Issuu on Google+

DITARI NGA – MAJA ROPS – 2011

Nisja për këtë marshutë është bërë të dielën më 30.10.2011 nga Hotel Pashtriku – Gjakovë në ora 6.00, ndërsa kthimi në ora 19.00. Pjesëmarrës ishim gjithsej 26 veta. Udhëtuam me 2 furgona, nëpër Gryken e Deçanit, përtej Hidrocentralit Lumbardhi, gjer tek bazeni i hidrocentralit i cili gjendet në lmd. prej 1200 metrash, prej nga në ora 8.00 filluam marshimin për të arritur në ora 13.00 në Majen e Rops. Gjatë gjithë ditës na ka përcjellur kohë me diell dhe shumë e përshtatshme. Kemi marshuar dhe kaluar nëpër natyrë dhe bjeshkë shumë të bukura. Së pari për shkak të devijimit të shtegut kemi arritur tek një shkëmb i cili gjendej në 1700 metra lmd dhe përballë majes së Rops. Nga aty kemi zbritur poshtë tek disa stane ku gadi gjysma e pjesëmarrësve vendosën ta ndërpresin marshimin dhe të akomodohen në atë rudinë dhe vend të mrekullueshëm përballë bjeshkëve të bukura të cilat po shëndrisnin nga rrezet e buta të diellit. Gjersa po pushonim në atë lëndinë të bukur, unë i qerosa shokët me nga një çokolatë të vogël për shkak se këtë ditë i kisha mbushur 52 vite, me çrast pranova nga shokët shumë urime të sinqerta për këtë ditëlindje. Nga aty gjer në majë na kishin mbetur edhe tri orë ecje, gjëgjësisht edhe tetëqind metra lartësi. Shumë më pëlqente të qëndroja edhe unë në atë lëndinë të mrekullueshme dhe aty të relaksohesha këtë ditë, por nga kurreshtja për t’a pushtuar majen të cilën nuk kam pasur rast ta pushtoj më parë vendosa që të vazhdoi tutje. Mbi gjysma e pjesëmarrësve vazhduam shtegtimin për në majë. Na kishte mbetur pjesa më e mundimshme e shtegut, por natyra e bukur dhe koha me diell i cili ngapak po na ngrohte bënë që t’a përballojmë edhe këtë pjesë të shtegut dhe në ora 13.00 të arrijmë në majen e Rops të lmd prej 2501 metrash. Aty mbërritëm për një gjysmë ore të gjithë me radhë duke filluar si zakonisht nga Daja Loma. Nga ajo majë e cila konsiderohet si qendra e Bjeshkëve të Nemuna, koha e kthjellët na mundësoi që t’i shohim të gjitha bjeshkët përreth. Shumë qartë shihej bjeshka e Marjashit, Kopranikut, Çvrle, Gjeravica, Jezerca, e shumë e shumë të tjera. Këtë ditë ishte rasti i parë që unë po e kremtoja ditëlindjen në majë të bjeshkës, prandaj aty edhe një herë shokët me ngrohtësi më kanë uruar këtë ditë. Ishte kjo një ndjenjë e vaçant e cila gjithsesi do mbahet mend. Pasi që bëmë ca foto, soditëm mirë ato bukuri të natyres jemi akomoduar dhe kemi ngrënë. Edhe pse bënte ftohët ashtu kemi qëndruar gjer në ora 14.00, kur dhe filluam zbritjen poshtë bjeshkës për tek shokët. Nuk vonuam shumë dhe arritëm tek vendi ku ishim ndarë nga shokët, por tashmë aty gjendej vetëm zjarri i cili ende po digjej sepse ata kohë më parë ishin nisur për tek automjetet, apo restoranti. Menjëherë edhe ne kemi vazhduar zbritjen sepse nuk kishim kohë të mjaftueshme. Për shkak se këtë ditë ishte bërë ndërrimi në orën dimërore, një orë para se të arrijmë tek automjetet është errësuar prandaj na është dashur që të shtegtojmë nëpër errësirën e pyllit. Pasi që automjetet nuk kishin ardhur gjer tek bazeni, gjegjësisht vendi ku kishim filluar ecjen, na është dashur që të vazhdojmë ecjen edhe 2 km gjer tek hidrocentrali ku do na prisnin automjetet për kthim. Ashtu nëpër errësirë në ora 17.45 minuta mbërritëm tek automjetet për të vazhduar menjëherë udhëtimin për në Gjakovë. Pas një udhëtimi mjaft të mirë në ora 19.00 mbërritëm në Gjakovë.

Përgjithësisht ishte ky një marshim i mrekullueshëm dhe shumë relaksues. Koha e mrekullueshme dhe natyra shumë e bukur këtë ditë na sollën shumë kënaqësi. Përfundimisht kaluam:


Udhëtim me furgona: 3.15 minuta ( 2.00 + 1.15 ) Ecje këmbë: 8.45 minuta ( 5.00 + 3.45 ). Ecje gjatësi rrugore: 23 km. ( 9 + 14 ) Ecje këmbë m/lmd: 1301 m/lmd ( 1200 - 2501 ). – Për shkak të konfiguracionit të terenit si dhe disa devijimeve, kemi bërë edhe nja 100 metra ngritje dhe zbritje gjatë ecjes. Përshkroi : Ilir Lyta SHBA “ Pashtriku “ Gjakovë Gjakovë, më 30.10.2011


Maja Rops - 30.10.2011