Issuu on Google+

BEQIR BERISHA

FILOZOFIA ANTIKE

TETOVË, 2010

Recensentë: Dr. Prof. Galip Veliu Dr. Prof. Dali Emrullahu

Korrektore: Lynkesta Hani

Botues: Autori

Shtypshkronja: Çabej

ISBN

FILOZOFIA ANTIKE

NJË THIRRJE PËR TË FILOZOFUAR “Nuk ka filozofi që përmban tërë filozofinë; filozofia në përgjithësi në disa momente gjindet në secilën”. (Maurice Merleau Ponty) Vepra që po paraqes në vijim është një pjesë e shkëputur nga një punim më i gjerë i titulluar “Filozofia e Perëndimit”. E shkëputa filozofinë helene për ta botuar si të veçantë për disa arsye. Arsyeja e parë është se filozofia helene përbën bazën e mendimit filozofik perëndimor dhe në një mënyrë ajo përmban të gjitha doktrinat e mëvonshme filozofike të Perëndimit. Filozofia, natyrisht, nuk filloi në Heladë, as Antika nuk u përket vetëm helenëve, por duke e kufizuar punimin tim vetëm në Filozofinë e Perëndimit, e kufizova edhe këtë pjesë të elaborimit vetëm në Antikën helene dhe në ate helenistike. Refleksione filozofike të lidhura me problemet e botës dhe të jetës ka pasur edhe para helenëve, por meqë kulmi i këtyre refleksioneve arriti në Heladë, u përqëndrova që në këtë punim të përfshij vetëm këtë periudhë. Të arriturat shkencore dhe filozofike të një qytetërimi të vjetër në Indi, Kinë, Babiloni, Egjypt e gjetiu nuk përfshihen në këtë vepër. Këtu nuk përmenden as Buda e as Konfuçi edhe pse mendimi filozofik i të cilëve ka vlerë të veçantë sidomos për Orientin. U kufizova në Antikën helene dhe në ate helenistike jo vetëm se jetojmë në Oksident, por edhe për një arsye shumë më 3

Beqir Berisha

të madhe. Filozofia helene u bë forca lëvizëse e tërë qytetërimit evropian për më tepër se 2500 vjet. Ajo ka një rëndësi të veçantë në zhvillimin e shkencës, letërsisë të artit dhe të kulturës në përgjithësi në kontinentin evropian deri në ditët e sotme. Këtu qëndron arsyeja që filozofia e kësaj periudhe zë një hapësirë të konsiderueshme në librin “Filozofia e Perëndimit”. Libri, në rend të parë, u dedikohet kurreshtarëve të leximit, sidomos adhuruesve të filozofisë dhe të gjithë atyre që dëshirojnë të dinë diçka më shumë për filozofinë helene. Por ky libër mund të shfrytëzohet nga studentët e studimeve filozofike, sociologjike, pedagogjike dhe psikologjike. Libri fillon me Talesin dhe me dishepujt e tij të Shkollës së Miletit, duke lënë anash mendimin e vjetër filozofik përkatësisht misterioz të periudhës mitologjike para Talesit. Arsyeja që në këtë libër nuk përfshina periudhën mitologjike helene qëndron në faktin se me Talesin fillon reflektimi real filozofik mbi dukuritë e Universit. Në këtë libër kemi dy kapituj të Filozofisë antike: filozofinë helene në kapitullin e parë dhe atë helenistike në kapitullin e dytë. Përveç kësaj ndarje globale kam bërë edhe një ndarje tjetër të filozofisë helene. Ajo ka kaluar nëpër tri periudha të zhvillimit të vet. Në fillim kemi periudhën kosmologjike. Kjo është periudha kur fenomenet natyrore e habitnin njeriun i cili fillonte njëkohësisht të mendojë për shkakun e të gjitha këtyre dukurive, duke shkuar shkak pas shkaku deri te kërkimi i paraelementit të krijimit të botës. Me të drejtë Platoni habinë e ka quajtur mëmë të filozofisë, ndërsa Aristoteli filozofimin e trajtoi si qasje për të hulumtuar shkakun e shkakut të shkakut, që do të thotë hulumtimin e shkakut të parë të të gjitha gjësendeve dhe ndryshimeve. Në këtë periudhë janë përfshirë një numër i madh filozofësh që 4

