Issuu on Google+

Aqif Isaku

Në lulishten e jetës


Aqif Isaku

NË LULISHTEN E JETËS (Tregime për fëmijë)

Tetovë, 2010


Biblioteka: LIBRI PËR FËMIJË Botues: ÇABEJ & KULTURA S.H Redaktor: Rami Kamberi Recensent: Rrahim Sadiku Lektor. Sahide Mustafa Ballina: Sami Beqiri Korrektor: Nevzat Zeqiri Cipi


KUSH ËSHTË ARDI? Sigurisht e njihni Ardin?! E keni shumë afër dhe e shihni çdo ditë. Është si të gjithë fëmijët e lagjes. Mund të gjendet edhe në klasën tuaj. Mund të jetë shoku i bankës, por mund të ishe edhe ...! Ndaj, mos u habit! Përtacia kurrë nuk i ka munguar. Është edhe tekanjoz i madh! Shpeshherë nuk është as i dëgjueshëm. Ndodh që të jetë i mirë dhe i ëmbël, por kjo nuk zgjatë shumë, sepse me shokët hidhërohet edhe për gjëra për të cilat as që ia vlen të diskutohet. I do lojërat dhe shëtitjet. Pas futbollit me shokët vrapon tërë ditën stadium më stadium. Kur del nga shtëpia, trimi harron se duhet të kthehet, ndërsa kur e nget biçikletën, askush nuk guxon t`i dalë përpara në rrugë, dhe i tërë komunikacioni duhet të ndalet! Muret e shtëpive apo objekteve kur pranë tyre kalon ai, duken si piktura të çuditshme nga shkarravinat me shkumës e ngjyra. Kur e 3


këshillojnë që të përmirësohet, fjalëve të tilla as që u var veshin. Gjithmonë vazhdon me të veten. Shihni tani sa mirë e njihni Ardin! Por, nuk do të desha që në shumicën e rasteve të jeni si ai. E dini pse?! Sigurisht që e kuptuat se kush është nga sjelljet e tij.

4


MBRETI I PËRRALLAVE Babai i Ardit u kthye nga puna dhe hyri në dhomë. Në të hyrë u befasua! Ç`të sheh!? Aty ndodhnin gjëra të çuditshme! Gjyshi, gjyshja dhe Gresa lëvizin ashtu siç urdhëron e dëshiron Ardi: ulu-ngrehu, poshtë-lart, para-pas, në vend kthehu. Mos lëviz. Kafen ju lutem! Dua cigare! Dua, dua…dhe rrotullohet në vend. Ata dëgjojnë dhe nuk kthejnë fjalë. Babai shikon me habi! – Ç`ndodh këtu?! – pyet. – Luajmë lojën “Unë urdhëroj, ju veproni”! – Çfarë loje qenka kjo?! – nuk e kuptoj dot! – Loja e mbretit me njerëzit. – Ç`janë këto lojëra me mua, Ardi? – foli më me seriozitet babai. – Si më thërrasin gjyshi dhe gjyshja, çdo mbrëmje kur më tregojnë përralla, babi? – “Princ” dhe “mbret”, – iu përgjigj ai. – Pra, tani e kuptove. Unë jam mbret dhe këta veprojnë si them unë. Kështu urdhërojnë 5


mbretërit! Mund edhe më ndryshe. Por, meqë jam zemërmirë, kënaqem me kaq. – Po, po, Ardi. Por, ti je vetëm mbret i përrallave të gjyshit dhe gjyshes. – Nëse jam vetëm mbret dhe princ i përrallave, atëherë le të mos më quajnë ashtu. Por, gjersa të më thërrasin, unë do të jem mbret dhe do të urdhëroj kë dua dhe si dua, madje urdhrave të mia mund t`u nënshtrohesh edhe ti babi pa asnjë fjalë, nëse dua e vendos unë. Gjyshi, gjyshja dhe Gresa duke qeshur ndjekin bisedën. Ata janë të gatshëm të luajnë aq sa të dojë dhe si të dojë Ardi, sepse ai është më i përkëdheluri, më lazdraku, më tekanjozi… i shtëpisë dhe kurrë nuk do t`ia prishnin qejfin, edhe pse babait nuk i pëlqen një gjë e tillë.

6


BABADIMRI TROKET NË DERË Afrohej mesnata. Ardi doli nga dhoma dhe nuk tregoi se ku shkon. Hyri në dhomën tjetër, veshi rrobat e babadimrit, vuri mustaqe, mori shkopin në dorë, hodhi në krahë thesin e mbushur me dhurata, u kthye në dhomën ku festohej dhe trokiti në derë. Nga zhurma e madhe që bëhej brenda nuk dëgjohej asgjë, ndërsa ai trokiste e trokiste. Pas pak çastesh, njëra nga shoqet e dëgjoi dhe vrapoi ta çel derën. Në të hapur atë u shtang. Ç`befasi! Babadirmi trokiste në derë! Nuk u besonte syve. A është e mundur kjo!? – pyeste veten. Babadimri të trokasë në derën e tyre! Sa e mori pak veten bërtiti: – Besa, Arta, Gresa, Andi… babadimri troket në derë! – Babadimri! – mos bë hajgare me ne, Nora. – Jo, jo, nuk bëj hajgare! Ejani e shihni! Të gjithë vrapuan tek dera. Me të vërtetë aty qëndronte babadimri me thesin në krahë. Sa u gëzuan! Kishin pse. Të vijë babadimri në natën 7


më të lumtur, t`u sjellë dhurata, t`i shoqërojë dhe të bisedojë me ta! A thua se diç më të mirë mund të pritnin!? – Urdhëro, babadimër, hyr brenda! – tha Gresa, ndërsa Blendi me Andin e kapën për krahu dhe e futën në dhomë. Meqë hyri aty, u ul, pushoi pak, shikoi anembanë dhe tha: – Sa fëmijë të lumtur qenkeni! Sa bukur e paskeni zbukuruar dhomën! Do të dëshiroja që edhe unë bashkë me ju ta pres Vitin e Ri, por ja që më presin edhe shumë fëmijë, më vjen keq që duhet të largohem. Sa u pikëlluan fëmijët kur dëgjuan fjalët e babadimrit. Edhe në ëndërr nuk e kishin menduar një takim aq befasues. Por ç`e do që edhe fëmijët e tjerë e presin, e falënderuan për vizitën e papritur. Babadimri la dhuratat që i kishte sjellë për ta dhe para se të nisej u tha që të mos mërziten, sepse kanë gjyshërit dhe gjyshet që mund t`i ledhatojnë dhe argëtojnë si ai. Duke u uruar nga zemra një vit të mbarë e të suksesshëm u largua. Iku, pa mos dyshuar fëmijët se ishte shoku i tyre Ardi, ndërkaq ata e përshëndetën me dorë gjer sa humbi në errësirë. 8


Më vonë, aty dhjetëra minuta pas mesnate, Ardi kthehet në dhomë. Fëmijët të gëzuar i bërtasin: – Ardi! Ardi bre, ku ishe?! Babadimri erdhi në vizitë tek ne! Ku humbe ti Ardi?! – ndërsa, ai shtirej kinse nuk di gjë dhe me ëndje dëgjonte rrëfimin për babadimrin. Nuk deshi t`u tregojë të vërtetën, ngase shokët do të ndjeheshin të dëshpëruar.

