Page 1

DITARI NGA – SHARRI – 2010 ( MAJA SKARPA ) Këtë vit për të dhjetën herë me radhë, SHBA “ Sharri “ e Prizrenit, organizoi Takimin Tradicional Ndërkombtar të Bjeshkatarëve me moton “ Sharri 2010 “. Kësaj radhe për shkak se Shtëpia e Bjeshkatarëve të Sharrit ishte rrënuar për t’u ndërtuar e re, ky takim është organizuar në shtëpinë dhe lëndinën e fshatit Zaplluzhe e cila gjendet katër kilometra mbi Shtëpinë e Bjeshkatarëve, gjegjësisht në lmd prej 1609 metrash. Ky takim ëshë organizuar më 12 dhe 13 Qershor 2010. Më 12.06.2010 që nga mesdita ka qenë e organizuar pritja e mysafirëve të cilët atë natë kanë buajtur nëpër tendat të cilat enkas i kanë përgatitur organizatorët në bashkëpunim me KFOR-in, ndërsa më 13.06.2010 ( të dielen ) është organizuar marshi për në Majen e Korffit dhe Liqenin e Madh. Ne nga SHBA “ Pashtriku “ Gjakovë, për shkak të obligimeve të ndryshme, kemi shkuar në tri grupe: të shtunën më 12.06.2010, në ora 12.00 ka shkuar grupi i parë prej njëmbëdhjetë vetash, ndërsa grupi i dytë poashtu prej njëmbëdhjetë vetash ku isha edhe unë jemi nisur nga Gjakova me furgon në ora 18.00 për të mbërritur tek vendi i lartëcekur në ora 20.45 minuta. Grupi i tretë prej pesë vetash kanë ardhur me veturën e Suphiut të nesërmen, para marshimit, në ora 7.00. Numri i pjesëmarrësve ishte mbi 200 veta, ndër të cilët 27 ishin nga Gjakova. Pjesën tjetër e përbënin shoqëritë tjera bjeshkatare të Kosovës, ndërsa një numër të konsiderueshëm e përbënin edhe mysafirët nga shtete të tjera jashta Kosovës. Grupi ynë prej njëmbëdhjetë vetash udhëtuam nëpër Prizren, fshatin Zaplluzhe gjer tek vendkampingu i destinuar për këtë takim. Me të mbërritur në ora 20.45 minuta, nikoqirët na kanë mirëpritur dhe menjëherë jemi akomoduar në një tendë e cila ishte e rezervuar për ne. Për shkak se kishim shkuar me vonesë nuk arritëm që të jemi prezent gjatë hapjes së këtij Takimi të Dhjetë Tradicional Ndërkombëtar të Bjeshkatarëve, ku të pranishmit përpos kryetarit të SHBA “ Sharri “ i kishte përshëndetur edhe kryetari i FBAK-ut. Pasi që kemi ngrënë darkën dhe jemi takuar me shumë kolegë bjeshkatarë, menjëherë të gjithë së bashku në po ato tavolina, përballë kuzhinës jemi akomoduar dhe siç kishim planifikuar kemi ngre dollinë aty të gjithë së bashku duke pirë ngapak, diskutuar dhe kënduar. Aty kohë pas kohe na janë bashkangjitur edhe kolegë të tjerë nga shoqëritë bjeshkatare, si nga Prishtina, Peja etj. Siç dhe e kërkojnë këto takime, në mes vedi kemi shkëmbyer biseda dhe përvoja të ndryshme bjeshkatarie. Përplotë hare dhe kënaqësi ashtu duke kënduar kemi qëndruar gjer në or 01.00, kur dhe kemi shkuar për të fjetur. Unë personalisht edhepse nuk ndjeja nevojë për gjumë, prapëseprap nuk jam ndarë nga shokët. Atë natë shumë pak kemi fjetur sepse nga të lehurat e një qeni i cili gjendej aty afër tendes asnjëri nuk kemi bërë gjumë të qetë. Në bazë të asaj çka unë kam shtjelluar nëpër kokën time, më mirë do të kishte qenë sikur pjesën më të madhe të natës ta kishim kaluar përrreth zjarrit, sikur shumë të tjerë, sepse ashtu kështu nëpër tenda pak po bëhet gjumë. Në mëngjes jemi zgjuar më heret se ç’kishim planifikuar, kemi ngrënë mëngjesin dhe pasi që kemi marrur nga një shujtë në pako nga organizatorët në ora 07.10 minuta kemi filluar marshimin. Në ato çaste kanë mbërritur edhe Suphiu me shokët e tjerë. Suphiu kësaj radhe nuk kishte ardhur me neve për shkak se atë ditë më 12.06.2010 i kishte lindur nipi i dytë i djalit. Në mënyrë të organizuar të gjithë së bashku e kemi filluar marshimin. Pas një gjysmë ore kur mbërritëm tek Guri i Zi, grupi i ynë i Gjakovës, siç kishim planifikuar jemi ndarë nga të tjerët të cilët vazhduan për Majën e Korffit, për të vazhduar djathtas për në Majën e Skarpes. Ashtu kishim vendosur për arsye se në Majën e Korffit kemi qenë disa herë ndërsa në këtë majë po e pushtonim për të parën herë.