FILOZOFIA ANTIKE

nga Talesi e deri te Demokriti me tërë kompleksin e gjërë të mendimeve filozofike. Në veçanti është punuar mendimi i Heraklitit, Parmenidit, Zenonit dhe i Demokritit, pa anashkaluar as rëndësinë e filozofisë së Pitagorës dhe të filozofëve të tjerë të kësaj periudhe. Periudha e dytë e filozofisë helene është ajo që në përgjithësi njihet si periudha antropologjike. Në këtë periudhë interesimi i filozofëve zbriti nga qielli në tokë dhe objekt kryesor i filozofisë u bë njeriu me të gjitha veprimet e veta. Filozofët e kësaj periudhe filluan të mendojnë rreth asaj se ç’ngjanë me njeriun në tokë dhe në shoqëri. Objekt i refleksioneve filozofike u bënë morali, shteti, organizimi shoqëror në përgjithësi, drejtësia, ligjet, normat e sjelljes, edukimi etj. Në këtë periudhë kemi dy pikëpamje kontradiktore: atë të Sofistëve në një anë dhe të Sokratit në anën tjetër. Nga numri i madh i sofistëve, këtu janë punuar vetëm tre: Protagora, Georgia e Trasimaku. Nga filozofët e kësaj periudhe më gjerësisht bëhet fjalë për Sokratin, filozofia e të cilit ka bërë një ndikim të fuqishëm të zhvillimit të mëtejm të mendimit filozofik. Sokrati jo vetëm që është themeluesi i etikës si shkencë mbi moralin, por ai konsiderohet edhe si babë i mendimit filozofik perëndimor. Periudha e tretë e filozofisë helene është ajo sistematike. Në këtë periudhë punohen sistemet filozofike të dy gjigantëve të filozofisë botërore në përgjithësi dhe të asaj helene në veçanti: Platoni dhe Aristoteli. Këta dy filozofë i elaboroj më hollësisht për arsye se gati i tërë mendimi i mëvonshëm perëndimor do të mbështetet në doktrinat e tyre filozofike. Në kapitullin e dytë punohet filozofia helenistike. Këtë filozofi nuk duhet identifikuar me filozofinë helene. Ajo është krejtësisht tjetër: zhvillohet në rrethana tjera politike, në kohë tjetër dhe përafërsisht edhe në një hapësirë më të gjërë 5

Beqir Berisha

gjeografike. Ky kapitull është një qasje sa koncize aq edhe konkrete dhe tërheqëse për mënyrën e trajtimit të problemeve të kohës. Helenizmi, në thelb, është simbiozë e filozofisë helene, që dominon edhe në këtë periudhë me atë romake, që si tërësi përbëjnë një filozofi të re që në historinë e filozofisë njihet si filozofia helenistike që praktikisht do të thotë përhapja e filozofisë helene ose helenizimi i një rajoni më të gjërë të Kulturës helene. Disa autorë të dya këto filozofi i trajtojnë bashkarisht, disa të tjerë i ndajnë në filozofi helene dhe në ate romake. Unë e kam trajtuar si filozofi të sintetizuar filozofinë helene dhe filozofinë romake në helenizëm. Këtë qasje e kam preferuar jo vetëm se shumë autorë të filozofisë e akceptojnë këtë ndarje por edhe për arsye se mënyra e qasjes së problematikës në këtë periudhë nuk është identike me ate të mëparshmen deri te Aristoteli. Duke elaboruar doktrinat kryesore të këtij kapitulli si epikuerizmin, cinizmin, stoicizmin, skepticizmin theksoj në mënyrë të veçantë thelbin e përbashkët të të gjitha këtyre doktrinave. Ky thelb qëndron në faktin se kjo filozofi synon pavarësimin e individit nga ndikimet e jashtme qofshin ato shoqërore apo natyrore duke synuar qetësinë dhe lumturinë e individit edhe sikur e tërë bota të digjet e shkatërrohet. Në fund të këtij kapitulli bëhet fjalë për Plotinin, të cilin e kam futur në periudhën helenistike, ndonëse disa analitikë të filozofisë e trajtojnë si filozof të Mesjetës. Unë e përfshina në filozofinë helenistike për arsye se edhe Plotini ka të njejtën qasje dhe të njejtin qëllim në refleksionin e tij filozofik si të filozofëve tjerë të kësaj filozofie, edhe pse mendimi i tij ka elemente të theksuara të filozofisë religjioze të Mesjetës. Filozofia nuk mësohet ; mësohet filozofimi ka theksuar Kanti. Filozofia studion atë që, disi, na duket e njohur ka thënë Hegeli. Në filozofi nuk është qenësorja ajo që e kuptojmë, por 6

