Gazeta Mapo

Page 15

30-31 mars 2013

15

www.mapo.al

koleksionisti Të tridhjetë llullat e duhanit që ka në koleksionin e tij i përdor për atë ritualin e përditshëm të izolimit nga bota, i zhytur në çaste meditative të kushtuara krejtësisht unit... Drejtuesi i Departamentit të Shkencave Politike në UET, Klejd Këlliçi, zbulon sesi e ka e shndërruar zakonin e të tymosurit me llullë në pasionin e koleksionimit.

Një koleksion kushtuar vetes

K

ur hapi derën e zyrës së profesorit të tij të historisë në Universitetin e Torinos, pamja e tij e qetë prej babaxhani që me njërën dorë shfletonte një libër dhe me tjetrën mbante një llullë duhani, do të mbetej i goditur nga ai objekt i drunjtë që i bënte duhmat e tymit të vallëzonin në ajër. Seç kish diçka përtej zakonit të tymosjes, që ia shtyu edhe më kufijtë e kureshtjes... Kanë kaluar disa vite tashmë dhe teksa gjerb si çdo mëngjes kafenë duke shfletuar gazetën, i shoqëruar nga asgjë tjetër veç llullës dhe resë së përhime të tymit që i mbështillet si aurë rreth vetes, Klejd Këlliçi duket se e ka zbuluar atë misterin që e tërhoqi vite më parë rreth vetes “Tymosja e duhanit me llullë është një moment meditimi, kushtuar vetes, që të bën të vetizolohesh. Më shoqëron shpesh gjatë leximeve”, tregon Klejdi, që shpesh tërheq vëmendjen e studentëve apo të kolegëve me atë tablonë e përditshme, i veçuar prej të gjithëve në një cep në barin e Universitetit Europian të Tiranës, duke tymosur me llullën e tij, e cila çdo ditë është një e re. Pasi Klejdi ka plot 30 të tilla, duke e shndërruar zakonin e të tymosurit me llullë në pasion; atë të koleksionimit. Dy të parat ia kërkoi të atit t’ia blinte, për t’ia dhuruar profesorit të tij të historisë me të cilin e lidhnin shpesh biseda rreth Shqipërisë së viteve ’60, kur pedagogu italian e pat vizituar vendin e izoluar komunist. “Nga pamundësia për ta takuar sërish, i mbajta vetë.” Atëherë qe edhe koha kur ka vendosur ta provonte ritualin e të tymosurit me llullë. Ishte vetëm 25 vjeç dhe jo duhanpirës. “Tymosja me llullë nuk lejon që duhani të depërtojë në mushkëri. Ndoshta kjo ka qenë edhe që më ka shtyrë më shumë ta përdor”, thotë ai. Më shumë sesa për zakonin e tymosjes, ishte ana estetike e objektit që e joshi. Ai dizajn sa i thjeshtë dhe klasik aq edhe modern dhe i koklavitur, ku me dy elemente si ajo gjysmë sfera e lëmuar ku digjet duhani dhe tubi i hollë nga ky kalon tymi mund të bëhen vepra të vërteta arti. Nga ato të cilat Klejdi ka parë shumë gjatë kërkimeve në literaturë dhe internet, qysh kur vendosi t’i kushtohet këtij pasioni të ri. Njohu vendet me prodhimin më të madh të llullave, modelet, llojin e drurit nga punohen, procesin artizanal e industrial të realizimit të një llulle, markat më të famshme, historinë e tyre, kulmin e popullaritetit dhe kuptoi se kishin mbetur shumë pak ata që tymosnin duhan me llullë. “Anglia, Danimarka dhe Italia janë prod-

