Biologija_7_alb_malcevska

Page 10

ТЕМА 1 • Proceset jetësore • Të ushqyerit. Të gjithë organizmat e gjallë ushqehen. Bimët janë të afta që me ndihmën e energjisë së diellit të prodhojnë ushqim organik (organizma autotrof), ndërsa të gjithë organizmat tjerë shfrytëzojnë ushqimin e krijuar. Në këtë mënyrë të gjithë organizmat shfrytëzojnë energji. Bimët gjatë procesit të fotosintezës e shfrytëzojnë energjinë e diellit dhe e deponojnë si energji të fshehtë kimike, e cila prapë shfrytëzohet nga bimët dhe shtazët për nevojat e tyre. Dielli e siguron gati tërë energjinë për jetën në Tokë. • Frymëmarrja. Gjatë procesit të krijimit dhe shfrytëzimit të materieve ushqyese dhe energjisë ekziston ndërrimi i gazrave, gjegjësisht frymëmarrja. • Lëvizja. Shtazët janë aftësuar që vazhdimisht të lëvizin për të siguruar: ushqimin, ujin, vend për të jetuar dhe të ngjashme. Pasi që këto vazhdimisht e ndërrojnë vendin ku jetojnë, ne lëvizjen e tyre e vërejmë, gjegjësisht themi se pjesa më e madhe e shtazëve lëvizin aktivisht. Por, edhe pse pa u vërejtur, edhe te bimët ekziston kjo aftësi e lëvizjes së një pjese të organeve të tyre. • Reagimi i mjedisit. Të gjithë organizmat e gjallë reagojnë ndaj sinjaleve ose ngacmimeve të cilat vijnë nga mjedisi jetësor. Reagimi është përgjigje ndaj ngacmimit (nxitjes). Për shembull, nëse tigri i egër e ndjek gazelën, gazela reagon me ikje. Nëse lepuri e ndjen aromën e armikut, ai do të ikë, ose macja nuk do të hajë ushqimin derisa nuk e nuhatë. • Rritja. Të gjithë organizmat e gjallë rriten. Rritja e qelizave sjell deri te krijimi i kushteve për ndarjen e tyre dhe krijimin e qelizave të reja nga qelizat prindërore. Në këtë mënyrë trupi zmadhohet, gjegjësisht organizmi rritet. • Shumimi. Të gjitha llojet e organizmave të gjallë janë të aftë të shumohen. Në këtë mënyrë ata krijojnë pasardhës, gjë që mundëson vazhdimin e jetës, pasi që nuk ekziston organizëm që është i përjetshëm. • Përshtatshmëria. Të gjithë organizmat e gjallë janë të aftë të përshtaten në kushtet e mjedisit në të cilin jetojnë. Në këtë mënyrë organizmat e gjallë kanë mundësi më të madhe të qëndrojnë në mjedisin jetësor.

10


Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.