Koha Ditore

Page 125

ndërkombëtare, korrespodenti i KD-së nga Mitrovica raportonte për paraqitjen e rreth 100 pjesëtarëve të organizatës së quajtur S.R.G., shkurtesë për xhandarmërinë e Serbisë, e cila me urdhër të Qeverisë serbe kishte filluar shtrirjen e vet në Kosovë. Në këtë shkrim, autori Musa Mustafa ka treguar edhe për strukturën organizative të këtij formacioni paralel dhe për bazat e tyre që ishin në pjesën veriore të Kosovës. “Një prej qëllimeve kryesore të kësaj organizate serbe të sigurisë është largimi i banorëve shqiptarë nga pjesa veriore e Mitrovicës”, i kishte deklaruar gazetës një burim ndërkombëtar me kusht anonimiteti. “Koha ditore”, më 4 shkurt kishte shkruar edhe për tre kosovarët që kërkoheshin për kontrabandë droge në Itali dhe që kishin sponsorizuar ishkryetarin Ibrahim Rugova dhe një projekt filmik. Jo shumë ditë më pas, më 8 shkurt gazeta kishte raportuar për herë të parë për lëvizjen e Armatës Kombëtare Shqiptare nëpër fshatra të Kosovës.

Banorë të një fshati të Vushtrrisë i kishin deklaruar gazetës se ishin ndaluar nga persona të maskuar, kishin ndaluar dhe kontrolluar automjetet që po kalonin andej. Ndërkaq në atë që konsiderohet si “bingo” e madhe e Leme Xhemës gazeta e niste me një rrëfim ekskluziv në ballinën e datës 10 mars, duke sjellë dëshmi për shpenzimin e 5,7 milionë eurove krye më vete nga drejtoresha e PTK-së, Lema Xhema, në emër të qirasë për një shtëpi të papërfunduar. Nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Leme Xhemës, përfaqësuese e PTK-së dhe Qazim Gashit, nga Prishtina, e Danica Saviqit, PTK-ja për një muaj është dashur të paguajë 24 mijë euro, kurse për njëzet vjet – mbi 5,7 milionë euro. Në këtë artikull, thuhej se drejtoresha e PTK-së kishte lidhur marrëveshje pa tender, duke i tejkaluar kompetencat e saj, pasi që asaj i lejohej të firmoste marrëveshje me vlerë vetëm deri në 5 mijë euro. 70 për qind e këstit të parë, për periudhën prej 21 shkurtit e deri në datën e njëjtë të vitit 2008, ishin paguar si paradhënie ditën e nënshkrimit të kontratës. Disa ditë më vonë, kryeministri i Kosovës në atë kohë, Bajram Rexhepi, kishte kërkuar anulimin e kësaj kontrate. Edhe “Guarda di Finanza” kishte nisur hetime në lidhje me këtë rast dhe kishte konstatuar shkelje procedurale. Mirëpo, kontrata nuk ishte anuluar për shkak të humbjeve që do të krijoheshin në rast të shkëputjes së kontratës. Sipas kësaj kontrate qiramarrësi, apo qiradhënësi mund të tërhiqeshin nga kontrata duke njoftuar me shkrim minimum 18 muaj më herët njëri-tjetrin, por vetëm pas 15 vjetësh. Në rast se cilado palë dëshironte ta ndërpriste kontratën para aftit 15-vjeçar, atëherë ajo do të obligohej që të paguante dëmshpërblimin në shumë të qirasë për 24 muaj. Paratë janë paguar sipas marrëveshjes dhe këtë objekt PTK-ja e shfrytëzon sot e kësaj dite. Një muaj më vonë, gazeta zbulon edhe një kontratë të dyshimtë. Shitja e përfaqësisë së ndërmarrjes shoqërore “Eximkos” në Beograd nga drejtori i kësaj kompanie ishte tema ekskluzive e “Kohës Ditore”, e datës 9 prill. “Objekti i EXIMKOS-it në Beograd shitet për pak para e shumë raki”, ishte titulli i tekstit të nënshkruar nga Zija Miftari, në të cilin tekst përshkruhej mënyra e shitjes së përfaqësisë dhe shkeljet ligjore që ishin bërë gjatë kësaj shitblerje. 125


Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.