huesit më të mëdhenj të llullave. Kulmin e përdorimit llullat e patën në vitet ’50-’60 dhe shkoi drejt zhdukjes si zakon”, tregon Klejdi, ndërsa informacioni që ka mbledhur gjithë këto vite si përdorues dhe koleksionist është i pafund. Dikur qe habitur shumë kur nga një shëtitje buzë lumit Tamiz, në Londër, i cili i kishte tkurrur ujërat duke e lënë disi zhveshur shtratin e tij, pati vënë re grumbuj njerëzish që kërkonin në pirgjet e baltës. Për britanikët shtrati lumor ishte një thesar i vërtetë, duke zbuluar për ta antikuarë të shekujve të kaluar. U bë kureshtar dhe pa se shumë mbanin në duar llulla duhani, disa të dëmtuara, por me vlerë të madhe historike, si të transportuara në një makinë kohe nga shekujt ‘16 apo ‘17. Ndaj edhe modelet e preferuara që ia shton çdo ditë koleksionit në kabinetin prej druri dhe xhami, në studion e tij, janë pikërisht klasiket angleze, të viteve ’40 dhe ’60. Por të tridhjetë llullat janë nga të gjitha llojet, ka mes tyre dizajnë klasike, por edhe të veçanta, të cilat i kanë kushtuar jo pak secila syresh. “Është një hobi i kushtueshëm. Modelet që kam blerë shkojnë nga 70 në 150 euro mesatarisht. Por ka edhe nga ato modele të shituara në ankand për 60 mijë euro”. Më të shtrenjtën në koleksionin e tij ka një llullë të markës Dunhill, markë e famshme prodhimi duhani dhe llullash luksoze të viteve ’60 të shekullit të kaluar, e cila i ka kushtuar 280 dollarë amerikanë. Vendet e prodhimit janë të ndryshme, po aq sa edhe rrugët me të cilat ai i ble. Ka blerë në dyqane të vjetra kur kryente studimet në Torino për Shkenca Politike, ka blerë edhe në fabrika artizanati në një qytezë të vogël pranë Ankonës, por pjesën me të madhe e ka blerë online. “Interneti ndonjëherë ka edhe ato shakatë e veta. Kur porosita një llullë para shumë vitesh në ShBA nuk isha kartë krediti dhe llulla i vajti tim kushëriri në Detroit, i cili më pa ma postoi në Shqipëri”. Katër të tjera i ka ndodhur t’i blejë jo në faqet e dyqaneve virtuale porse në Flickr, një faqe interneti kushtuar të pasionuarve pas fotografive, ku një prej anëtarëve, një burrë finlandez, e përdorte për të shitur pikërisht llulla. Një koincidencë e mirë kjo për Klejdin si i pasionuar pas të dyjave. Internetin

Dosja Koleksionisti: Klejd Këlliçi Koleksioni: llulla duhani Fillimi: në moshën 25-vjeçare Numri: 30 Elemente të veçanta: modelet klasike angleze të markës Dunhill Burimi: Blerje dhe dhurata Çmimi: 70-150 euro

tashmë e përdor jo vetëm për të pasuruar sfondin e informacioneve rreth pasionit, për blerjen e modeleve që e tërheqin, por edhe për biseda mes të ngjashmish në blogje, për të cilët Klejdi thotë se janë me pakicë, në të gjithë botën. “Është një zakon që thuajse ka humbur. Ka shumë pak përdorues të llullës. Nëse nuk ka gjetur me kë ta ndajë pasionin e tij, nuk ka shpëtuar pa shtënë në ngasje të tjerë. “Kam infektuar një kolegun tim pedagog”. Të cilin prej disa muajsh e sheh vazhdimisht duke tymosur me llullën që vetë Klejdi i ka dhuruar. Megjithëse rituali vetë të bën t’i largohesh botës që të rrethon, dëshira për të koleksionuar llulla bën që shpesh të mblidhesh dhe të socializohesh me njerëz. Kur ishte në Itali kishte themeluar edhe një klub për duhanpirësit me llulla dhe shpesh organizonin takime ku flitej për objektin në vete, për historikun, personazhet e njohura që e kishin përdorur, filozofinë që lidhte ritualin e përditshëm, dhe hera- herës mblidhnin edhe fonde për bamirësi... Kur nuk ble, ndodh që pikërisht atëherë t’i vijë ndonjë dhuratë. Më të fundit e mori nga bashkëshortja Arnisa, e cila në sekret të plotë e porositi një që i pëlqente Klejdit. Ka marrë edhe nga miqtë dhe familjarët që tashmë ia njohin zakonin dhe pasionin. “Për diplomimin tim u kërkova miqve të më dhuronin llulla. Megjithatë, kjo puna e dhuratave është pak e koklavitur. Për t’i porositur duhet t’i njohësh mirë”. Duhet t’i njohësh ashtu si i njeh vetë Klejdi, nga materiali më i zakonshëm tek ai më cilësori, nga format klasike te dizajnët modernë të kohëve të fundit. I pëlqejnë veçanërisht punimet artizanale. Vitin e kaluar porositi një në Itali, ku të gdhendej data e lindjes dhe emri i të birit Davidit, disa muajsh. Klejdi nuk është nga ata koleksionistë që e kthen këtë të fundit qëllim në vetvete. Ai i përdor vazhdimisht të tridhjeta. Duke rrezikuar që ndonjëra t’i dëmtohet apo t’i humbasë. “Para ca kohësh më humbi një dhe më dhembi shumë në fakt”, tregon duke qeshur, ndërsa thotë se i sëmbon saherë sheh fotografinë ku ka dalë me të. – “ndërsa njëra më është thyer, por e ngjis vazhdimisht me super-atak dhe e kam në përdorim”. Në kabinetin ku i ka vendosur llullat ka bërë vend edhe për 15 të