9


BIÇIKLETA ME DY SY Biçikleta e Ardit ka sy. Mos u habitni! Me të vërtetë ka sy; një të kuq dhe një të gjelbër. Syri i gjelbër gjithmonë është i kthyer nga Ardi, ndërsa i kuqi nga kalimtarët dhe pa ndalur ai qarkullon rrugëve me të. – Ty, tyy, tyyyy! Ty, tyy,tyyyy! Largohu se po të shkel! Mos më dil përpara! Ç`kërkon ky në rrugë?! – dëgjohet pandërprerë zëri i Ardit. Njerëzit lëshojnë rrugën, veturat ndalen, polici qëndron gatitu! Vetëm semafori nuk e dëgjon. Vazhdimisht ndez dritat. Ardi nuk respekton urdhrat e tij dhe kalon nëpër dritë të kuqe! Pastaj i kthehet semaforit dhe i flet me hidhërim. – Shih, shih, ti je më i mençuri!? Nuk e sheh se të gjithë janë ndalur!? Shiko sytë e mi or i marrë! Rrugën e kam gjithmonë të lirë. Kot e ke kutizë sylaroshe. Nuk mund të më ndalosh dot. Edhe policët e dinë këtë. Andaj, pusho! A more vesh!? 10


Çuditërisht, dritat e semaforit shuhen! Ardi buzëqesh dhe hap krahët në mënyrë triumfale; nget biçikletën pa duar, shikon anash, lazdrohet…! Duke vozitur ashtu, një veturë e kapi për mbrojtësen e shiut dhe e përplasi për toke. Pse ndodhi kjo?! Ndodhi ngase vozitësi ishte i një qyteti tjetër dhe nuk dinte për aventurat e Ardit rrugëve ashtu siç ishin mësuar bashkëqytetarët e tij. Ardi edhe pas kësaj vazhdoi me të vjetrën. Shëtit rrugëve sikur të mos i kish` ndodhur gjë. Nuk e dëgjon gjyshin. As këshillat e mamasë nuk vlejnë për të. Frikohet vetëm nga babai, sepse me të s`ka lojë. Por ç`të bësh, kur për hiret e tij ai merr vesh i fundit ose pasi t`i ndodhë diçka!

11


KUR NDRYSHON ARDI Kopshti pranë shtëpisë së Ardit buçiste nga zhurma që bëhej, ndërsa atij as që i binte ndërmend t`i ndal krismat ndaj zogjve. Gjyshit në dhomë i ulërijnë veshët. Nuk duroi më dhe doli në ballkon të shohë se ç`po ndodh. Kur e pa Ardin se ç`është duke bërë, i bërtiti: – Ardi, ç`janë këto krisma?! – Ardi nuk përgjigjet. – Ardi, ndalo krismat se më shurdhove veshët! – Ardi hesht. – Ardii, Ardiiii, mjaft më! – Bërtet gjyshi me zë më të lart, por Ardi assesi të ndalojë krismat me fishekzjarrë. Gjyshi tund kokën dhe i hidhëruar hynë në dhomë, ndërsa ai edhe më tej vazhdon t`i rrëmbejë zogjtë. Trimoshi lehtë kalon me ata që i mund. Por, a vepron kështu edhe me shokët?! I ndodhi njëherë, kur deshi t`i ngacmojë, t`i del pak më ndryshe. Goni që është më çapkën se 12


ai, ia zbuti shpinën kur i shkeli këmbën dhe, paramendoni sesi do të kalonte sikur t`i rrëmbente shokët si zogjtë. Me ta është më i butë edhe se qengjat. Do të pyesni pse?! Sepse e di fort mirë se me shokët kalon më ndryshe. Ata nuk e tolerojnë si gjyshi, gjyshja dhe motra. Me ta s`ka shaka. Andaj, Ardi kur luan me shokët është i mirë, i ëmbël, i qetë, zemërgjerë, tolerant… e sa e sa të mira të tjera tregon!?

13


ARDI DHE DETYRAT Sa herë që kthehet nga shkolla, Ardi hedh çantën në një qoshe që mos ta gjejë dhe kur të vijë koha në shkollë të shkojë pa të. Nuk e ka për qejfi shkollën. I do lojërat, sidomos kompjuterin, prej të cilit nuk ndahet as një minutë. Këto fjalë vazhdimisht gjyshi i thotë, por Ardi fare nuk shqetësohet. Prindërit e qortojnë, ndërsa ai vazhdon lojërat. Kur e pyesin për detyrat që u jep mësuesja, përgjigjet: në internet duhet të gjej fotografi të kafshëve, qyteteve, fshatrave ose tekste të gatshme për punët e njerëzve në vise të ndryshme të botës, ndonjë tregim apo poezi të bukur! Ardit kjo i shkon për dore, meqë punën në kompjuter e ka përsosur. Është i gatshëm që tërë natën ta kalojë pranë kompjuterit, vetëm e vetëm të mos shkruajë në fletore, sepse të shkruarit i ka kaluar në marrëzi, saqë ju nuk mund ta paramendoni! 14


Meqë me kompjuterin i shkon mirë, në shkollë del pari. Asnjëri nga shokët nuk jep përgjigje më të sakta se ai. Mësuesja e lëvdon dhe e merr si shembull i të mësuarit modern. Ardi duke lozur në kompjuter, ia arrin që të jetë më i suksesshmi dhe më i informuari se të tjerët. Shihni, edhe përtacia ndonjëherë del për të mirë! Por, nuk do t`ju ndodhë të gjithëve të kaloni ashtu nëse merrni shembullin e Ardit. Andaj, kini kujdes! Mund të qëllojë që të mos t`ia dilni me detyrat dhe t`u qortojë mësuesja apo të merrni notë të dobët! Merrni librat lexoni dhe detyrat kryeni me kohë. E sigurta është e sigurt! Mos e shikoni shumë Ardin!? Le të vazhdojë ai me të veten!

15


SI SHKRUAN HARTIM ARDI Jemi në orën e parë të mësimit. Me padurim e presim mësuesin me fletoret e hapura dhe lapsat në dorë. Do të kemi hartim nga gjuha dhe kureshtja nuk na lë të qetë. Kështu e nisi rrëfimin Dorina. Nuk kaluan as dy minuta e mësuesi hyri në klasë. La ditarin mbi tavolinë dhe pa humbur kohë u nis drejt dërrasës për të shkruar temën. Ne me kërshëri pritnim se ç`temë do të na jepte. Të gjithë kishim përgatitur nga dy-tri sosh dhe shpresonim se rastis e na bjerr ndonjë prej tyre, ndërsa shoku ynë Ardi rrinte qetë, sikur të mos i interesonte fare. Pasi mësuesi shkroi temën, filluam të shkruanim hartimin në qetësinë më të madhe. Në momentet e përqendrimit të vëmendjes tek hartimi, asnjëri nuk mendonte për botën andej dritares. Aty ku lulëzon jeta! Ku fijet e blerta të barit lehtë i përkund era lozonjare. Aty, ku nga qielli blu, dielli derdh rrezet e tij të arta mbi 16


natyrën bleroshe, ndërsa ne, ashtu heshtur, shkruanim hartimin pa mos vërejtur se ç`ndodh. Dhe, kur ngrita pak kokën, shohë Ardin e shqetësuar. Ai rri e nuk shkruan. Çudi! Rrotullon kokën këndej-andej. Diçka e mundon! Mësuesi e heton shqetësimin e tij, por nuk e pyet. Nuk kaloi shumë kohë dhe Ardi mori frymë thellë dhe u qetësua. Pushoi pak, u ngrit në këmbë dhe bërtiti: – Shkruani o ju dembelë, dembelësh! Juve ju duhen dy-tri orë për të shkruar një hartim, ndërsa mua vetëm dy-tri minuta, sepse aq kohë më nevojitet që t`i ndërrojë fletoret dhe ja, hartimi u krye. Nuk është faji im që nuk mund t`ia qëlloni temës. Prandaj lodhuni duke menduar e shkruar. Shihni kush fiton!? – duke tregua me gisht nga vetja. I tha këto fjalë dhe u ul. Në klasë heshtje! Mësuesi nuk ngriti as kokën ta shikojë! U befasua. Nuk i priste këto fjalë nga Ardi. Merreni me mend, po të vepronin të gjithë si ai, a do të duhej të punonim e mësonim!?