FILOZOFIA ANTIKE

ajo që nuk e kuptojmë, pohon filozofi francez Rozher Pol Drua1. Nëse i sintetizojmë këto tri mendime duhet të theksohet se në filozofi nuk është e rëndësishme se çka është përvetësuar nga ajo që kemi lexuar, por sa na ka shpënë të mendojmë rreth saj. Dihet, për shembull, se Diogjeni me fener në dorë ka kërkuar njeri në mes të ditës nëpër Athinë. Enigma është: Pse? Platoni “i futi” të gjithë qytetarët e Athinës në shpellë duar e këmbë lidhur, të cilët nuk donin të dalin nga shpella dhe e mbytën qytetarin që tentoi t'i nxjerri. Pyetja është: ku qëndron filozofia e kësaj parabolle? Akili nuk e mbërrini dot breshkën edhe pse ishte vrapuesi më i madh. Këto janë tri probleme filozofike që i mora si shembull, për të cilat lexuesi i librit duhet të mendojë edhe pse përshkruhen në libër. Këtu qëndron edhe arsyeja e titullimit të kësaj parathënie. Nëpërmjet këtij libri nuk synoj që lexuesi vetëm të mësoj por, nëpërmjet asaj që mëson të mendojë, të filozofojë. Për të gjithë ishte e njohur se guri bie në tokë nëse e hudhim lartë, por ishte Njutoni ai që mendoi për këtë dukuri dhe kështu zbuloi Ligjin e gravitacionit. Problemet që na duken si të njohura, por në thelb, nuk i kuptojmë janë të shumta. Epikuri fetishizoi lirinë e njeriut, por filozofi francez i shekullit XX - Sartri, lirinë e njeriut do ta trajtojë si dënim. Na ngel për të filozofuar përse njeriu është i dënuar për të qenë i lirë. Stoicizmi aktualizoi në mënyrë më serioze problemin e jetës dhe kuptimin e saj. Këtë problem pas 24 shekujsh do ta riaktualizojë në mënyrë shumë serioze filozofi tjetër francez Albert Kamy, i cili veprën më të rëndësishme filozofike “Miti i Sizifit” e fillon me fjalët: ka vetëm një problem filozofik me të vërtetë serioz: vetëvrasja. Pyetja është pse një problem medicinal të jetë problem themelor i filozofisë? 1

Roger Pol Droit, Philosophie fq. 460, “DK”, Paris 2001

7

Beqir Berisha

Përgjigje e shkurtër do të ishte: jeta është obligim. Përgjegjësi. Ballafaqim me probleme. Sakrifica dhe triumf. Ky do të ishte kuptimi i jetës nga trajtimi filozofik i Kamysë, mandej kënaqësia dhe lumturia. Shembujt e dhënë më lart shpalosin edhe mendimin e filozofit francez të shekullit XX Ponty të cituar në nëntitull. Duke iu përmbajtur titullit të parathënies unë me këta shembuj e ndërpres interpretimin e mëtejmë duke ia lënë si detyrë që lexuesi i librit më shumë të mendojë për problemet që nuk i kupton se sa t'i mësojë ato që i kupton. Në kopertinën e librit është tabloja e Rafaelit, ku në të djathtë është Platoni në dorë me veprën e vet “Timenë” dhe me gishtin lartë për të sinjalizuar sferën e filozofimit - idetë. Në të majtë është nxënësi i tij Aristoteli, i cili në dorën e majtë mban “Etikën”, ndërsa me dorën e djathtë sinjalizon se duhet të mbështetemi në tokë dhe të filozofojmë rreth natyrës reale. Autori Nëntor/2008

Libri gjendet në shitje në librarinë "Rilindja" - Tetovë dhe në "Librarinë Universitare" - Prishtinë

8


Beqir Berisha FILOZOFIA ANTIKE