, prandaj aty e ndërpremë marshimin. Poashtu edhe për shkak të ftohtit që po bënte nuk kishim mundësi as për të pushuar si duhet, dhe as për të ngrënë. Sa për të akumuluar pakë energji të nevojshme pasi që ishim edhe mjaft të lodhur, kemi pirë ngapakë ujë, ngrënë diçka të vockël dhe menjëherë pas dhjetë minutash pushimi filluam zbritjen. Si gjithherë zbritja ishte më e rrezikshme se sa ngjitja përpjetë. Na është dashur që të zbresim nëpër tatëpjeta shumë të ashpra duke u kacavarur nëpër gurë dhe drunjë. Rreziku na përcillte në çdo hap, prandaj nevoitej koncentrim dhe kujdes i vaçant. Çdo rrëshqitje këmbe do të ishte fatale sepse më së paku do shkaktonte lëndime të rënda, ndërsa që t’i ofrojmë ndihmë njëri tjetrit ishte e pamundur. Poashtu çdo vonesë sado e vogël, do të bënte që të na zinte errësira në mes të bjeshkës, gjë që do të ishte e papërballueshme në atë të ftohët. Ashtu ngadalë dhe plotë kujdes zbritëm gjer tek zjarri i cili nuk kishte njeri afër e që ende po ndizej në afërsi të një guri të madh të asaj bjeshke. Aty ishte pika e fundit e Lugut të


Zajave, e lmd prej 1500 metrash, prej nga ne ishim ndarë nga shokët. Tek ai zjarr jemi ngrohur vetëm pesë minuta, aq sa Besnikut i është nevoitur kohë për t’a ndërruar ndresen e brendshme, dhe menjëherë kemi vazhduar zbritjen. Nga aty kthimin e bëmë në të majtë, andej kah shtegu i cili ka kohë ishte shenjëzuar nga shokët tonë, Tekiu dhe Nezhdeti. Tani e kishim kaluar rrezikun dhe së bashku me Besnikun nëpër qetësi apsolute po shtegtonim nëpër shtegun e vërtetë të Lugut të Zajave. Gjatë gjithë shtegut vështronim markimet që nëpër gurë gjatë kthimit i kishte bërë Skenderi. Ashtu duke soditur atë natyrë të bukur dhe duke zhvilluar biseda me Besnikun nga më të ndryshmet, pakë para muzgut gjegjësisht në ora 16.30 minuta, arritëm poshtë tek shtrati apo burimi nëntokësor i Lumit Valbona, ku në shpejtësi jemi pastruar dhe menjëherë kemi shkuar tek restoranti ku me padurim dhe plotë kurreshtje po na prisnin shokët. Me të hyrë brënda në restorant, të gjithë nga gëzimi na kanë aplauduar dhe uruar për shtegtimin apo eksplorimin që kishim bërë. Fakti që unë dhe Besniku nëpër atë kohë të ftohët kishim shtegtuar nëpër shteg mjaft të rrezikshëm, dhe se gadi kishte rënë muzgu ndërsa ne gjendeshim të vetmuar në mes të bjeshkës, i kishte bërë të gjithë që të merakosen për fatin tonë. Poashtu me të hyrë brënda shokët menjëherë na kanë bërë vende në tavolinen ku ata tashmë ishin akomoduar. Aty brënda po ndizej një stufë e cila me ngrohtësinë e sajë e kishte gjallëruar atë ambient. Ashtu duke u freskuar edhe ne me nga një birrë Tirane, dhe duke ngrënë nga një kafshatë bukë, i njoftuam shokët për atë që kishim përjetuar dhe kaluar atë ditë. Në atë ambient të ngrohët që tashmë ishte shtuar edhe disponimi filloi të buçis edhe kënga. Pasi që të gjithë po na prisnin për të vazhduar rrugën e kthimit, shpejtë përfunduam me të ngrënë dhe në ora 17.00 filluam kthimin për në Gjakovë. Në autobus i ulur afër Skenderit dhe Xhelalit, gjatë gjithë rrugës kemi kënduar së bashku me shokë duke e përcjelluar muzikën që po e lëshonte Xhelali nga paisja e tijë muzikore. Pas një udhëtimi të ngadalshëm dhe të qetë, në ora 19.30 minuta mbërritëm në Gjakovë. Përgjithsisht ishte kjo njëra ndër ekspeditat mjaft atraktive që kemi pasur. Unë dhe Besniku duke hulumtuar shtegun që patëm për synim, përjetuam mjaft edhe rreziqe, të cilat na lanë mjaft mbresa. Arritëm të konstatojmë se shtegu nëpër të cilin ne marshuam ishte shtegu i vërtetë i cili të shpie për në Jezercë, por për shkak të rreziqeve të mëdha nuk do të ishte e udhës që t’ju preferohet bjeshkatarëve të zakonshëm. Edhepse ishte ditë e ftohët, relaksimi, përjetimet dhe mbresat bënë që kjo ekspeditë të ketë vend të vaçant në historikun e bjeshkatarit. Përfundimisht kaluam: Udhëtim me autobus: 5.00 orë ( 2.30 + 2.30 ) Ecje këmbë: 6.50 minuta ( 4.00 + 2.50 ). Ecje gjatësi rrugore: 16 km. ( 8 + 8 ) Ecje këmbë m/lmd: 1007 m /lmd ( 935 - 1942 ). Është llogaritur nisja nga restoranti para Fushes së Gjes i ci gjendet në lmd prej 935 metrash, gjer në majen e bjeshkës, mbi Lugun e Zajave, gjegjësisht në majen përballë Jezerces. Përshkroi : Ilir Lyta SHBA “ Pashtriku “ Gjakovë Gjakovë, më 13.11.2011


Lugu i Zajave 13.11.2011