Issuu on Google+

SHTOJCA “Fterra jonë” f. 3 ANGLEZËT NË SHTËPINË TONË

Nr. 72 – prill 2011

(vijon nga faqja 2)

Ma nxorën gjumin rënkimet e nënës. Trurin e kisha ende në gjumë, i shkova te koka, ishte bërë ujë në djersë ... "Të keqen ... , - m'u drejtua mua. Mezi i nxirrte fjalët. Vrapo!. .. Lajmëro krushkën ... Të vijë sa më parë! Kënua mori shaminë e saj që ndodhej mbi jastëk dhe nisi t'i fshijë djersët. - Unë do të rri pranë nënës, - tha ai. U vendos. Krushkë Xhekon duhet ta lajmëroja unë. Zaten gjithmonë unë i haja punët e vështira. Kisha dëshirë ta ndihmoj a, por kisha aq shumë rrll frikë. Për shkak të errësirës qysh te dera u përplasa me ushtarin që dinte shqip. -E di shtëpinë? ... " - më pyeti i shqetësuar. Po, -i thashë. Më pa me kujdes. -Trembesh?" Dridhesha i tëri, por s'e bëra veten. Para dhëmbjeve të nënës s' më trembte asgjë. Ia krisa vrapit. Sa dola pas shtëpisë e shtova shpejtësinë nga frika e errësirës. Kalldrëmi ishte zhytur në errësirë nga degët e dendura të pemëve ... por unë kisha besim te hëna. Më dukej se dikush më ndiqte këmba-këmbës, sikur më ndiqte një njeri hije. Për të hequr mendjen nga njeriu-hije nisa të numëroj gjer në njëqind, më pastaj edhe njëqind, edhe dyqind ... derisa frymën e ndala te porta e krushkë Xhekos. Ajo sa më dëgjoi zërin, doli te dera e veshur e me fener në dorë. - E mora vesh,- tha. -Për hair na qoftë! Nxitoi para, unë e ndoqa pas. Nuk kisha më frikë. Tani isha me krushkë Xhekon. Nënën e gjetëm të mbytur në djersë. Lëshonte një rënkim të lehtë, me intervale, sa herë e ngacmonin dhembjet. Ushtari biond i qëndronte te koka. Sa na pa u ngrit dhe i lëshoi vendin krushkë Xhekos me nderim. Ne na thanë të shkonim për të fjetur në shtëpinë e Merjos. Vura kokën mbi jastëk dhe u zhyta në një gjumë të thellë.Kur u ngrita lajmi që nëna kishte lindur vajzë kishte marrë dhenë. *** Vajzë! Vajzë! E vetmja fjalë që shqiptohej gëzueshëm atë mëngjes ishte fjala vajzë. Hymë dhe unë me Kënon për të parë nënën. Rreth saj ishin mbledhur shumë gra. Sa shpejt e kishin marrë vesh? Gjyshja, tezja, halla dhe bullë Ilja i rrinin te koka. Nëna, nga vendi ku qëndronte shtrirë e me vajzën pranë vetes, na hodhi një shikim të lumtur: -Shihe motrën,- më tha. Të tjerëve u tregoi me krenari se gjoja unë i paskësha shpëtuar jetën, jo vetëm jetën e saj, por edhe të vajzës. Më pritën si hero. Nëna m'u duk sikur e tepronte, të tjerët më lajkatonin ca si tepër. Në fund të fundit ç'kisha bërë? Te dera u shfaq ushtari biond.. (mund ta quajmë dhe përkthyesi i tyre). Vite më vonë për të kam marrë vesh disa hollësi: kishte lindur në Amerikë, ishte me origjinë shqiptare, i biri i një emigranti që kishte ikur nga fshatrat e Dropullit. Po emrin? Më ka mbetur peng që nuk ia mësova dot.

-Ushtarët duan t’ju urojnë,- iu drejtua gjyshes, për t'i marrë leje. -Mirë se të vijnë!- i tha gjyshja e gëzuar. -Duan të dinë si i kemi zakonet ... ? -tha ai. Veten e kaloi nga ana jonë. -Zakonet i kemi si gjithë bota,- iu përgjigj gjyshja. Ushtarët që prisnin me padurim në korridor, ju duhej vetëm një shenjë dore që të hynin në rrjesht si nxënës shkolle. Njëri pas tjetrit parakaluan para nënës duke i lënë secili nga një shënjë kujtimi. Njëri i hodhi te koka një shami dore, tjetri pas tij i la një shall portokalli, dy të tjerë nxorën dhe lëshuan te koka e vajzës nga një stërlinë ... Në çastin e fundit përkthyesi doli me një propozim: -Kemi menduar t'ia vëmë ne emrin ... Priti si do të reagonte nëna. U bë një çast heshtje. -Çfarë emri? -e theu heshtjen tezja, e shtyrë nga kureshtja. -Elisabeta, - tha ai me një ndjenjë krenarie. Nuk e dini? Ky është emri i nënës mbretëreshë, mbretëreshës së Anglisë. Është në nderin tuaj dhe në nderin tonë, gjithashtu, që vajza juaj të ketë emrin e mbretëreshës Elisabeta. -Emër i bukur ... , - miratoi nëna. -Atëherë e gëzoftë! - tha ai i entuziazmuar. Doli me nxitim për t'u shpjeguar shokëve që nëna e vajzës kishte thënë: "emër i bukur". Emër i bukur vërtet mendova dhe unë. Tani në shtëpinë tonë nuk do të isha vetëm unë që mbaja një emër mbreti, por dhe motra ime që do të mbante një emër mbretëreshe. Veç, në qoftë se nuk do ta pranonte babai të cilin e prisnim të vinte nga dita në ditë. *** Anglezët erdhën dhe ikën pa bërë asnjë luftë. Erdhën kastile për t'i vënë emrin motrës sonë, dhe ikën. Me këtë rast "misioni quhej i përmbushur". Po t'i gjykoje nga veshjet, nga armët që ndriçonin dhe qëndrimi i tyre turistik, thoshe: kjo ushtri nuk duhet të ketë dalë për të bërë luftë, por për tebdil hava ... Për aq sa qëndruan në shtëpinë tonë luftën e bënë vetëm me telefona. Ditë e natë me telefon te veshi. "Alo! ... Alo! ... O.K ... Jes ... " Kur ikën na lanë kuti të panumërta me mish viçi, të gjitha pesë kilëshe, ca bateri, atë "motorin", çarçafë dhe batanije. Dhe hajde e thuaj pastaj që gjyshi s'kishte të drejtë kur na thoshte: 'Njeriu në këtë jetë duhet të bëjë të mira, se ja, vjen një ditë që Zoti e gjen mënyrën për t’ua shpërblyer." Unë nuk kisha dëgjuar ndonjë rast që familja jonë të kishte bërë ndonjë të mirë. Po ku ta dije? Për ndryshe, si mund të vinin anglezët drejt e në shtëpinë tonë e të na i mbushnin dollapët me ushqime? (Marrë nga romani “Banorët e shpellës)


G-72-shtojca3