Odiseja e nje Detektivi 1

Page 5

nuk kishin guxuar ta imagjinonin dot më parë, privilegjin e strehimit familjar në qytezën më të afërt industriale, si dhe vend pune të preferuar për gratë. Në të ardhmen e afërt, fëmijve të tyre do t'iu ofrohej bursë shteti për t'u shkolluar, mbasi babai shërbente në një vend pune «me rëndësi të posaçme». Të vetëkënaqur tej çdo parashikimi, ata fillimisht jetonin si në ëndërr, mbasi kishin shpëtuar nga buka e misrit me racion e gjithmonë pa gjellë. Dhe kur atyre u thuhej se personat me kokë të qethur zero e uniformë bojë kafe të shplarë janë armiq të pushtetit në fuqi, këtë thënie mendja e tyre shterpe e deshifronte sipas kodit të interesit vetjak: «Këta duan t'ju heqin nga duart mirëqenien që ju ka siguruar pushteti, të cilin donin ta rrëzonin.» E atëherë ata bëheshin aq agresivë, saqë duhej patjetër ndërhyrja e ndonjë oficeri të komandës së burgut, për të frenuar sadopak patriotizmin e tyre, vullkanik. Joshja e interesit material ata i kishte thithur shpirtërisht në ingranazhet e makinës së verbër shtypëse të shtetit. * Faktorët e shumtë që ndikonin në keqësimin e përgjithshëm të gjendjes së të burgosurve, duke u gërshetuar me njëri-tjetrin, fuqizoheshin e bëheshin edhe më kërcënues. Hyrjet e minierës, si gojë të hapura kuçedrash grykëse, thithnin tre turnet e punës 24 orëshe. Avujt që nxirnin në natyrë prej barkut të tyre të nxehtë krijonin përshtypjen, se gjahu i gjallë që kishin gëlltitur dhe lëvrinte nëpër rropullitë e tyre i detyronte të çlironin energjinë e tepërt. «Dalç shëndoshë!». Kjo ishte përshëndetja që shkëmbenin midis tyre të burgosurit e fronteve të ndryshme të punës, kur ndaheshin me njëri-tjetrin në kryqëzimet e galerive. Kjo përshëndetje linte të kuptohej se ata mund të dilnin edhe me barelë prej andej, ose mund të mos dilnin kurrë, siç iu kishte ndodhur bashkëvuajtësve të tjerë. Kërcitja e një trupi të thyer në armaturën e galerisë ku ata punonin, rënia e një guri, apo rrëshqitjet e dheut mbi kaskat e tyre plastike, u kujtonin të burgosurve se ata në çdo moment mund të bëheshin pré e kurtheve të vdekjes. Paralelisht me torturën fizike dhe luftën psikologjike, ankthi i pasigurisë së përhershme në minierën primitive ua nxinte jetën e përditshme këtyre kufomave të gjalla. Pushteti i vampirëve të kuq synonte shëndetin e tyre, ndërsa pusitë e vdekjes nëntokësore u kërcënonin jetën. Të ndodhur midis këtyre dy zjarresh të përhershëm, të burgosurit e dërrmuar fizikisht e shpirtërisht bënin një zgjedhje të dëshpëruar: përballë kërcënimit policor, ata detyroheshin të zgjidhnin rrezikimin e jetës. Ndofta vdekja edhe mund t‘i mëshironte, ndërkohë që policia e pamëshirshme e kampit nuk e bënte kurrë këtë gabim ideologjik ndaj armiqve të partisë.


Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.