17


PSE BUZËQESHI LAPIDARI? Një ditë të bukur vjeshte, kur rrezet e diellit ndillnin buzëqeshje të ngrohta, Ardi shëtiste rrugëve të qytetit.. Duke ecur pa një plak ulur skaj rrugës pranë një lapidari, me një peshqir të shtruar përpara. Fytyrë zbehur, flokë derdhur e sy të zgurdulluar hidhte shikimet anembanë se mos mëshirohet ndokush dhe i jep ndonjë para. Për çudi, askush nuk i dilte në ndihmë! – Eh, tha Ardi! – unë me të gjitha prapësitë dhe hiret që kam, nuk mund ta shikoj e duroj këtë pamje. Nga hidhërimi filloi të lëviz në vend! Nuk largon e nuk flet, ndërsa para tij plaku rri ulur dhe hesht; nuk kërkon para, nuk ankohet, por i shikon fëmijët lakmueshëm! Ardit i vjen keq për plakun. Nga pikëllimi që ndjen për të, ashtu pandehur ecën rrugës ngadalë, që pas pak kohe të arrijë në shesh të qytetit, ku u ndal pak dhe me admirim i shikonte 18


bukuritë e tij. Por, në mendje gjithnjë e kishte plakun me pamjen tij aq trishtuese e mjeruese. Nuk vonoi shumë dhe me vrap, ashtu fluturimthi u kthye rrugës së mëparshme dhe arriti tek plaku. Për çudi, plaku rrinte në të njëjtin vend pranë lapidarit si lapidar! Po, po, lapidar i gjallë! Ardi u ndal para tij, e futi dorën në xhep, nxori disa para dhe ia lëshoi në peshqirin e shtruar. Pas tij me radhë fëmijë dhe të rritur bënë të njëjtën gjë. Habitshëm lapidari para Ardit buzëqeshi! Buzëqeshi edhe plaku. I gëzuar e shikonte Ardin me habi! Nga sytë e tij vetvetiu kuptohej falënderimi që i bënte. I gjetur në një situatë të tillë, Ardi filloi të dridhet dhe nuk mund të nxirrte fjalë nga goja. Nga sytë i rrodhën lot. U kthye anash dhe vazhdoi rrugën. Nuk tha asnjë fjalë. Ishte ky rrëfimi për veprën e Ardit. Nuk duhen fjalë. Vepra flet vetë!

19


SI U BË ARDI PALAÇO Duke kaluar pranë një cirku Ardi pa aktorët duke ushtruar, u përvodh nga shokët dhe pup, pup e hyri në cirk. Nuk e hetoi askush meqë të gjithë ishin të përqendruar në ushtrimet. Por, Ardi nuk mund të hetohet as kur jeni më vigjilent!? Dhe, duke shfrytëzuar pakujdesinë e rojës, hyri në dhomën e zhveshjes ku kishte një palë kostume të cilat duhej t`i vishte një aktor i vogël. Pasi që ishte i sëmurë rrobat i kishin mbetur në zhveshtore. I mori kostumet dhe i veshi. U shikua në pasqyrë dhe bërtiti: – Unë jam palaço! Jam palaço! Po, po, palaço i vërtetë! Meqë i pëlqeu ashtu vetja, vendosi të aktivizohet në ushtrime. Filloi t`i kërkojë dhomë më dhomë artistët. Duke kaluar korridoreve, më në fund i gjeti. Nisi ushtrimet me ta pa e kuptuar kush se nuk është aktori i tyre. Për befasi, palaçoja i vogël ushtrimet i bënte më mirë seç e pritnin regjisorët e spektaklit. 20


Shokët të hutuar nga humbja e tij, e alarmuan policinë dhe prindërit se mos vallë i ka ndodhur diçka. Filluan kërkimet, por Ardin nuk e gjenin dot. Erdhi mbrëmja. Në cirk luhej shfaqja. Disa shokë që nuk dinin gjë për humbjen e tij, shkuan atje. Pikërisht në orën e caktuar filloi cirku. Spektatorët me admirim dhe duartrokitje përcillnin akrobacionet e palaços së vogël. Ishte një gëzim i madh, sidomos për vogëlushët. Secili dëshironte të ishte në vend të tij! Kishin pse! Ai ishte ylli i mbrëmjes dhe duartrokitjet më të mëdha ishin për të. Pas dy orësh spektakli mbaroi. Aktorët të mbledhur në mes të sallës, nxorën rrobat dhe përshëndetën shikuesit. Dhe ndodhi befasia! Në mesin e tyre ishte dhe Ardi. Në sallë jehuan brohoritjet: Ardi! Ardi! Ardi..., ndërsa aktorët të befasuar, kthyen kokën nga palaçoja i vogël. U shtangën kur panë se në vend të aktorit të tyre është një djalosh tjetër. U kthyen nga djaloshi, u përkulën para tij për aktrimin e mrekullueshëm. Prej asaj dite ai u bë aktor i rregullt i cirkut dhe me ekipin e tyre shkonte qytet më qytet. 21


Fama për Ardin artist u përhap gjithandej. Në shkollën ku mësonte të gjithë e përshëndetnin me admirim, ndërsa mësuesit e toleronin për mungesat gjersa ishte në prova apo në shfaqe. Ndërkaq, prindërit edhe pse të hidhëruar me të, nuk e qortuan për këtë aventurë të tij.

22


NË KOPSHTIN ZOOLOGJIK Ardi me shokët shkuan në kopshtin zoologjik. Si gjithmonë çapkën, në të hyrë filloi t`i ngacmojë kafshët. Luan me ta, u jep gurë, drurë e çfarë t`i bjerrë tjetër në dorë. Kafshët hidhërohen, ulërijnë dhe bëjnë lëvizje të çuditshme për të dalë nga kafazi e t`i sulmojnë fëmijët. Ardi nuk çanë kokën. Duket se nuk frikohet prej tyre si shokët e tij! Një majmun plak ia mëshoi një shuplakë kur i dha një copë druri për ta ngrënë, ndërsa vetë hante banane. Trimoshi, sikur të mos i kishte ndodhur gjë, vazhdimisht ngacmonte kafshët dhe duke kaluar kafaz pas kafazi arrijnë tek elefanti. Të gjithë i japin banane, bonbone, ëmbëlsira dhe gjëra të shijshme, ndërsa elefanti i përshëndeste me lëvizje të feçkës së gjatë dhe tundje koke. Ardi si Ardi, sërish vazhdon me akraballëqet e tij. Mori një gur që ishte pranë dhe ia lëshoi në 23


feçkë. Elefanti e futi në gojë, por kur e pa se është i fortë e hodhi për toke, ndërsa Ardi nuk ndalej së qeshuri. Çuditërisht, elefanti është fort i qetë. Lëviz ngadalë nëpër kafaz dhe nuk kaloi shumë kohë e shkoi tek baseni. Futi feçkën kinse pi ujë, pastaj u kthye nga fëmijët, shikoi mirë e mirë dhe kur e pa Ardin, ngriti feçkën lart dhe mbi të lëshoi ujin e mbushur dhe e lagu sikur të binte shiu më i rrëmbyeshëm. Shokët me admirim dhe brohoritje përshëndetën elefantin, ndërsa Ardi, ashtu i lagur qull, vari kokën dhe iku nga turpi.

