Page 5

NGJARJE JAVORE

Delegacioni i Komisionit për Politikën e Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë qëndroi në vizitë pune në Mal të Zi

Të angazhuar për t’i ngritur marrëdhëniet në nivel më të lartë Podgoricë/Ulqin – Delegacioni i Komisionit për Politikën e Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë, i kryesuar nga kryetarja Arta Dade, qëndroi më 8 dhe 9 shkurt në vizitë pune në Mal të Zi, ku është pritur në takime të veçanta nga kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Ivan Brajoviq, nënkryetari i Kuvendit, Genci Nimanbegu, dhe kryetari i Komitetit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Emigracionin, Andrija Nikoliq. Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Ivan Brajoviq, ka thënë se Mali i Zi dhe Shqipëria paraqesin shembull të marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore dhe bashkëpunimit miqësor në fushat me interes të përbashkët. Ai ka deklaruar se duke pasur parasysh që bashkëpunimi parlamentar paraqet pjesë të rëndësishme të marrëdhënieve të përgjithshme, duhet të avancohet në mënyrë të vazhdueshme niveli ekzistues i bashkëpunimit. “Marrëdhëniet e jashtëzakonshme politike të Malit të Zi dhe Shqipërisë, si dhe intensiteti ekzistues i dialogut në nivelin më të lartë, janë parakusht i domosdoshëm për forcimin e marrëdhënieve ekonomike”, ka theksuar Brajoviq. Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë, Arta Dade, ka thënë se Shqipëria është

plotësisht e angazhuar për t’i ngritur në një nivel më të lartë marrëdhëniet në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. “Konstatojmë me kënaqësi se edhe Mali i Zi ndan të njëjtin vlerësim për marrëdhëniet me vendin tonë”, është shprehur ajo. Dade ka theksuar se Shqipëria ka mbështetur fuqimisht anëtarësimin e Malit te Zi në NATO dhe beson se kjo i shërben forcimit të mëtejshëm të Aleancës si dhe rritjes së sigurisë dhe stabilitetit jo vetëm brenda rajonit, por edhe në të gjithë zonën Euro–Atlantike. Bashkëbiseduesit ranë dakord se rritja dhe forcimi i marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat dikton edhe nevojën e një bashkëpunimi më intensiv ndërmjet parlamenteve të të dyja vendeve dhe u angazhuan për zhvillimin dhe forcimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi. Gjatë takimeve, në mënyrë të posaçme me nënkryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu, një vend të rëndësishëm zuri edhe tema mbi pozitën dhe rolin e shqiptarëve në Mal të Zi në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. Nënkryetari Nimanbegu i ka njoftuar anëtarët e delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë me kërkesat shumëvjeçare të shqiptarëve në Mal të Zi, lidhur me definimin përfundimtar të statusit të

Komunës së Tuzit (Malësisë), kthimin e pronave pronarëve në Valdanos, gjendjen në Kriporen e Ulqinit, përfaqësimin proporcional të shqiptarëve në institucionet shtetërore, problemin me menaxhimin e bregdetit nga Ndërmarrja Publike “Të mirat detare” etj. Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë, Arta Dade, ka shprehur gatishmërinë e Republikës së Shqipërisë për të ndihmuar realizimin e kërkesave të shqiptarëve në Mal të Zi, të cilët sipas saj, janë në fokus të interesimit gjatë çdo takimi zyrtar me përfaqësuesit shtetërore malazezë. Gjatë vizitës në Mal të Zi, kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë, Arta Dade, e shoqëruar nga anëtarët e këtij komisioni, Namik Dokle, Aldo Bumçi, Luljeta Arapi dhe Edlira Çekrezi, u pritën gjithashtu nga ministri i Jashtëm i Malit te Zi, Prof. Dr. Srgjan Darmanoviq, si dhe zhvilluan një takim me ministrin për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, Mehmet Zenka. Në përfundim të qëndrimit të tyre në Malin e Zi, delegacioni i Kuvendit të Shqipërisë bëri një vizitë në qytetin e Ulqinit, ku zhvilloi takim me kryetarin e Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu. (Kohapress) 

E ENJTE, 16 SHKURT 2017

Javore KOHA

5

Koha 752  

Koha Javore numër 752, botuar më 16.02.2017

Advertisement