Biologija_7_alb_malcevska

Page 80

ТЕМА 7

1

SISTEMI TRANSPORTUES (BARTËS) OSE QARKULLUES

Siç e dini, uji, ushqimi, oksigjeni dhe materie të tjera të rëndësishme për jetë, hyjnë dhe dalin nga trupi nëpër pjesët e ndryshme të tij. Pjesa më e madhe e qelizave të organizmave shumëqelizorë gjenden thellë në brendinë e trupit. Kjo nuk u mundëson këtyre qelizave direkt të bëjnë këmbimin e materieve me mjedisin e jashtëm. Për këtë qëllim është e domosdoshme prania e lëngut ndërqelizor i cili mbush hapësirat ndërmjet qelizave. Përveç kësaj, janë të nevojshëm edhe mekanizma tjerë plotësues të cilët i lëvizin materiet ndërmjet lëngut ndërqelizor dhe sipërfaqes trupore ku kryhet këmbimi. FUNKSIONI I SISTEMIT TRANSPORTUES – QARKULLUES

Se sa është i zhvilluar dhe i ndërlikuar sistemi për bartjen e materieve varet nga madhësia dhe aktiviteti i shtazës. Shtazët nuk mund të jenë të mëdha ose të kenë aktivitet të madh pa pasur sistem efikas bartës i cili mundet shpejt të furnizojë lëngun ndërqelizor me materie ushqyese të ndryshme dhe të largojë shpejt produktet e dëmshme prej saj. Gjithashtu, për të gjitha proceset në qelizë, është e nevojshme edhe sasi e caktuar e oksigjenit, të cilin qelizat e sigurojnë përmes gjakut. Përveç bartjes së gazrave, ushqimit dhe produkteve të dëmshme, sistemi transportues bart materiet e krijuara në indet e veçanta deri te indet tjera të cilat ndihmojnë në punën e tyre. Përmes sistemit transportues barten edhe hormonet nga gjëndrat ku krijohen, deri te organet e tyre përkatëse (për shembull, hormonet tiroide nga gjëndra tiroide deri te shumica e qelizave në trup). Në fund, ky sistem e bart nxehtësinë nëpër trup deri ose më larg prej vendit ku nxehtësia mund të humbet ose krijohet. Përveç kësaj sistemi transportues ka edhe role tjera të rëndësishme. Nëpër sistemin transportues rrjedh lëngu trupor përmes të cilit kryhen funksionet në këtë sistem. Varësisht nga shkalla e ndërlikueshmërisë së organizmit ekzistojnë shumë lloje të lëngut trupor. - Hidrolimfa është lëng trupor i cili me përbërjen e vet ngjan shumë me ujin rrethues dhe e hasim te llojet e pakurrizorëve me ndërtim të thjeshtë, të cilët jetojnë në ujë, për shembull, shpuzorët dhe përcëlluesit. Funksioni i hidrolimfës është sjellja e materieve ushqyese dhe oksigjenit deri te qelizat e shtazëve dhe largimin e materieve të dëmshme prej tyre. - Kemolimfa është lëng trupor me ndërtim pak më të ndërlikuar se hidrolimfa. E hasim në trupin e shumë pakurrizorëve, për shembull, kërmijt, gaforret etj. Ka ngjyrë të kaltër, e cila vjen nga ajo se në pigmentin e gjakut ka bakër. Në kemolimfë ka vetëm qeliza të bardha të gjakut. Këtë lëng trupor e kanë vetëm shtazët të cilat kanë tip të hapur të sistemit transportues. Skrraja e shiut ka kemolimfë me ngjyrë të kuqe. - Limfa dhe gjaku – hasen te të gjitha grupet tjera të shtazëve. Gjaku është i përbërë nga plazma e gjakut dhe elementet e gjakut dhe atë; qelizat (rruazat) e kuqe të gjakut, qelizat e bardha të gjakut dhe pllakëzat e gjakut. Funksioni i qelizave të kuqe të gjakut përfshihet në transportin e gazrave. Këtë funksion e kryen hemoglobina e vendosur në këto qeliza. Kur gjaku bart oksigjenin është gjak i oksiduar, ndërsa kur bart dioksid karbonin është gjak i reduktuar. Qelizat e bardha të gjakut, kryesisht, marrin pjesë në mbrojtjen e organizmit, ndërsa pllakëzat e gjakut aktivizojnë sistemin e ngjizjes së gjakut, i cili është i rëndësishëm veçanërisht gjatë lëndimeve të enëve të gjakut. Plazma e gjakut, kryesisht është e përbërë nga uji, në të cilin ka materie të tretura. Me plazmën e gjakut barten materiet ushqyese deri te të gjitha qelizat e organizmit, ndërsa prej aty merren produktet e dëmshme. Limfa është lëng trupor me ndërtim më të thjeshtë në të cilën ka vetëm qeliza të bardha të gjakut.

84


Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.