24


ËNDRRAT E PËRBASHKËTA Sonte Ardi ëndërroi një ëndërr të çuditshme. Nga frika nuk e zinte gjumi! Tërë natën e kaloi në ankth! Në të zbardhur mëngjesi vrapoi tek shokët. Deshe t`ua tregojë ëndrrën, por frikohej se nuk do t`i vijnë më ëndrrat e bukura, ato që i kënaqnin shpirtin dhe e shpinin nëpër vendet më të bukura anekënd botës. Po t`ua tregonte, frikohej se vazhdimit do ta ndjekin ëndrra të këqija. Më në fund vendosi t`ua tregojë. Në të nisur, Beni një shok i tij i tha: – Ndalo, Ardi! Po të tregoj unë se çfarë ke ëndërrua! – Do të më tregosh se ç`kam ëndërrua!? – Po, po, do të tregoj se ç`ke ëndërrua! – Mos thuaj marrëzira Beni! – Jo, nuk them marrëzira! Po tregoj me të vërtetë se ç`ke ëndërrua. – Nëse mendon se po e qëllon, tregoje! 25


Dhe Beni nisi të tregojë ëndrrën e Ardit. Për habinë të gjithëve, pikë për pike e kishte qëlluar. – Si është e mundur!? – tha në vete Ardi. Pastaj u kthye nga Beni dhe e pyeti se nga e di këtë. Beni duke qeshur i përgjigjet: – Unë të tregova se ç`kam ëndërruar vetë. – Nuk është e mundur! Jo, nuk është e mundur! Si mund dy njerëz të ëndërrojnë ëndërr të njëjtë në të njëjtën natë?! – habitshëm ia ktheu Ardi. Ja, meqë ndodhi, ishte një mrekulli për të gjithë. Dhe, kur filluan të tregojnë ëndrrat, doli që shumë shokë të kishin parë ëndrra të njëjta. – A e dini pse ndodh kjo kështu?! – sigurisht që jo. Ndodh ngase fëmijët lojërat dhe dëshirat i kanë të njëjta.

26


NË PUSHIME Ishte hera e parë që Ardi të shkojë në pushime në det. Asnjëherë nuk kishte parë një hapësirë aq të madhe me ujë dhe plazhe të gjata e të gjera të mbushura plot njerëz. Në të arritur në pushimore, me Gresën morën kostumet e banjës dhe ikën drejt plazhit. Në të mbërritur atje kërkuan vend për t`u shtrirë, por nuk mund të gjenin dot. Duke ecur plazhit panë fëmijë që luanin me rërë, disa të tjerë futboll, ndërsa pjesa më e madhe notonin nëpër det të shoqëruar nga valët kaltëroshe. Ardi nuk dinte ç`të zgjidhte. Ai deshe menjëherë të luajë edhe me rërë, edhe futboll, edhe të notojë. Më në fund vendosi. Hyri në ujë dhe i ra plazhit rreth e qark, pastaj u ndal pranë një grupi fëmijësh dhe filloi të bëjë akrobacione. Kërcen, zhytet, ngre valë në brendësinë e detit, ndërsa pranë plazhit përplas këmbët furishëm në ujë që t`i spërkat njerëzit që rreziten. 27


Njerëzit i bërtitnin që të ndalojë me lojërat, por Ardi nuk mërzitej! Nga kënaqësia as që i dëgjonte fjalët e tyre dhe vazhdonte të notojë; pllaf-plluf, pllaf-plluf, duke ngritur stërkala, sikur të kalonte ndonjë lundër apo delfin. Të gjithë e shikonin me habi! Çuditen sesi një fëmijë mund të jetë aq i shkathët dhe të notojë aq mirë dhe nuk kaloi kohë e gjatë e ata filluan ta shikojnë me admirim. Ardi u bë lazdraku i plazhit. Po të vonohej pakëz të gjithë pyetnin se ç`u bë me të, mos i ka ndodhur diçka apo është larguar në ndonjë plazh tjetër. Sa arrinte aty plazhi gjallëronte. Edhe njerëzit që i spërkaste nuk i hidhëroheshin më. Edhe ato i gëzoheshin gëzimit fëmijëror, sa për të thënë se lumturia nuk ka fund!

28


PSE NUK FLISTE ARDI Ardi në të kthyer nga shkolla iku drejt në dhomë. Nuk i përshëndeti si zakonisht gjyshen e as mamanë. – Ardi, si je syri gjyshes! – u dëgjua zëri i gjyshes nga dhoma e ndejës, por ai nuk ia kthen përgjigjen. Tani gjyshja me një zë pak më të lartë, iu drejtua. – Ardi, zemra e gjyshes, mirëmbrëma! Por, Ardi assesi të fliste. Ç`befasi!? Kurrë më parë ai nuk kishte veprua në këtë mënyrë. Gjithmonë, sa kthehej nga shkolla, përshëndeste dhe përqafonte mamanë e gjyshen, por kësaj here nuk ndodhi! Pse hesht, e ç`ndodh me të, nuk e dinin. Ndërkaq, Ardi në shkollë sot kishte marrë një detyrë të rëndësishme. Meqë afrohej festa e 28 nëntorit, mësuesja e kishte caktuar të recitojë një poezi për shfaqen shkollore. Titullohej “Valo flamur”, andaj ai me seriozitetin më të madh e mori këtë punë dhe në 29


t`u kthyer nga shkolla u mbyll në dhomë dhe filloi ta lexojë në qetësinë më të madhe, prandaj nuk i dëgjonte fjalët e tyre. Për të provuar sesi qëndron puna me të, tani foli e ëma. – Ardi, shpirti i mamit, a u ktheve nga shkolla? Por sërish ai nuk jepte përgjigje. Dhe, pas një bisede të shkurtër, gjyshja hyri në dhomën e tij. Ardi i shtrirë në krevat mbante në dorë letrën me poezinë e shkruar dhe lexonte, pa e hetuar se dikush hyri në dhomë. – Ç`lexon Ardi? – e pyeti gjyshja. – Poezinë më të bukur! – Poezinë më të bukur!? – ia ktheu ajo me habi. – Po gjyshe. – Po cila është ajo poezi? – “Valo flamur” – tha Ardi. – Oh, sa titull të bukur që paska! Sigurisht që edhe fjalët në të janë të bukura!? – Po gjyshe, – prandaj ju thashë që lexoj poezinë më të bukur. – Gjyshe, a di se në cilin muaj jemi tani? – foli Ardi. 30


– Po, e di. Në muajin nëntor. – A s`të kujtohet se ç`festë, festojmë në këtë muaj? – Mu kujtua. – 28 nëntorin – Festën e flamurit, Ditën e Pavarësisë. – Gjyshe, gjyshe! Ju nuk e kuptoni dot gëzimin tim. Sot më caktuan të marr pjesë në shfaqen shkollore dhe në të ta recitoj pikërisht këtë poezi, andaj kur u ktheva nga shkolla, ashtu i humbur nga gëzimi, vrapova në dhomën time për ta mësuar sa më parë dhe harrova t`ju përshëndesë. Të lumtura gjyshja dhe mami, nuk iu hidhëruan. E kuptuan gëzimin e tij. Nuk është pak të recitosh për festën më të madhe të kombit dhe aq më pak për flamurin!

