Issuu on Google+

DITARI NGA – MAJA HAJLA - 2010 Nisja për këtë marshutë është bërë të shtunën më 06.11.2010 nga Hotel Pashtriku – Gjakovë në ora 7.00, ndërsa kthimi në ora 18.35 minuta. Pjesëmarrës ishim gjithsej 22 veta. Udhëtuam me një kombibus dhe një furgon, kah Peja, për të vazhduar pastaj nëpër Gryken e Rogoves, gjer tek fshati Lumi Allages i cili gjendet në zonën kufitare me Malin e Zi. Nga fshati në fjalë i cili gjendet në largësi rrugore prej 58 km nga Gjakova, në ora 8.45 minuta e filluam marshimin për ta pushtuar Majen e Hajles, e cila nga aty dukej shumë afër. Marshuam nëpër kohë me diell dhe nëpër natyrë shumë të bukur. Shtigjet gjer në qafen e bjeshkës, gjegjësisht gjer në atë zonë kufitare në mes të Kosoves dhe Malit të Zi, ishin shumë atraktive dhe jo aq të mundimshme. Në qafen e bjeshkës jemi takuar me policinë e Kosoves si dhe të Malit të Zi të cilët aty ishin patrollues të rregullt. Në atë vend të bukur disa nga shokët vendosën që të akomodohen dhe të të mos vazhdojnë më tutje. Nga kjo qafë kishte edhe mbi pesëqind metra lartësi për të mbërritur gjer në majë. Ishte kjo pjesa më e mundimshme e shtegut. Nga aty, pas një ore e gjysmë angazhimi më të shtuar fizik, mbërritëm në majë. E kam quajtur këtë bjeshkë tinzare për arsye se kishte katër maja gadi të të njëjtës lartësi dhe se porsa e pushtonim njërën majë dhe mendonim se mbërritëm në cak, na dilte para vedi maja tjetër e cila paraprakisht nuk vërehej. Aty afër majes kryesore ishte pllaka përkujtimore e një bjeshkatari i cili vite më parë në atë vend e kishte humbur jetën. Në Majen Hajla të lmd prej 2403 metrash mbërritëm në ora 12.40 minuta. Kësaj radhe Unë dhe Besniku mbërritëm pkës më parë dhe ndaras nga të tjerët. Aty jemi takuar me disa marshues nga Mali i Zi. Në atë majë, porsi në Jezercë gjedej një kuti metalike në të cilën gjendej një fletore me qëllim që të evidentohen pushtuesit e asaj maje. Pasi që të gjithë nga ne jemi evidentur në atë fletore, kemi bërë ca foto dhe pas një pushimi të shkurtër kemi filluar kthimin prapa. Koha e kthjellët dhe me diell bëri që nga ajo majë të shihen qartë të gjitha bjeshkët tjera përrreth e sidomos ajo e Rusolisë dhe e Zhlebit. Pasi që kjo bjeshkë ndante dy shtetet fqinje në mes vedi, nga njëra anë shiheshin Bjeshkët e Rogoves, ndërsa nga ana tjetër Bjeshkët e Malit të Zi dhe qyteti i Rozhajes. Kthimin përsëri e bëmë nëpër kurrizin e atyre majave që kishin mbi një kilometër distancë në mes vedi dhe ishin mjaft të rrezikshme. Nga kurreshtja për t’a vizituar më mirë atë bjeshkë, Unë Flori dhe Reshati zbritjen poshtë bjeshkës e kemi bërë nga ana tjetër, e jo nga ajo anë kah kishim shkuar. Tek shokët ku po na priste zjarri për përgatitjen e ushqimit kemi mbërritur pas një ore. Pasi që me plotë oreks aty kemi ngrënë, dhe kemi pushuar, të gjithë së bashku në ora 15.15 minuta, kemi filluar kthimin për tek automjetet ku kemi mbërritur në ora 16.50 minuta. Pas një udhëtimi mjaft të mirë, në ora 18.35 minuta kemi mbërritur në Gjakovë. Koha e mrekullueshme dhe me diell, natyra e bukur e asaj zone kufitare si dhe bjeshka shumë interesante bënë që kjo të jetë një ekspeditë e mrekullueshme. Përfundimisht kaluam: Udhëtim me furgon: 3.30 orë ( 1.45 + 1.45 ) Ecje këmbë: 6.40 minuta (3.55 + 2.45 ). Ecje gjatësi rrugore: 15 km. ( 7.5 + 7.5 ) Ecje këmbë m/lmd: 1103 m/lmd ( 1300 - 2403 ) Përshkroi : Ilir Lyta SHBA “ Pashtriku “ Gjakovë Gjakovë, më 06.11.2010


Maja Hajla - 06.11.2010