Maja e Korffit e cila ka lmd. prej 2555 metrash, është pikë kufitare në mes të Kosoves dhe Maqedonisë. Kjo majë e cila më parë quhej “ Vërtop “, nga Nëntori i vitit 2000 është pagëzuar me e mrin “ Maja e Korffit “, për nderë të gjeneralit gjerman Fritz Von Korff, i cili qe gjenerali i parë që kishte hyrë në Kosovë nga Shqipëria pas luftës së vitit 1999. Duke ecur nëpër lëndina dhe brigje të gjelbëruara, në Majën e Skarpës të lmd prej 2474 metrash mbërritëm në ora 9.40 minuta, dhe kemi qëndruar gjer në ora 11.00. Gjatë kohës sa qëndruam në atë majë të gjelbëruar nga bari i njomë, kemi pushuar dhe jemi rrezitur ngapakë. Koha e kthjellët dhe me diell bëri që nga aty qartë të shihej: Maja e Korffit, Koritniku, Gjallica, Pashtriku, Liqeni i Madh dhe shumë maja të tjera. Afro treqind metra poshtë majës gjendej Liqeni i Madh, ndërsa njëqind metra mbi te ishte Liqeni i Vogël. Tek Liqeni i Madh i lmd prej 1200 metrash kemi zbritur duke rrëshqitur nëpër borën e cila ende nuk kishte shkrirë në tërësi. Tek ai liqe me ujë të pastër dhe ai gjelbrim i mrekullueshëm kemi ngrënë dhe pushuar. Nga ato rreze të ngrohta të diellit mjaft edhe jemi rrezitur. Aty kishin ardhur edhe shumë të tjerë të cilët rrugës për në Majën e Korffit kishin kthyer djathtas për këtu. Në atë liqe edhepse ishte uji shumë i ftohët disa edhe janë larë. Pas një relaksimi të konsiderueshëm, në ora 13.45 minuta kemi filluar kthimin prapa, por tani nëpër shtegun e rregullt kah kishin shtegtuar të tjerët. Shtegu ishte igjelbëruar, pa drunjë të lartë dhe jo i mundimshëm, mirëpo temperaturat e larta të asaj dite që janë sjellur gjer në 36 ºC bënë që ne këtë ditë të ndjejmë molisejen dhe djegjen nga dielli. Edhepse mjaft kemi pushuar gjatë shtegtimit, në ora 16.00 kemi mbërritur tek kampingu, ku menjëherë pasi që jemi pastruar, kemi drekuar dhe jemi përgatitur për kthim. Në ato çaste shumë nga marshuesit ende nuk ishin kthyer nga marshimi. Pasi jemi përshëndetur me nikoqirët, në ora 16.45 minuta kemi filluar kthimin prapa. Tani jemi kthyer nëpër rrugën e cila shpie kah Shtëpia Bjeshkatare. Kemi ndaluar në Landovicë për tu freskuar me nga një pije dhe kafe. Në Gjakovë mbërritëm në ora 19.15 minuta. Ishte ky një organizim i mirëseardhur por edhe me mjaftë mangësi, si në transport, ushqim, dhe fjetje. Vetë fakti që të ushqyerit ishte pa participim dhe fjetja e improvizuar nëpër tenda të bënë të kuptosh problematiken gadi të pashmangshme të organizimit. Megjithate nikoqirët mbetet të nderohen për respektin dhe mikëpritjen që na bënë. Koha me diell dhe shumë e nxehtë nga njëra anë na ka molisur, por në anën tjetër e ka shtuar relaksimin, kështuqë këtij marshimi do i mbetet vendi i vetë në historikun e bjeshkatarisë. Përfundimisht kaluam: Udhëtim me furgon: 5.15 minuta ( 2.45 + 2.30 minuta ) Ecje këmbë: 4.45 minuta ( 2.30 + 2.15 ) Ecje gjatësi rrugore: 15 km. ( 7 + 8 ) Ecje këmbë m/lmd: 865 m/lmd ( 1609 - 2474 ), ndërsa zbritja prej 300 metrash lmd. gjer tek liqeni si dhe ngritja, e shtojnë lartësinë mesatarisht edhe për nja 200 metra lmd. Përshkroi : Ilir Lyta SHBA “ Pashtriku “ Gjakovë Gjakovë, më 13.06.2010

Maja Skarpa - 12 & 13.06.2010  

DITARI NGA – SHARRI – 2010 ( MAJA SKARPA ) Përshkroi : Ilir Lyta SHBA “ Pashtriku “ Gjakovë Gjakovë, më 13.06.2010

Read more
Read more
Similar to
Popular now
Just for you