31


PARULLAT MAGJIKE!? – Ardi, Ardii, Ardiii! – bërtet gjyshi nga oborri. Ardi nuk jep zë; mbath këpucët dhe niset diku. Nuk vonon shumë dhe kthehet me gazetë në dorë dhe shkon e ia jep gjyshit. Prindërit habiten! Nuk kuptojnë gjë, nuk pyesin. Kthehen në dhomë dhe presin se ç`do të ndodhë! – Gjysh, gjyysh, gjyyysh! – tani thërret Ardi. Gjyshi nuk përgjigjet, por fut dorën në xhep dhe nxjerr një qindarkë. Ardi afrohet, merr qindarkën dhe ikën. Habia tek prindërit shtohet. Kërshëria si lë të qetë.! Ç`janë këto truqe!? – pyesin. Ç`do të ndodhë më tutje!? Mendojnë për parullat me të cilat merren vesh. Diku pasdite, gjyshi kollitet tre herë. Ardi, vrapon tek kioska më e afërt, blen një pako cigare dhe ia sjell. Pak më vonë Ardi fishkëllen tri herë. Gjyshi nxjerr topin e fshehur dhe ia jep. Ai e merr topin 32


në dorë dhe vrapon tek shokët. Kur prindërit menduan se i kuptuan truqet e tyre, parullat ndryshuan. Filluan të përdorin shenja dhe veprime për të cilat kurrë nuk do të shkonte mendja. Po si do t`i kuptoje, kur ata ishin marrë vesh që çdo ditë dhe në çdo pjesë të saj të veprojnë ndryshe, andaj shanset për t`i zbuluar janë shumë të vogla dhe çdo përpjekje do të ishte e dështuar. Prandaj prindërit as që tentuan t`i zbulojnë fshehtësitë e tyre. I lanë lirisht të shprehen e veprojnë si të duan.

33


NË KOPSHT Ardi shumë i do lulet. Gjithmonë kur gjyshi punon apo mbjell lule, ai është aty për ndihmë. Shpesh i ujit, herë-herë i plehëron, madje edhe i punon. Por, mos mendoni se Ardi gjithnjë është aq i kujdesshëm ndaj luleve dhe kopshtit. Kur hidhërohet hynë në kopsht dhe i këput pa kurrfarë kontrolli. Ndodh që edhe të luaj me top nëpër lule, sikur të jetë stadium futbolli! Kur prindërit e qortojnë gjyshi i del në ndihmë. Si thoni, a vepron mirë gjyshi?! Do të pajtoheni, se gjithsesi se jo. E pse e mbron atëherë Ardin?! Po Ardi është krahu i gjyshit. Përndryshe, gjyshi ashtu edhe e quan. Do të pyesni pse?! Kur gjyshi del të shkojë diku, Ardi e kap për krahu dhe e ndihmon, sepse ai është plak dhe i nevojitet ndihma e dikujt. Gazetat ia sjell çdo mëngjes, i blen cigare, shëtit me të mbrëmjeve, andaj si mos ta mbrojë! 34


Dhe, Ardit për pak t`i dalin edhe brirët, ashtu siç thuan më të moshuarit. I tejkaloi të gjithë kufijtë e mirësjelljes. Andaj një ditë prindërit vendosën që mos ta dëgjojnë më gjyshin dhe Ardin e rregulluan ashtu siç duhet dhe e meriton ai. Që nga ajo ditë kopshti lulëzonte për bukuri. Nuk kishte më këputje lulesh pa nevojë dhe nuk luhej top aty. Sigurisht që edhe ju e keni dëgjuar fjalën popullore: ”dajaku ka dalë prej parajse”. Mendonit se do të ndryshonte Ardi, po të mos ishte dajaku!? Hë, hë, hëëë, pra! Rroftë dajaku!

35


NË BOTËN E ËNDRRAVE Si çdo fëmijë edhe Ardi i do ëndrrat. Por, ai dëshiron që ëndrrat e tij të jenë më të bukura dhe më të çuditshme! Shpesh i ndodh që të hidhërohet, ngaqë nuk i pëlqejnë ato që i ëndërron. Si të mos hidhërohet, kur nuk është si shokët e tij!? Ai është i veçantë! Do që ëndrrat ta shëtisin nëpër qiell, ta shpien në hënë, të jetë në mesin e xhuxhëve e të luajë më to...e sa dëshira tjera ka! Do të çuditeshit nëse Ardi do të deshe që ëndrrat t`ia kryejnë edhe detyrat, madje edhe në shkollë të shkojnë në vend të tij. Po, po! Këtë shpesh e shpreh para shokëve dhe nuk turpërohet. Thotë se, nëse ëndrrat më kanë shokë e më shoqërojnë çdo natë, atëherë le të veprojnë ashtu siç dua unë. Dhe, sikur ëndrrat e dëgjuan. Filluan t`ia plotësojnë dëshirat, por kur panë se sa përtac është ai, ikën të hidhëruara dhe nuk i vinin më. 36


Kur kuptoi për hidhërimin e ëndrrave, Ardi premtoi se do të përmirësohet dhe kurrë nuk do t`i përsërisë gabimet e bëra. Ëndrrat janë të mira. Dinë edhe të shpërblejnë. Kur panë se ai me të vërtetë është penduar dhe e ka përmirësuar sjelljen, si ndaj shokëve dhe të gjithë atyre që i ngacmonte, sërish iu kthyen, tani edhe më të bukura se që i vinin më parë. Ardi përsëri filloi të jetë i lumtur, madje mendonte se me të vërtetë është në botën e ëndrrave!

37


DËSHIRA TË ÇUDITSHME – Gjysh, gjysh, mu kujtua diçka! – bërtiti Ardi. – Ç`t`u kujtua, Ardi, – ia ktheu gjyshi. – Dua të shkojmë në skijim! – Në skijim! Po ku do të gjejmë borë, kur tani jemi në mes të verës. – Në të gjitha vendet e botës nuk është verë gjysh. Mund të shkojmë atje ku ka borë dhe të rrëshqasim. – Mirë të është kujtua Ardi, por për të shkuar atje nevojiten edhe para. – Para ju do të gjeni! Ju punoni. Unë dua të rrëshqasë, dua edhe të fluturoj, dua të luaj futboll. Kam edhe shumë dëshira të cilat nuk dua të t`i them tani, por nëse më kundërshtoni, atëherë do t`i shpalos edhe tjerat. Ato mund të jenë edhe më të çuditshme! – Më të çuditshme!? – ia ktheu gjyshi i befasuar. Po si janë ato më të çuditshme, kur ti kërkon borë në mes të verës?! – A nuk ju duket më e çuditshme, nëse kërkoj të lahem në det mu në pikën e dimrit, në ngricën më të madhe!? Si thoni tani, gjysh?! 38


Mund edhe pak më të çuditshme, madje edhe shumë më të çuditshme. Gjyshi, duke i ditur tekat e Ardit, nuk deshi ta pyesë më, sepse nga koka e tij me të vërtetë mund të lindin njëmijë e një dëshira të tilla, andaj i tha që këto dëshira t`ia tregojë babait dhe nëse ai pajtohet, atëherë nuk ka problem. Por, këtu qëndron problemi i Ardit. Para babait nuk guxon fare të dalë me kësi kërkesash. E di fort mirë se këto budallallëqe i kanë kaluar në marrëzi. Dhe, po t`ia tregonte, sigurisht se nuk do të kalonte mirë, ndaj dhe i harroi dëshirat që kishte, bile nuk ia thoshte më as gjyshit!

