Gjuha shqipe

Page 62

Tri gëzimet - O çun, çfarë po pret në kopsht? Çuni nuk flet. I pëlqen një mollë e kuqe në majë të degës. E shkund degën me një shkop të gjatë dhe molla bie. Një mollë dhe një gëzim për çunin e vogël. Te lumi i kaltër çuni gjen peshkatarin. E përshëndet dhe ulet pranë tij. Shikon si rriten rrathët e valëve, kur peshkatari hedh grepin në ujë. - A ka peshq të mëdhenj këtu, xhaxha? - Ka, - thotë peshkatari. - A ka sa dora ime? - Edhe më të mëdhenj, por… Mos fol tani se edhe ata më të mëdhenjtë mund të frikësohen prej teje. Çuni shtrihet mbi bar dhe ëndërron një peshk të madh sa një dorë, sa një njeri, sa një pemë… Por të gjithë ata frikësohen prej tij dhe kjo i jep njëfarë kënaqësie. Peshkatari i fal një peshk çunit. Ja, i shtohet dhe një gëzim i dytë. Çuni vrapon nëpër kopsht. E merr shportën ku mban mollën dhe vë në të edhe peshkun. Ashtu shend e verë vrapon te shtëpia. Në hyrje të lagjes takon fëmijën e parë. Duket një fëmijë i mërzitur. -Hej, unë kam një mollë të kuqe! Unë kam edhe një peshk! - i thotë ai plot gëzim. Djali tjetër hesht. “O ti që ke peshkun dhe mollën, gëzimi i një njeriu nuk zgjat gjithmonë. Pse, atëherë, s’i ndajmë gëzimet bashkë?” - i thotë një zë nga brenda. Çuni ia zgjat shportën djalit të mërzitur dhe i thotë: - Hajde t’i ndajmë bashkë, edhe mollën, edhe peshkun. Kështu lindi gëzimi i tretë dhe ky gëzim jeton gjatë. Vehbi Kikaj

62


Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.