tjera, të cilat ka në plan t’i blejë. Së fundi, ia ka vënë syrin një kopjeje të një artizani që nuk jeton më. “Por nuk kam ndërmend të ble pafund. Dua ta kem nën kontroll, pasi dua t’i përdor të gjitha dhe të blerit pafund nuk të jep mundësinë ta shijosh.” Shija e mirë vjen sigurisht me një duhan të mirë. “Llulla kërkon duhan të përzgjedhur. E ble jashtë kur kam mundësi, veçanërisht në ShBA. Por kam gjetur edhe në Shqipëri në zonën e Shkodrës që mbahet për prodhimin e duhanit. Kam krijuar një rrjet miqsh që i porosis vazhdimisht si t’i kisha agjentë për këtë punë”, zbulon duke qeshur. Ajo që e ka tërhequr edhe më shumë në botën e tymosjes me llullë është edhe emri i një përzierje duhani të quajtur “Balkan”, me lloje duhanesh nga gadishulli ynë. “Kam eksperimentuar shumë; nga aromatikët te natyralët. Tani kam gjetur atë që më përshtatet te duhanet natyralë.” Ka parë edhe lidhje të tjera të llullës me vendin tonë-ku në fakt të ngjashëm në këtë ritual apo pasion nuk ka gjetur, veç memories kolektive të pleqve që tymosin me llullë. Për shembull materiali më i zakonshëm i prodhimit të llullave është shqopa, një dru që rritet në rajonin e Mesdheut. Të tijat janë kryesisht nga ky material, por ai numëron me dhjetëra materiale të tjera nga argjila apo balta te druri i qershisë, i ullirit, e deri te bambuja apo ebaniti e qelibari. Të shpjegon me hollësi sesi pritet druri, kazani i llullës ku digjet duhani, që të ketë formën e flakës apo të rrjetës së merimangës, apo se cila nga dyja prerjet e mban më të ekuilibruar temperaturën. Llulla për të u bë tërheqëse kur pa profesorin e tij të historisë, por si të gjithë nuk mund të mos e shoqërizojë me personazhet më të famshëm fiktivë, ai i detektivit anglez Sherlock Holmes apo komisari francez Maigret. Por kjo nuk do të thotë se tymosja me llullë i kushtëzon edhe pamjen e jashtme stil britanik me ato xhaketat me kuadrate, kapelat prej stofi apo orë me qostek. “E kam përdorur llullën në mot të nxehtë, veshur me të shkurtra buzë detit dhe në të ftohtë acar”. Por e pranon se, nëse nuk i ka ndikuar stilin e jashtëm, i ka ndryshuar krejt ritualet e brendshme, ku llulla bëhet aleatja më e mirë për të qëndruar vetëm, në të tre oraret ku ai shkëputet për të tymosur, për të medituar apo thjesht për ta llastuar veten mes aromës së duhanit të zgjedhur që vallëzon mbi kokën e tij dhe ndjesisë që lë druri i lëmuar në gishtërinj ... S.Balliu


Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.