39


ME HIRET EDHE NË FSHAT Gjatë një vikendi Ardi me motrën shkuan në fshat që t`i vizitojnë gjyshin dhe gjyshen. Ardi, ashtu siç e ka zakon, nuk ngurroi që edhe këtu të vazhdojë me budallallëqet e tij. Sa hyri në oborrin e gjyshit pa një gomar. Iu afrua atij ngadalë dhe filloi t`ia mëshojë me shkop. I habitur, gomari e shikonte me neveri, meqë nuk ishte mësuar me kësi budallallëqesh të fëmijëve të fshatit, andaj nuk i hiqte sytë nga Ardi. Por, kur vazhdoi me budallallëqe tjera, ai palli aq shumë saqë Ardi nga frika rra në tokë. Dhe, mos mendoni se mbeti me kaq!? Kur e pa sesa frikacak është, filloi edhe ta përqesh. Buzët e tij ndryshonin nga minuta në minutë. Pas pak kohe i dha edhe një shqelm në prapanicë! Ofkëlloi Ardi, por më kot. Gomari e mori hakun! Sa u largua nga gomari, filloi të vrapojë pas një klloçke me zogj. Edhe kësaj radhe nuk kaloi hiç më mirë. Klloçka si një nënë e mirë që i ruan fëmijët e saj, në t`iu afruar zogjve që t`i kapë, e 40


sulmoi me sqep duke ia gërvishtur e gjakosur dorën e djathtë. Piskama e Ardit u dëgjua në tërë lagjen. Vrapuan të gjithë duke menduar se i ka ndodhur ndonjë gjë e padëshirueshme apo mos e ka sulmuar dikush. Kur panë se klloçka e ka bërë në atë gjendje, gjyshi dhe gjyshja njëzëri thanë: – Ç`kërkove, atë e gjete, – dhe ikën në dhomë. Por, Ardit pak iu dukën këto. Vazhdoi me hiret e tij. Sa e pa një qen që flinte pranë derës së një shtëpie, i hodhi me gur. I hidhëruar qeni e rrëmbeu me tërbim. Ikte Ardi nga frika sa mundej dhe duke ikur u përplas për një druri dhe e çau kokën. Vrapuan fshatarët për ndihmë dhe me veturë shpejt e çuan në spital. Aty mjeku ia qepi kokën dhe ia lidhi me fashë. Tani Ardi i ngjasonte Gonit trazovaç, që sigurisht keni dëgjuar e lexuar për të. Po, ishte pikërisht si ai në ato momente. Dhe ky farë trimi, filloi të ankohet se në fshat i ndodhin gjëra të këqija dhe se kurrë më nuk do të vijë këtu! Siç duket, më i lumtur do të jetë fshati po qe se Ardi më nuk vjen më tek ai. 41


EDHE ARDI DI TË NDIHMOJË Një ditë kur prindërit shkuan të vizitojnë tezen në qytet, Ardi mbeti në shtëpi me gjyshin e sëmurë. Meqë gjendja e tij keqësohej, vendosi të shkojë e ta thirr mjekun. Dhe, ashtu si i hutuar, hapi derën, vrapoi shkallëve teposhtë, doli në rrugë dhe u nis drejt ambulancës. Në të mbërritur atje, filloi të bërtasë: – Më duhet mjeku! Më duhet mjeku! Gjyshin e kam të sëmurë. Të gjithë e shikonin me habi. Çuditeshin sesi një djalosh aq i vogël kërkon ndihmën e mjekut për gjyshin e tij dhe u larguan për t`ia lëshuar rrugën, që të arrijë deri tek dera e mjekut. Duke falënderuar njerëzit për mirëkuptimin, trokiti në derë. – Urdhëroni! – tha mjeku. Hyr brenda. Ardi hyri. Kur e pa mjeku djaloshin e shqetësuar, me një zë të ëmbël e pyeti: – Ç`të mundon djalosh?! 42


– Xhaxhi mjek, gjyshin e kam të sëmurë! I nevojitet ndihmë e shpejtë. Duke kuptuar situatën serioze, mjeku mori çantën dhe bashkë me Ardin ikën për në shtëpi, ku gjyshi priste ndihmë. Ai e kontrolloi mirë plakun, i dha injeksione dhe para se të largohet i tha: – Paskeni nip të mrekullueshëm, gjysh. Kjo është pasuria më e madhe për një shtëpi. Andaj krenohuni me të. Gjyshi qeshi dhe lëvizi kokën. I di fort mirë ai hiret e Ardit. Nuk beson se Ardi do të kishte vepruar kështu, po të mos ishte në pyetje vetë gjyshi!

43


SI ARDI, ASHTU EDHE SHOKËT! Shokët që kam çdokush do të dëshironte t`i kishte! Janë të urtë, të sjellshëm, humanë, solidar e shumë të mira tjera kanë. Kështu thotë Ardi, sa herë që i zë në gojë shokët e tij. Po a është kështu në të vërtetë?! Thotë kështu, sepse edhe ai vetë sillet si ata. Shpeshherë kacavirret në degët e drurëve dhe i shqyen rrobat. Kur ndonjë i panjohur kalon rrugëve, e tallë dhe i flet fjalë të ndryshme! Edhe moshatarët e vet i ngacmon. Nuk është i gatshëm t`i ndihmojë askujt, po qe se i nevojitet ndihmë. Kur dikush e lutë që t`i kryejë ndonjë punë, Ardi gjithmonë e refuzon. Tani e kuptoni se çfarë shokësh ka Ardi.

44


VETMIA Një ditë kur Ardi mbeti vetë në lagje dhe ndjeu mungesën e shokëve, atëherë e kuptoi sesa keq është të jesh i vetmuar. Nuk dilte nga shtëpia. Rrinte në dhomë dhe nuk largohej askund. Në të kuptuar për problemin, gjyshi iu afrua ashtu heshtur dhe filloi ta pyesë se çka e mundon. – Ardi më dukesh pak si i shqetësuar!? Pa mos ia kthye përgjigjen, Ardi i drejtohet gjyshit: – Gjysh, a ke qenë ndonjëherë i vetmuar?! – Pse më pyet, Ardi? – Të pyes, sepse mendoj se më keq se të jesh i vetmuar nuk ka. – E pse të jesh i vetmuar!? Ti ke plot shokë e shoqe. Lagja jonë është e madhe, apo jo, Ardi? – Gjysh, gjysh, ju nuk e kuptoni se kam mbetur pa shokë. Edhe ata pak që janë nuk shoqërohen me mua! 45


– Ç`broçkulla thua Ardi!? – foli më me seriozitet gjyshi. – Nuk janë broçkulla e as mahi, gjysh! E vërtetë është se unë ndjehem i vetmuar. Edhe shokët që kanë mbetur në lagje nuk shoqërohen me mua. – Ardi, sigurisht ka diçka mes teje dhe shokëve. Nuk mund të largohen aq lehtë. Ndoshta je hidhërua me ndonjërin apo ke bërë ndonjë problem, kështu e kuptoj! Andaj të lutem ma trego të vërtetën. Ardi uli kokën për toke dhe nuk deshi të flasë. – Ardi, të lutem edhe njëherë, tregoje të vërtetën. – insistoi gjyshi. – Gjysh, – me gjysmë goje foli Ardi. Po unë, Tonit i dhashë një shuplakë në klasë, Lules ia grisa fletoren, Mirit ia theva vizoren, Artanin e shqelmova kur luanim futboll. Bëra edhe disa gabime tjera, që në moment nuk më kujtohen. – Të lumtë, Ardi! Ti paske qenë hero i madh! Beso se edhe unë pas kësaj që më tregove, të jam hidhëruar. Ardi përsëri vari kokën dhe heshtte. Nuk i dilte fjalë nga goja. 46


Por, gjyshi nuk mbeti me kaq. Kërkonte nga ai të dijë sesi do të veprojë që shokët t`i kthehen përsëri. – Gjysh, unë jam ky që jam! Nuk mund të ndryshoj aq shpejt. Andaj, shokët po qe se duan të shoqërohen me mua, le të shoqërohen pa mos u kërkua falje! Qeshi gjyshi duke lëkundur kokën! Në vete pëshpëriste: Eh Ardi, Ardi! Me këtë kokëfortësi vështirë do ta kesh tërë jetën dhe e mbaroi bisedën. E la që problemin ta zgjidh vetë Ardi kur t`i kujtohet atij.

47


DËNIMI Ngacmimet për Ardin janë lojë e përditshme. Ashtu siç e ngacmonte gjyshin dhe ia merrte llullën e duhanit, në dhomën e gjumit dhe mes sallonit çdo ditë thyente nga një gotë apo pjatë si dhe tërhiqte zvarrë qilimat, ashtu edhe në kopsht gjuante me shkop fëmijët dhe vraponte të kapte ndonjë qen apo mace. Edhe në oborr të shkollës çdo ditë i ngacmonte shokët ose këpuste lulet, por edhe hidhte me gur pas dritareve. Dje, jo vetëm që përplasi derën e mësonjëtores, por edhe Majlindës ia tërhoqi flokët, kurse Andin e pështyu në fytyrë. Në atë çast u dukë mësuesja e cila nuk e njihte dhe nuk i dinte budallallëqet e tij. Përballë mësueses filloi të qajë, duke drejtuar kishin nga Andi dhe Majlinda, sa për t`ua lënë atyre fajin.

48


Por, sot nuk mundi t`i ikë fajit, edhe pse para drejtorit të shkollës arsyetohej se pa qëllim e theu fidanin para derës së shkollës. – Ardi, me qëllim e theve fidanin! – i tha drejtori. Për këtë do të dënohesh, jo vetëm që të mbjellësh fidanishte, por një javë do ta pastrosh edhe oborrin e shkollës. Punoi Ardi një javë të tërë. Puna ishte e lodhshme dhe sikur u betua se veset e këqija nuk do ti përsërisë më. Por, Ardi është Ardi!

49


ARDI MAGJISTAR Me të dalë nga rruga e dytë e shtëpisë së Ardit, rrëzë malit buzëqesh një godinë jo më shumë se njëkatëshe, por gjithmonë e qeshur si fytyra e Ardit! Një ditë, i ulur në kopsht me shokët dhe shoqet Ardi vinte bast se me marifetet e tij mund ta bënte që shkolla të qesh. Nga turma e shokëve u dëgjua zëri, se mos vallë Ardi ka shkopin magjik dhe me të vërtetë shkolla mundej të qesh! Të gjithë frikoheshin! I dinin fantazitë e tij të çuditshme, andaj nuk vinin bast. Vetëm Dorina e zgjati dorën. – Mos Dorina, – i bërtiti Goni, kur pa se shoqja e tyre mori guximin të vë bast me Ardin. Dorina heshti! Ishte e vendosur dhe sikur deshe t`u thotë shokëve, s`ka problem. Unë jam e gatshme për befasi edhe më të mëdha!

50


Nuk kaluan shumë minuta dhe një e qeshur filloi të dëgjohet aq shumë, saqë edhe dritaret filluan të hapeshin! Dorina u skuq, ndërsa Ardi buzëqeshi edhe më shumë, kurse shokët e shoqet pyetnin; sesi është e mundur!? Por, Ardi magjistar bëri çudira, madje mund të bëjë edhe mrekulli tjera. Shokëve dhe shoqeve u premtoi se nesër në mëngjes kur të vijnë në shkollë, të gjitha lulet dhe pemët të çelin, edhe pse kishte filluar të rresh dëbora e parë. Nëse ju të tjerët nuk i besoni Ardi magjistarit, atëherë përpiquni që ta njihni!

51


TË LUTEM GJYSH, MË FAL! Do të thoshit se Ardi është i papërmirësueshëm. Do të habiteni, sepse edhe ai di të jetë i kujdesshëm. Kur bën gabime di të kërkojë falje. Shpesh gjyshit i thotë: Të lutem gjysh, më fal. Por, këtë e bën vetëm kur gabon me gjyshin! Me tjerët, si duket, do të t`i duhet edhe pak kohë që të përmirësohet. Ai dita-ditës rritet dhe ka filluar të mendojë pak më ndryshe. Gjërat i kupton shumë më mirë se dikur. E di kur gabon, e kur nuk gabon. Por, t`u kërkojë falje edhe tjerëve si gjyshit, i duket pak si rëndë!? Mendon se nuk do të jetë më ai çapkëni që të gjithë e toleronin dhe lazdronin. Dëshiron të jetë akoma mbret i shtëpisë dhe i tërë lagjes. Por... Një ditë vendosi që me të vërtetë të ndryshojë. Deshe të bëhet edhe më i kulturuar se të tjerët dhe filloi të sillet shumë bukur. E nde52


ronte çdonjërin që kalonte rrugës, madje edhe ata më vegjlit se ai. Kur bënte gabime shokëve u kërkonte falje. Njerëzit çuditeshin sesa shpejt ndryshoi Ardi. Tani e donin edhe më shumë. E dinin se një ditë kjo do të ndodhë. Dhe ja ndodhi! Ardi sërish është me i përkëdheluri dhe më lazdraku i lagjes, por kësaj here për sjelljen e mirë e të kulturuar!

53


DIKUR, EDHE BABADIMRI ISHTE NDRYSHE! Babadimri dikur nuk ishte si është sot. Atëherë ai nuk rrugëtonte shpejt si ky i tanishmi. Edhe dhuratat i kishte ndryshe. Më dukej se ishte më i lumtur! Nuk e di pse!? Por ashtu mendoj, – i tha gjyshi Ardit. Më kujtohet babadimri që më sillte dhurata mua. Me të vërtetë ishte i çuditshëm, ndërsa ne si fëmijë atë kohë e pritnim me padurim, ndoshta pse nuk hanim ëmbëlsira si hani ju, ndoshta pse edhe veshje nuk kishim ose edhe atë që e kishim, ishin të arnuara dhe përcilleshin prej fëmijës në fëmijë. Por, lumturia më duket se ishte më e madhe. Vitin e Ri e festonim në mënyrë më madhështore. Mund të ishte nga ajo, se asaj kohe me vështirësi mund ta gjeje ndonjë shtëpi që kishte televizor! – vazhdoi rrëfimin gjyshi, duke pyetur se ku janë pritjet e Vitit të Ri sot?! 54


Fëmijët e sotëm më duken pak si më të lazdruar, më tekanjozë dhe më të privilegjuar se ç`ishim ne atëherë! Sot, jo vetëm që kanë televizorë, por kanë edhe kompjuterë, si të thuash; kanë e ç`nuk kanë! Por, përsëri më duket se babadimri i dikurshëm, që me shumë mundime arrinte tek ne, ishte më i miri, më i dashuri dhe më i lumturi. Edhe dëbora më dukej më e bukur atëherë, Ardi! Dimrat ishin dimra të vërtetë. Ç`të them për kaprojtë!? Më dukeshin më të shpejtë edhe se avionët! Do të thuash Ardi, se ndoshta të dukej ashtu, sepse në atë kohë ke qenë vetë fëmijë dhe me padurim ke pritur dhuratat!? Me të vërtetë, mund të jetë kjo që thua Ardi! – pohoi gjyshi, duke fshirë lotët që i rrodhën faqeve.

55


TEKANJOZI Babai i Ardit ishte shtrirë në krevat për t`u çlodhur, meqë nga puna sot ishte kthyer fort i lodhur. Nga dhoma e ndenjes i dëgjua një britmë: – Babi, babi, më ra ndërmend diçka? – E ç`të ra ndërmend biri im? – Të lutem që të më blesh një makinë që shkruan, mendon dhe që mund t`i zgjidh detyra vetë pa mos e prekur askush, do të ishte mrekulli për mua?! – Bukur mirë të ka rënë ndërmend! Me të vërtetë do të ishte mrekulli për ty dhe shokët si ti. S`do të mendoje më për detyrat! Do të kishe mjaft kohë për lojëra, shëtitje e gjëra tjera. Edhe gjumin do ta bëje më të ëmbël e më të rehatshëm! Makina detyrat do t`i kryente për mrekulli, e ti në shkollë do të shkoje gjithmonë i përgatitur! Edhe pse zëri i babait ishte pak sa ironik, s`do mend se ishte tallës, tekanjozit as që i 56


shkonte mendja ta kuptojë ndryshe. Ai e dëshiron një makinë të tillë, pa edhe pse dikush mund të tallet me të.

57


GJUMASHI Ardi është përtac i madh. Fare se do punën. As detyrat e shtëpisë nuk i kryen me kohë. Kohën e kalon vetëm në gjumë e lojë. Zgjohet atëherë kur rrezet e diellit i flakërojnë fytyrën dhe qepallat i vesojnë nga djersa që i kullon ballit. Për habi, edhe pse e sheh se dielli është ngritur në kupën e qiellit, i duket herët dhe vazhdon gjumin, gjersa nëna me vrap nuk e zgjon, sepse koha është për të shkuar në shkollë. Zgjohet gjumashi dhe ashtu i përgjumur, me shpejtësi ha bukë dhe niset për në shkollë. Nga ngutësia shpesh i ndodh që të shkojë edhe pa çantë. Mësuesja e qorton, ndërsa shokët qeshin me të. Të gjithë e thërrasin Ardi gjumashi. Ai hidhërohet, por më kot, meqë jo rrallë e zë gjumi kokën mbi bankë. Këshillave të mësueses as që u var veshin. Shtiret kinse nuk kupton, edhe pse është fort i 58


zgjuar. Por, çka i vlen kjo, kur mësimet i lë pas dore! Do thoshit ju, pse Ardi është i tillë kur të gjitha të mirat i ka në shtëpi!? Sigurisht që e keni dëgjuar një thënie popullore " e mira ndonjëherë të vret" dhe si duket kjo është ngulitur në kokën e Ardit, por edhe përkëdheljet e gjyshit e kanë katandisur!

59


ZËNKAT E ARDIT Nuk e di pse të gjithë nxënësit e shikonin Ardin, por nuk i afroheshin! Më dukej se lexonin atë që shkruante me shkumës ngjyrë të kuqe në shpinën e tij: – Unë jam Ardi, bodigardi! Në dorë mbante një shkop të shkurtë. Nuk vonoi dhe filloi si zakonisht me zënkat e tij. Së pari Zanës, që është më e butë edhe se drenusha, i dha një të shtyrë dhe e rrëzoi për toke. Pastaj filloi të godas me shkop cilin e gjente më afër. Kryelartit sikur nuk i kishte rënë ndër mend se shokët mund të solidarizohen dhe të pësojë shumë më keq se siç ua mendonte shokëve. Kur ngjarja mori seriozitetin, shokët iu kthyen dhe e bënë që më mirë do të ishte që mos ta dini! Por, nëse insistoni, po u tregoj! Krahun e mbante lidhur për qafe me fashë, kokën mbushur me fllastera, ndërsa lëvizte me ndihmën e patericave. Ja, pra! Ky ishte epilogu i zënkave të Ardit. 60


ARDI NË LULISHTEN E JETËS Të dashur fëmijë, secili nga ju është personazh "Në lulishten e jetës" duke vrapuar pas nektarit dhe aromës që strehohen mes petaleve të luleve, njëjtë si kryepersonazhi i veprës "Në lulishten e jetës" Ardi, i cili lule më lule me ecjen e tij, herë duket çapkën e herë tekanjoz, herë i qeshur e herë i revoltuar pse nuk mundet ta bëjë lulishten e jetës ashtu siç ia donte shpirti. Ndaj, çdo tregim brenda librit në fjalë ka një fletë ditari nga jeta e Ardit, të cilin ditar Ardi ia dhuroi shkrimtarit tuaj të dashur Aqif Isakut ta qëndisë me penën e tij, që të mësoni sesi ecet nëpër lulishten e jetës, për të arritur deri te kurora e dijes, që nesër edhe ju ta kuptoni jetën, ashtu siç e kuptoi më në fund edhe Ardi. Ardi i "Lulishtes së jetës" nuk ishte i vetëm. Në atë lulishte janë edhe shumë personazhe, të cilët veprës i japin një stoli, thuajse nektari dhe aroma sikur detyrohen të trokasin edhe në zemrat e juaja, që gjatë kësaj rruge të dukeni 61


porsi petalet përplot ngjyra që i japin hijeshi jetës dhe mbarë kopshtit, ku Ardi herë si çapkën e herë si tekanjoz, mbushte ditarin e tij përplot shikime që vrapojnë pas dijes dhe bukurisë. Të këndshëm janë personazhet si: gjyshi, gjyshja, Gresa, nëna, babai, shokët dhe shoqet etj., të cilët Ardin jo vetëm që e edukonin, por herë-herë edhe e qortonin që në lulishten e jetës çdo lule të rritej ashtu siç duhej. Pra, fëmijë të dashur, mendoj se me veprën "Në lulishten e jetës", shkrimtari i juaj Aqif Isaku para jush sjell një panoramë jete, e cila jo vetëm që do t`u edukojë, por do t`ju mësojë që edhe ju më në fund si Ardi ta kuptoni jetën dhe të jeni sa më të dashur dhe sa më krenar rrugës së jetës, që nesër fjala e juaj të ketë peshë sa lulishtja e jetës dhe, si të tillë ta keni buzëqeshjen bashkë me kujtesën porsi lulet "Në lulishten e jetës", që gjithmonë rrinë të qeshura brenda petaleve që kohës i japin bukuri dhe emër. Rami Kamberi

62


PËRMBAJTJA: Kush është Ardi? ................................................3 Mbreti i përrallave .............................................5 Babadimri troket në derë...................................7 Biçikleta me dy sy ............................................10 Kur ndryshon Ardi ............................................12 Ardi dhe detyrat...............................................14 Si shkruan hartim Ardi .....................................16 Pse buzëqeshi lapidari? ...................................18 Si u bë Ardi palaço ...........................................20 Në kopshtin zoologjik.......................................23 Ëndrrat e përbashkëta .....................................25 Në pushime ....................................................27 Pse nuk fliste Ardi ............................................29 Parullat magjike!? ............................................32 Në kopsht.........................................................34 Në botën e ëndrrave ......................................36 Dëshira të çuditshme .....................................38 Me hiret edhe në fshat ...................................40 Edhe Ardi di të ndihmojë .................................42 Si Ardi, ashtu edhe shokët! .............................44 63


Vetmia .............................................................45 Dënimi .............................................................48 Ardi magjistar..................................................50 Të lutem gjysh, më fal! .................................52 Dikur, edhe babadimri ishte ndryshe!..........54 Tekanjozi..........................................................56 Gjumashi..........................................................58 Zënkat e Ardit.................................................60 Ardi në lulishten e jetës ...................................61

64


Aqif Isaku u lind në fshatin Pirok ku edhe jeton. Është shkrimtar për fëmijë. Kryesisht shkruan poezi dhe prozë, por merret edhe me shkrime me karakter edukativo – mësimor dhe metodike – didaktike. Studimet për mësuesi i kreu në Universitetin e Prishtinës, ndërsa punon si mësues në fshatin Bogovinë. Është anëtar i LSHSHM-së Vepra të botuara: – Çapkënllëqet e Tonit – 1995 – Ylberi ikë me diellin – 1998 – Dielli s`ka dy rrugë – 1999 – Ylberi dhe ylberi – 2005 – Mbi krahë të ëndrrave – 2007 – Dielli në rrugëtim – 2008 – Bota jonë – 2009 – Në lulishten e jetës – 2010

ISBN 978 9989-150-56-6


Aqif Isaku NE LULISHTEN E JETES